Përgjimet nxjerrin zbuluar nënkomisarin për dërgesa të tjera droge

Nënkomisari i Policisë së Fierit, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për trafik droge, u zbulua nga përgjimet. Festim Lelaj nuk është përgjegjës vetëm për 2.5 tonët e drogës të kapur në janar 2017 në Ankona. Burimet bëjnë të ditur se arrestimi i nënkomisarit Festim Lelaj, erdhi pas informacioneve të ardhura nga Italia.
Përgjimet telefonike që i janë bërë, tregojnë se Lelaj ishte mjaft aktiv në trafikun e drogës dhe se ka trafikuar 350 kg hashash drejt vendeve të BE¬-së. Më konkretisht, droga kultivohej në disa zona të Vlorës dhe më pas mblidhej në Fier, ku edhe ngarkohej në kamionë që transportonin paleta druri drejt Gjermanisë. Sipas përgjimeve, rezulton se Lelaj ka trafikuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal edhe 350 kg drogë, kryesisht nga Vlora dhe Durrësi. Po kështu, burimet thonë se Lelaj ishte në rolin e organizatorit të grupit dhe se ka bashkëpunuar edhe me një ish-¬polic në kërkim, Renato Avduli, i cili gjykohet në një çështje tjetër, atë të Treblovës.
Sipas dosjes, Festim Lelaj kishte bashkëpunëtorët e tij edhe në Portin e Durrësit, dy ish-¬policë kufitarë, tashmë të arrestuar, dhe një doganier. Droga, pasi ngarkohej në kamionë në qytetin e Fierit, nisej drejt Durrësit. Aty më pas ajo i shpëtonte skanerit nga autoriteti portual. Fillimisht skanohej kamioni që nuk kishte drogë dhe më pas, ai ndërronte rimorkion dhe targat me atë që përmbante drogë. Kjo skemë është zbuluar nga prokurorët e Krimeve të Rënda në fazën e hetimeve.

Mbetet në burg nënkomisari dhe 6 të arrestuarit për 2.5 ton drogë

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg nënkomisarin e policisë dhe 6 të arrestuarit e tjerë për trafikun e 2.5 ton kanabis nga Porti i Durrësit drejt Italisë në janar të këtij viti. Para togave kanë dalë nënkomisari Fatmir Lelaj, dy punonjësit e policisë së Portit të Durrësit, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllanaj, dy doganierët Altin Aktundi dhe Mikail Hila si dhe dy pjesëtarët e tjerë të grupit Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa.
Sipas Prokurorisë, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar drejt Italisë kamionin me lëndë narkotike nga porti kryesor i vendit. Gjykata i ka cilësuar të ligjshme ndalimet, duke caktuar si masë sigurie për ta arrestin me burg. Numri në total i personave të arrestuar si pjesë e grupit është 12 persona. Në kohë të ndryshme gjatë këtij viti janë arrestuar edhe Demo Progonati, Eruon Hoti, Malton Lleshi, Dhimo Koraj dhe Aurel Lazaj.
Sipas Prokurorisë, prej vitit 2014 grupi ka qenë aktiv dhe ka dëguar drejt Italisë disa ngarkesa me kanabis. Në kohën kur punonjësi i policisë Festim Lelaj punonte në Portin e Vlorës ka lejuar trafikun e 350 kg kanabis, po me kamion. Mjeti drejtohet nga të arrestuarit Skënder Siceqa dhe Aurel Lazaj. Në trafikun nga Porti i Durrësit droga u kalua në një kamion që transportonte paleta druri dhe destinacioni përfundimtar ishte Gjermania. Në parkimin e portit personat ndërruan rimorkion dhe targën që kishte lëndë narkotike me një tjetër rimorkio, e cila ishte zhdoganuar më parë.
Efektivi i policisë u prangos disa ditë më parë, ndërsa Prokuroria arriti në përfundimin se ai luante rolin e organizatorit në trafikun e 2.5 ton kanabis nga Porti i Durrësit. Ngarkesa me drogë drejtohej drejt Gjermanisë, ndërsa kamioni me drogë ishte vulosur në Portin e Durrësit nga doganieri Altin Katundi dhe agjenti doganor Mikael Hila. Lënda narkotike ishte shënjuar si mall tranzit për të mos u kontrolluar më tutje në portin italian. Droga ishte fshehur në një kamion që transportonte dru dhe ishte ngarkuar në Fier.

Artikulli paraprakPërmbytjet, 55-vjeçari nga Novosela kërkon ndihmë me lot në sy
Artikulli tjetërTerror e manipulim në votimin për Dekanin e Fakultetit të Filologjisë