Nga Dashnor Kokonozi
Rrinë duke lexuar kryevepra, se ashtu ua do zanati dhe pastaj, nga lartësia e atyre që lexojnë, hedhin sytë nga ne. Dhe u ngjajmë se kemi hyrë në ujë…
Jam i kënaqur që kjo nuk ka ndodhur me Granit Zelën, përkthyes i J. Updike, Faulkner, Orwell, E. A. Poe etj.
Shkruan Zela, Dashnor, urime për romanin. Ma mbushi ditën e sotme. Një rrëfim i endur me mjeshtëri, kapitull pas kapitulli, me imazhe pamore të gjalla, filmikë, subjekti i veçantë, sprovë shkrimore e suksesshme që të fton për të lexuar edhe librat e tu të tjerë.
Martesa e pafat e Stanishit të vërtetë dhe dashuria e beftë e atij të rremë, në sfondin e gdhendur historik të një kohe luftërash që i largon luftëtarët nga dashuritë e mëdha përshkruhet bukur, lexohet me endje.
Valeria Orseolo ka fatin më tragjik sepse është e brishtë. Edhe mbyllja me përmendjen e martesës së saj të lumtur është iluzion i paqtë për të cilin ka nevojë qenia njerëzore si melhem rrëfimi për brutalitetin e jetës.
Janë përshtypje të atypëratyshme menjëherë pas leximit dhe nuk përmbledhin të gjitha meritat e librit, (sfondi historik mesjetar mëse i natyrshëm; tablotë e betejave të brendshme të personazheve dhe atyre të jashtme në kështjellën e rrethuar; zhbirimet psikologjike, etj., etj) por nuk mund të mos e përcillja kënaqësinë që mora nga romani i porsalexuar “Martesa e palumtur e Stanishit”.