Gazetari Lavdrim Lita tha në një intervistë për Euronews Albania se ka qenë një kryqëzim informacioni mes autoriteteve franceze dhe të penduarve të drejtësisë, ai që çoi në shkatërrimin e grupit kriminal.
SPAK lëshoi 11 urdhër arreste pas një hetimi të detajuar me informacione nga autoritetet franceze dhe belge që më pas u ndërlidhën dhe me kode të zbuluar nga të penduarit e drejtësisë.
“Transkriptimet që kanë ardhur nga autoritetet franceze dhe belge janë me mijëra faqe. Ka kode për çdo person të përfshirë në këto komunikime. Te komunikimet janë zbardhur kujt i përket telefoni, janë kryqëzuar informacionet sepse ti ke një telefon Sky ECC që ngjan SI Samsung, por ndërkohë ke dhe një telefon tjetër. Duke parë GPS e lëvizjes së telefonit, lëvizsshmërinë, komunikimet, ta thotë fiks ku ke qenë atë ditë, atë orë dhe çfarë ke komunikuar, pra ka kryqëzim informacioni dhe kodet që janë marrë, një pjesë e madhe janë marrë nga fletoret që ka dhënë Dumani për SPAK-un apo të penduarit e tjerë që kanë treguar listën e kodeve me të cilët kanë folur. Pra, janë bërë disa kryqëzime nga të penduarit dhe autoritetet franceze që janë marrë me dosjen shqiptare,” – u shpreh Lita.