Është përkujtuar sot 21 vjetori i një ndër masakrave më të mëdha ndaj popullit shqiptar, Masakra e Reçakut. Të pranishëm, në këtë ceremoni ishin dhe personalitete të rëndësishme poltike shqiptare, si presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe Presidenti shqiptar Ilir Meta.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani edhe të homologut shqiptar, Ilir Meta, përcolli një mesazh të qartë Serbisë dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, duke thënë se nuk ka njeri në botë që mund të mohojë këtë masakër.
“Masakra e Recakut, një prej masakrave më të rënda të Serbisë. Masakra e Recakut është krim kundër njerëzimit, që ka kryer drejtpërdrejt shteti i Serbisë, që është gjenocid i Serbisë kundër popullit të Kosovës. Kjo masakër tregoi që Serbia po kryente spastrim etnik në Kosovë. Edhe kjo masakër, si gjithë të tjerët, do jenë ato që ne do kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen.
Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur për këto masakra. Rrugëtimi jonë është ai euroatlantik, do punojmë fuqishëm për të ardhmen evropiane, por duke kërkuar drejtësinë që shteti i Serbisë duhet të japë llogari herët ose vonë për gjenocidin që ka kryer në Kosovë. Edhe tendenca e fshehjes, apo mohimit, është sjellje e mentalitetit të Milloshevicit, por kjo sjellje e Serbisë ka ardhur edhe për shkak të heshtjes ndërkombëtare. Ishte shtytje dhe guxim i autoriteteve të Serbisë për të mohuar masakrën, por nuk ka njeri në botë që e mohon”, u shpreh Thaçi.
Ndërkohë presidenti Ilir Meta u shpreh se nuk duhet vëtëm përkujtim dhe ndërim i pakufijshëm, po edhe kërkesë që drejtësia të shkojë deri në fund me ndëshkimin e orkestruesve dhe realizuesve të ‘Masakrës së Recakut’.
Ngjarja konsiderohet si masakra më e dhimbshme e njerëzimit në historinë e Kosovës. Më 15 janar 1999 u ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë në Reçak. Në mesin e tyre kishte burra, gra, pleq e fëmijë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, prej ditës së djeshme ndodhet në Kosovë, per te marre pjese ne gjithe ceremonine përkujtimore të masakrës së Reçakut në Akademinë Përkujtimore në nderim të të rënëve.