Borussia Dortmund ka përmbysur gjithçka në pjesën e dytë në supersfidën e javës së 11-të të Bundesliga-s me Bayern Munich. Të besuarit e Favre kanë mposhtur kampionët në fuqi me rezultatin 3-2 dhe tani ka filluar shkëputjen në renditje. Vendasit e nisin mirë ndeshen dhe rrezikojnë me Reus brenda zonës por Neuer tregohet vigjilent. Megjithëse Borussia po rrezikonte më shumë duke luajtur me një temp më të lartë, ishin bavarezët ata që gjetën golin e avantazhit në minutën e 26’ me anë të Robert Lewandowski-t i cili shfrytëzon më së miri një kros të bukur nga Gnabry.
Pas pushimit vendasit sulmonin me shumë forca ndaj një Bayern-i të tërhequr mbrapa dhe në minutën e 4’ Marco Reus mposht Neuer në duelin ballë për ballë teksa arrin të shënojë nga pika e bardhë e penalltisë. Por festa e Signal Iduna-s zgjati vetëm katër minuta pasi Lewandowski rikthen avantazhin për vavarezët pas krosit të Joshua Kimmich. Gjithsesi vendasit nuk i humbin shpresat dhe vazhdojnë të luajnë futbollin e tyre dhe arrijnë të krijojnë mundësi pas mundësie dhe gjejnë golin e barazimit me Marco Reus në minutën e 67’. Një gol ëndrrash i sulmuesit gjerman.
Vetëm shtatë minuta më pas vendasit marrin avantazhin për të parën herë në këtë sfidë. Ishte Paco Alcacer i futur në fushë për Gotze që vetëm për vetëm me Neuer nuk gabon duke dërguar topin në rrjetë. Borussia nuk e uli ritmin edhe pas golit të avantazhit, duke vazhduar të sulmojë sa herë që ka topin në zotërim, ndërsa Bayern pa ide, sidomos në mesin e fushës, duhet t’i nënshtrohet vendasve megjithëse në sekondat e fundit të takimit Lewandowski shënoi golin e barazimit me thembër, por që u anulua nga arbitri për pozicion jashtë loje.
Reagimi i protagonistëve
Bayern Munich ka pësuar një tjetër humbje në kampionat teksa është mposhtur nga kryesuesit e Borussia Dortmund me rezultatin 3-2 në Singal Iduna Park. Ishte një nga ndeshjet më të bukura të sezonit, jo vetëm në Bundesliga, por në të gjithë Europën.
Por Bayern ishte viktima e kësaj mbrëmjeje dhe tani ndodhen shtatë pikë larg BVB. Pas ndeshjes, Kovac Neuer dhe Hummels kanë folur për ndeshjen, po ashtu edhe Reus me Favre nga kampi i BVB.
Neuer për Sky Sport…
…rreth ndeshjes: Problemi ishin gabimet që kemi bërë. Dortmund ka luajtur me kundërsulme në stadiumin e tij. E dimë forcën e tyre, por nuk mundëm ta parandalomin.
…rreth penalltisë: Reus në fakt e godet topin drejt flamurit të këndit. Unë heq krahët komplet dhe ai pengohet me barkun tim.”
Hummels për Sky Sport…
…rreth ndeshjes: “Kemi bërë një ndeshje të mirë për një kohë të gjatë. Ndeshja ishte e hapur me rezultatin 2-2. Por nuk i kemi kryer mirë kundërsulmet dhe humbën kontrollin e ndeshjes.
…rreth zëvendësimit të tij: “Sot kam qenë sëmurë. Ishte e vështirë të luaja me mendje të kthjellët. Nuk isha mirë mendërisht, më merreshin mendtë dhe kjo u pa te gabimi në dyluftimin me Sancho.
Kovac për Sky Sport…
…rreth ndeshjes: Mendoj se bëmë një ndeshje fantastike. Në pjesën e parë e kishim ndeshjen në dorë, në pjesën e dytë e kishte Dortmund. Pastaj i lejuam të na kundërsulmonin, këto gjëra nuk duhet të na ndodhin.
…rreth paraqitje së skuadrës: “Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e djemve. Kjo ishte ndeshja jonë më e mirë. Le të vazhdojmë kështu.
…rreth renditjes: “Shtatë pikë duken shumë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur.
Reus për Sky Sport…
…rreth ndeshjes: “Nuk kishim guxim në pjesën e parë. Nuk arritëm të futeshim në lojë. Bayern ka ushtruar shumë presin, por në pjesën e dytë kemi rifituar vetëbesimin. Sot ishte një ndeshje fantastike.”
…rreth rolit të tij te BVB: “Ne jemi një skuadër. Të gjithë mundohen për njëri-tjetrin. Ndihem mirë dhe po luaj në pozicionin tim të preferuar. Por sot kam humbur dy-tre raste të pastra, që do të kishin qenë shumë të rëndësishëm.”
…rreth zëvendësuesve të BVB: “Trajneri ka një dorë të artë, por edhe lojtarët që futen japin gjithmonë 100%. Padyshim që është një avantazh për ne.
…rreth gjendjes së kampionatit: “Avantazhi nuk ka rëndësi pasi Bayern është shumë i fortë. Është shumë herët për të folur për titull pasi edhe Gladbach nuk po fle gjumë.”
Favre për Sky Sport…
…rreth ndeshjes: “Ishte një ndeshje e çmendur. Bayern e nisi shumë mirë. por kisha ndjesinë se nuk do ta mbanin gjatë tempin e 30 minutave të para. Fatmirësisht disavantazhi ishte minimal pas pjesë së parë. Kemi reaguar në mënyrë fantastike.”
…rreth rolit të favoritit në Bundesliga: “Duhet të korrigjojmë shumë gjëra, sidomos te kundërsulmet. Kemi shumë për t’u përmirësuar.”