Përgjimet, largimi i Tahirit, parakusht për zbardhjen e plotë të megaskandalit

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur dje mbështetjen e plotë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve në lidhje me hetimin e skandalit të përgjimeve, ndërsa ka deklaruar se këtë mbështetje të fuqishme organet e drejtësisë e gëzojnë nga të gjithë shqiptarët. Përmes një deklarate për mediat, Basha e cilësoi të papranueshëm sulmin e paprecedent të Ramës dhe Tahirit ndaj prokurorëve e gjyqtarëve duke i cilësuar ata si kriminelë e vrasës me pagesë, ndërsa e kundërta ka ndodhur me qëndrimet e tyre për Shullazin e bandën e tij apo për vëllezërit Habilaj apo baronin e drogës Balilaj.
“Presioni mafioz që Edi Rama dhe Saimir Tahiri po ushtrojnë prej dy ditësh ndaj drejtësisë zbulon para çdokujt me dy pare mend se kush janë urdhëruesit e megaskandalit të përgjimit.
Fillimisht, Tahiri e pastaj Rama vazhduan sërish sot si njerëz të kapur në krim të sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarin, që dje e lartësonin si njeriu i denjë i drejtësisë, kur liroi babain e Tahirit.
Asnjë ditë të vetme nuk e kemi parë ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin të përdorin këtë gjuhë të ashpër me krimin. Asnjë ditë të vetme në këto 3 vjet nuk e kemi dëgjuar as Ramën e as Tahirin t’i quajnë vrasës me pagesë Shullazin, Habilajt apo Balilin.
Tani janë hedhur përpjetë sikur i ka pickuar gjarpri. Janë hedhur përpjetë jo për drejtësi, por vetëm për të mbrojtur tajaren e tyre që po bie me yrysh në llucën e megaskandalit të përgjimeve”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se sulmi i paprecedent me të cilin Rama dhe Tahiri i janë vërsulur gjyqtarëve dhe prokurorëve dëshmon se ata janë në panik mbi të vërtetat që mund të nxjerrin hetimet. Basha theksoi se kërcënimet janë e vetmja armë që Rama e Tahiri mendojnë se kanë për të sprapsur gjykatësit në hetimin e tyre.
“Këtij krimi shtetëror Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë shtuar ndërkaq edhe krimin kushtetues të shantazhimit të drejtësisë.
Çdo shqiptar e ka kuptuar tashmë. Janë në panik nga ajo që mund të zbulojë hetimi. Janë të tmerruar se drejtësia do të zbardhë rolin dhe përgjegjësitë e tyre në megaskandalin e përgjimit.
Prandaj po kërcënojnë si asnjëherë më parë. Po i quajnë gjyqtarët vrasës me pagesë e prokurorët e keqja e vendit. I janë vërsulur KLD dhe po përdorin gjuhë talebanësh kundër çdokujt që mund t’u nxjerrë në shesh të palarat. Kanë nisur bandat me shuka eurosh e me pisqolla në brez për të shantazhuar gjykatësit e për të sprapsur hetimin. Kërcënimin mafioz e shohin si të vetmen rrugë për t’i shpëtuar drejtësisë”, tha Basha.
Ndërsa shprehu mbështetjen për gjyqtarët e prokurorët, Basha theksoi se largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit është parakusht për një hetim të plotë e të gjithanshëm të skandalit të përgjimit.
“Prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë këtë megaaferë duhet ta dinë se kanë në dorë fatin e një demokracie të tërë. Se stepja apo sprapsja nga presioni është muzgu i demokracisë dhe agimi i tiranisë së shtetit mafioz. Ata kanë mbështetjen e çdo shqiptari të ndershëm dhe duhet ta çojnë deri në fund këtë hetim, të bëjnë transparencë, të vendosin ligjin.
Largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit nga detyra është parakusht për zbardhjen e plotë dhe të pandikuar të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm e të cenimit të sigurisë kombëtare. Çdo orë në detyrë e tij është pengim i hetimit, është pengim i drejtësisë, është një turp i madh për vendin”.

A.Shahini

Artikulli paraprakPolicët vrasës sulmuan familjen Çapja në Elbasan
Artikulli tjetërKallëzim penal për futjen në fshehtësi të Reformës në Drejtësi në kalendar