Përgjimet, Gruevski “kërkoi këshillën e një fallxhoreje”

Një regjistrim audio në YouTube pretendon se lideri i partisë VMRO DPMNE në pushtet në Maqedoni, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ka kërkuar këshilla nga një fallxhore për gjithçka që nga çështjet e shëndetit personal te ngjarjet globale. Ai akuzohet gjithashtu se ka kërkuar parashikime për veten, familjen, bashkëpunëtorët dhe kundërshtarët e tij politikë.
E dyshuara si “astrologe”, është identifikuar Katerina Najdenova, një punonjëse në Zyrën Doganore, e cila dëgjohet teksa këshillon Gruevskin për një sërë çështjesh.
Në atë që duket si një bisedë private e regjistruar në zyrën e Gruevskit në pranverën e vitit 2012, fallxhorja i thotë Gruevskit se “të huajt”, me gjasa duke nënkuptuar anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, kanë prirje pozitive në drejtim të tij edhe pse ai i shfaqet atyre i ftohtë dhe i largët.
“Të mungon kontakti. Duhet të shfaqësh ngrohtësi, jo si shtrëngimi i duarve me Kancelaren gjermane Angela Merkel,” këshillon fallxhorja, ndërsa ai që dyshohet të jetë zëri i Gruevskit dëgjohet t’i kërkojë shpjegime.
Ajo gjithashtu këshillon kundër anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian, sepse është e shqetësuar se, “BE-ja do të shpërbëhet” dhe arrin në përfundimin se NATO do të mbetet një faktor, por do të “mbahet artificialisht”.
Kabineti i Gruevskit dhe partia e tij VMRO DPMNE kanë refuzuar të komentojnë pretendimet e bëra në regjistrimet e publikuara së fundmi.
Regjistrimet nuk duket të jenë pjesë e regjistrimeve të vitit të kaluar të zyrtarëve të lartë që i publikuan Social Demokratët e opozitës, SDSM.
Gjithashtu ndryshe nga përgjimet e publikuara vitin e kaluar, biseda e fundit zgjat për gati dy orë dhe nuk duket se është regjistruar në telefon.
Në një moment, një telefon bie në atë që duket të jetë zyra e Gruevskit dhe kështu ndërpritet seanca me fallxhoren, ndërsa sekretari i tij e informon atë se i kanë mbërritur të ftuarit. “Le të presin”, i thotë Gruevski sekretarit.
Mbetet një mister se kush mund ta ketë regjistruar bisedën, nëse ishte Gruevski vetë, dhe se si u zbulua një regjistrim i tillë.
Mes informacioneve të tjera, biseda tregon se Gruevski ka urdhëruar analiza astrologjie të datave të lindjeve të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë dhe familjes, por edhe të një ish-kundërshtari politik, Branko Crvenkovskit, i cili bëri një rikthim në krye të opozitës Social Demokratëve prej vitit 2009 deri në vitin 2013.
Fallxhorja thotë se,  Crvenkovski nuk përbën një kërcënim të vërtetë për Gruevskin.
Duke iu referuar jetës së tij personale dhe profesionale, fallxhorja trembet se dikush mund të përpiqet t’i ngrejë Gruevskit një kurth seksual. Ajo e këshillon atë të kontrollojë shëndetin dhe parashikon suksese financiare. Megjithatë, ajo e paralajmëron që të jetë i kujdesshëm në lidhje me disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë profesional “që duan ta dëmtojnë”.
Publikimi i regjistrimit të fundit në YouTube vjen në një kohë, kur Gruevski përballet me presion politik dhe akuza të përfshirjes në disa krime.
Më 12 prill, ai u fal nga Presidenti Gjorge Ivanov, për gjashtë hetime penale të hapura në zyrën e Prokurorisë Speciale për 56 politikanë dhe bashkëpunëtorë të lartë. Faljet presidenciale shkaktuan protesta masive në Shkup dhe kudo në Maqedoni.

Artikulli paraprakEkonomia drejt greminës, taksa të larta dhe investitorët që ikin
Artikulli tjetërDyluftimi me akuza Klinton-Trump