Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje shkrimtarin, publicistin, përkthyesin, gazetarin, Mustafa Greblleshi, në ditën e ndarjes nga jeta (22 maj 1986).
Mustafa Greblleshi lindi në Tiranë më 15 dhjetor 1922. Gjatë pushtimit italian punoi për pak kohë në drejtorinë e Postë Telegrafëve. Shko me studime për letërsi në Torino të Italisë, por u detyrua t’i ndërpriste studimet. U kthye në Shqipëri dhe bashkëpunoi me gazetën “Tomorri” e më pas në redaksinë e “Rojes Kombëtare” të Gjergj Bubanit. Botimet publicistike mbanin pseudonimin e tij “Liu i Cakut”.
Me vendosjen e regjimit komunist, Mustafa Greblleshi caktohet si redaktor në gazetën “Bashkimi” deri në vitin 1946, pasi do të arrestohej si “armik i popullit” së bashku me kolegët Andrea Varfi e Petro Marko dhe do të burgosej për 19 muaj. Pas lirimit u dërgua si mësues në qytete të ndryshme, por shpejt u konsiderua i padenjë për profesionin.
U detyrua të punojë si punëtor krahu në kombinatin “Josif Pashko” dhe si bojaxhi për shumë vjet, por pa lënë mënjanë krijimtarinë letrare.
Mustafa Greblleshi ka lënë si trashëgim një numër veprash letrare si “Gremina e Dashunis”, “Albumi i një bojaxhiu”, vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Të njohura janë dhe disa përkthime cilësore si: përrallat arabe “Një mijë e një net”, “Jeta lakuriq” e Luixhi Pirandelos, “Filumena Marturano” e De Filipos. atsh/