Përlotet Pack: Humba vajzën për shkak të drogës, ndalojeni atë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Lidhjen Demokratike të Gruas në ambientet e Hotel “International Tirana”. E ftuar nderi ishte edhe presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane znj.Doris Pack. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas në Shqipëri, Albana Vokshi i bëri thirrje nënave, bijave dhe grave të bashkohen në një lëvizje të vetme për mbrojtjen e të drejtave të grave e çdo qytetari të braktisur nga kjo qeveri. “200 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi i tyre. Shkak kryesor është papunësia dhe mungesa e shpresës në vendin e tyre, ndaj ne duhet të jemi bashkë në një lëvizje për mbrojtjen e të drejtave përkundrejt kësaj qeverie arrogante”, tha Vokshi. Për Doris Pack vuajtja është legjitime dhe frika e prindërve për fëmijët e tyre e justifikuar. “Sot kam ardhur këtu, sepse po flasim për situatën e grave në Shqipëri dhe Europë dhe ndiej keqardhje për situatën aktuale në Shqipëri. Nëse kanabisi është tema më e diskutuar në këtë vend, kjo nuk është gjë e mirë. Unë e di për çfarë bëhet fjalë, pasi kam humbur vajzën time në betejën me narkotikët. Ndaj ju lutem mundohuni t’i mbushni mendjen politikanëve të gjejnë mundësi të tjera punësimi për të rinjtë dhe jo t’i shtyjnë drejt punës me kanabis. Gratë duhet të përfshihen më shumë në politikë, pasi shumë gjëra i kuptojnë më mirë se burrat dhe shkalla e papunësisë 40-50% është tepër e lartë”, tha Doris Pack.

Artikulli paraprakPack: PE të hetojë akuzat për Vlahutin
Artikulli tjetërManjani denoncon pazaret Rama-Bler