Përgjimet, PD bën thirrje për reagim qytetar

Partia Demokratike bëri thirrje dje për një reagim të fortë qytetar për ndaljen e antishtetit, i cili sot po kërcënon sigurinë e çdo qytetari nga veriu në jug të vendit. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Luçiano Boçi deklaroi se skandali i përgjimeve dëshmoi se shteti ka rënë dhe vendi drejtohet nga një mekanizëm mafioz.
“Përgjimi i paligjshëm që ka bërë Saimir Tahiri është prova më e fortë se shteti dhe ligji kanë rënë, se shteti dhe ligji janë zëvendësuar me një organizëm mafioz e me kodin e tyre të veprimit.
Kjo shkelje brutale e ligjit, e sigurisë kombëtare, e të drejtave themelore të njeriut tregon ndarjen e thellë të dy botëve në vendin tonë. Të gjithë e kemi parë se si policia ndalon dhe përzë me dhunë nënën nga Shkodra që shet duhanin që ajo vetë ka mbjellë, sepse e konsideron informalitet, se si përfundoi në burg berberi që s’kishte kupon apo si përndiqen e gjobiten tregtarët ambulantë, ndërkohë që Saimir Tahiri me lejen dhe dijeninë e plotë të Edi Ramës, kalon në doganë një pajisje përgjimi pa e regjistruar, pa e deklaruar, e përdor atë pajisje, përgjon kë dëshiron” tha deputeti Boçi.
“E gjitha kjo, jo vetëm pa autorizimin e prokurorit të Përgjithshëm, por kur skandali zbulohet, ai nuk pranon hetimin, e pengon atë dhe nuk dorëzon përgjuesin e paligjshëm.
A mund të ketë informalitet më të madh se sa ky, që kryhet nga ministri i Brendshëm, nga Kryeministri?
Kjo shkelje e rëndë e ligjit, në fakt e kapërcen informalitetin dhe hedh në erë bazat e një shteti, standardet më minimale.
Qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri, ende nuk përgjigjen, ku gjendet sot pajisja, kush e solli, nga u fut, pse nuk u regjistrua, kush e përdori, kush u përgjua dhe pse? Ky është një shqetësim i madh publik, kulmi i paligjshmërisë, që ka autorë, ka përgjegjës dhe Prokuroria lypset me shpejtësi të bëjë drejtësi” tha deputeti Boçi.
Deputeti demokrat theksoi se qytetarët shqiptarë nuk mund të lejojnë që ky skandal tëe mbulohet dhe të lejojnë nëpërkëmbjen e të drejtave të tyre, sigurisë së tyre
“Partia Demokratike nuk e konsideron përgjimin e paligjshëm të krerëve të institucioneve, të politikanëve, të opozitës, të përfaqësuesve të medias, si një çështje të sajën.
Ky është një zhvillim tronditës që kërkon reagimin e qytetarëve, e shoqërisë civile, e universiteteve, të medias.
Një klan mafioz në pushtet si ky i Ramës këtë dëshiron, heshtjen, mosreagimin.
Por ky zullum nuk mund të kapërdihet. Të gjithë duhet të bashkohemi e të ngremë zërin, që ky antishtet të ndalohet, që dhunime të tilla të Kushtetutës, të sigurisë kombëtare, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të mos ndodhin më” theksoi më tej deputeti demokrat.

Fshehja e pajisjes

Misioni policor italian, Interforce, që vepron në Shqipëri nuk pranon t’ia dorëzojë pajisjen e përgjimit Prokurorisë shqiptare. Refuzimi i italianëve i shton dyshimet se ajo ka kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri. Pyetja që kërkon përgjigje në këtë rast është se kush i ka bërë përgjimet: policia shqiptare, siç akuzon opozita apo vetë italianët?
Përgjigjja-thonë burime të Prokurorisë për “lapsi.al” – do të merrej pas verifikimit të të dhënave që janë regjistruar në memorien e aparaturës IMSI Catcher, të prodhuar nga një agjenci e specializuar italiane.
Ajo u fut pa u regjistruar në Shqipëri. Dhe sipas Prokurorisë, dy specialistët e policisë italiane që thuhet se kishin marrë atë me vete për të trajnuar policinë shqiptare, kanë shkelur ligjin. Në vitin 2015 një pajisje e ngjashme u fut po nga italianët në Shqipëri, por ajo u regjistrua, për arsye se ligji e detyronte deklarimin e saj në doganë dhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Një burim pranë Prokurorisë tha për “lapsi.al” se italianët duhet ta kishin regjistruar në çdo rast pajisjen në doganë dhe për futjen e saj në Shqipëri qoftë pala italiane qoftë zyrtarët e policisë shqiptare që i kanë pritur italianët në Durrës, duhet të kishin vënë menjëherë në dijeni prokurorin e Përgjithshëm.
Prokuroria ka marrë në pyetje disa zyrtarë të policisë shqiptare, por kur vjen fjala për të pyetur specialistët italianë, çështja komplikohet.
Ish-shefi i policisë italiane, Alessandro Pansa, në një letër që i dërgoi kryeprokurorit Adriatik Llalla, i vinte në dukje faktin se personeli italian që kishte ardhur në Shqipëri me pajisjen, me mision për të trajnuar policinë shqiptare, gëzonte imunitet dhe për këtë arsye nuk mund të hetohej.
Letra e kryepolicit Pansa nuk është marrë në konsideratë si provë për hetimin e nisur, pasi ajo është një shkresë personale drejtuar kreut të organit të akuzës.

Rama vijon të heshtë ndaj skandalit të përgjimeve

Edhe pse Partia Demokratike e denoncoi këtë krim shtetëror, dhe kërkoi përgjigje e transparencë, ende qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri nuk japin asnjë sqarim. Edhe në komisionin e Sigurisë Kombëtare, në seancën dëgjimore, Tahiri vetëm sa e thelloi skandalin, duke u përpjekur tua hedhë përgjegjësinë vartësve të tij dhe doganierëve. Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë thellohet kjo paligjshmëri, aq më shumë pasoja sjell ky krim shtetëror, kjo shkelje brutale e ligjit dhe e të drejtave themelore të qytetarëve. Prokuroria është në një thirrje historike për të zbardhur sa më shpejt skandalin. Sytë e mbarë opinionit publik janë drejtuar nga hetimi që ajo po kryen. Për të vënë ligjin mbi përgjimin e paligjshëm. Për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. Kjo çështje duhet zbardhur e plotë dhe publiku, qytetarët duhet të mësojnë se kush e solli paisjen, kush e përdori, për interesat e kujt u përdor, kush u përgjua dhe pse. Siguria kombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut nuk janë dhe nuk mund të jenë peng i Saimir Tahirit. Por ai dhe vartësit e tij të kapur, e pengojnë hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarje kriminale.

Exit mobile version