Përkundër kërkesës së përsëritur të Bashkisë së Shkodrës, duket se qeveria mbetet e vendosur për të mos shpallur gjendjen e pjesshme të emergjencës në zonat e prekura nga përmbytjet.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, numri dy i qeverisë Senida Mesi teksa evidentoi faktin se kryeqendra e veriut prej rreth 3 javësh po “lëngon” nën ujë, lajmëroi shtimin e forcave në terren dhe ndihmave ushqimore por edhe ujit të pijshëm për banorët.
Ky vendim u quajt “turp i madh” dhe “nëpërkëmbje për qytetarët dhe insitucionet vendore të Shkodrës nga kryebashkiakja Voltana Ademi.
“Jam e detyruar t’u jap një lajm jo të mirë: Qeveria shqiptare e refuzoi zyrtarisht kërkesën tonë për shpalljen e emergjencave civile. Këmbëngulja jonë 15 ditore, rezoluta unanime e Këshillit Bashkiak të Shkodrës fatkeqësisht nuk u morën parasysh nga qeveria në Tiranë. Me keqardhje më duhet ta pohoj publikisht se vendimi i sotëm, është një tjetër konfirmim i trajtimit diskriminues që qeveria i bën Shkodrës dhe qytetarëve të saj”, u shpreh ajo.
Në një deklaratë për median zonja Ademi tha se vendimet e marra nga Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile në fakt, janë vetëm përsëritje e asaj, që të gjithë bashkë po kërkojmë dhe po bëjmë prej 3 javësh në territor: “Të shtohet furnizimi me bazë ushqimore për banorët dhe ujë të pijshëm; të shtohet furnizimi me bazë ushqimore për gjënë e gjallë si dhe të shtohen forcat në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve sipas nevojave të tyre. Edhe këto gjoja vendime, janë vetëm një tallje për banorët në zonat e përmbytura” .
Lajmi tjetër që për Ademin kishte “shije të hidhur” ishte fakti se, “këtë përgjegjësi të rëndë refuzuese të një të drejte legjitime të banorëve në zonat e përmbytura, ia lanë një bashkëqytetareje, e zgjedhur deputete edhe me votat tuaja. Këtë herë Shkodrën qeveria ka vendosur ta dënojë duke përdorur një shkodrane”.
Dajçi dhe Ana e Malit, dy prej zonave më të goditura nga përmbytjet
Zona e Nën-Shkodrës vijon të përballet me situatë të vështirë, ndërsa sipërfaqja e përmbytur këtë të mërkurë shkoi rreth 5 mijë hektarë. Dajçi e Oboti janë zonat më të prekura, ku banorët thuajse janë dorëzuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit. Ndërkohë Qeveria dhe Bashkia e Shkodrës u përplasën sërish sot, pas vendimit për të shtuar mbështetjen dhe praninë e ushtarëve në zonat e përmbytura, por pa shpallur gjendjen e emergjencës.
Banorët e Nën-Shkodrës dhe forcat e ushtrisë bënë roje gjithë natën, pasi prurjet e fuqishme e kanë dëmtuar rëndë argjinaturën e Pentarit në njësinë administrative të Dajçit.
Mëngjesin e kësaj të mërkure nën ujë ishin rreth 5 mijë hektarë tokë dhe disa qindra shtëpi të izoluara.
Banorët e Dajçit po mundohen të shpëtojnë çfarë të mundën nga shtëpitë, si dhe gjënë e gjallë.
Por përballë nivelit të ujit janë të pafuqishëm.
Në Obot prej ditësh, lëvizet vetëm me varka. Banorët kërkojnë reagim të qeverisë dhe të mundësojnë sigurimin e bazës ushqimorë për bagëtitë.
Banori: Kam dele, qingja, dhi dhe ishalla s’po shtohet më të m’i kapë.
Parashikimet nuk janë optimiste dhe shpresa e vetme e këtyre banorëve është që niveli i ujit të mos rritet më shumë, pasi në të kundërt situata do të shkojë e ngjashme me vitin 2010 dhe 2011.