Përmbytet sërish Lezha, qyteti izolohet nga uji

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar sërish përmbytje në qytetin e Lezhës mbrëmjen e djeshme. Qyteti është kthyer në një pellg të madh uji, ku janë përmbytur të gjitha rrugët. Sipas burimeve, rrugët dhe blloqet e banimit “11 janari” si dhe 11.2 hektarë janë mbuluar nga vërshimi i ujit. Për pasojë janë bllokuar hyrjet e pallatave, pasi niveli i ujit ka arritur në 40 cm. Situata sa vjen dhe përkeqësohet, ndërsa banorët kanë kërkuar ndihmë nga qeveria.
Ende pa u tërhequr uji nga reshjet e para dy ditëve, dje situata është përkeqësuar sërish. Dhjetëra shtëpi në Njësinë Administrative të Zejmenit janë të rrethuara nga uji, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore të përmbytura. E vetmja mënyrë për të lëvizur banorët është zbathur ose me mjete të rënda, pasi niveli i ujit në rrugë dhe oborret e shtëpive i kalon të 40 cm.
Banorët thonë se, është hera e tretë që përmbyten brenda tre javëve, ndërsa vërshimi i ujit u ka shkaktuar shumë dëme. “Jemi munduar t’i shpëtojmë të gjitha pajisjet, frigoriferin, lavatriçen, por pa ia arritur qëllimit, sepse shtëpia u mbush me ujë”, shprehet një banore.
Një ditë më parë në zonat e përmbytura ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike të Lezhës, Paulin Marku, i cili u njoh nga banorët me situatën e krijuar. “I bëj thirrje të gjitha institucioneve qëndrore e lokale që të marrin seriozisht këtë lloj shqetësimi. Kryeministri Rama para dy ditëve ishte në Troshan, kishte një takim me fermerët. Unë nuk do ta komentoj politikisht, pasi jemi në një situatë tepër delikate për familjarët në rrethin e Lezhës, por për fermerët, ai duhet të mbajë një qëndrim, sepse sot kanalet kryesore janë pa kullim”, u shpreh Marku.
Përmbytje të mëdha janë bërë edhe në zonën fushore. Tokat bujqësore të Zadrimës, Torovicës dhe Bregut të Matit janë nën ujë. Edhe në fshatrat e Zejmenit dhe Blinishtit situata është mjaft kaotike.
Në fshatin Gajush, shumë banesa janë nën ujë, ku niveli arrin deri në 50 cm. Paraditen e djeshme u bllokua dhe lëvizja, pasi rrugët u mbuluan nga uji. Banorët thonë se, asnjë përfaqësues i pushtetit qëndror nuk ka shkuar për ta parë situatën. “Asnjë qeveritar nuk ka ardhur. Jemi në gjendje të rëndë”, thonë banorët.

Artikulli paraprakBetejë deri në rrëzimin e kartelit Rama të drogës
Artikulli tjetërLimaj-Ramës: S’mundesh me qenë patriot në Beograd kur po shkatërron vendin tënd