Dje u mbush një vit nga protestat e mbështetësve të Presidentit Trump në Capitol Hill, pra në Kongresin amerikan. Ata dolën sepse besonin se u ishin vjedhur zgjedhjet. Por protesta degradoi në dhunë dhe viktima.
Dhuna në protestë bëri që edhe ata pak njerëz që mbështetën të drejtën e Presidentit Trump për transparencë të votimit dhe numërimit, të tërheqin përkrahjen ndaj tij dhe të unifikohen në një qëndrim të vetëm: rezultati i zgjedhjeve është i çertifikuar dhe askush nuk mund ta vërë në diskutim atë.
Duke iu drejtuar gjuhës dhe mjeteve të forcës, Presidenti Trump humbi edhe ata mbështetës të fundit që i kishin mbetur në lidershipin republikan në Senat dhe Dhomën e Ulët. Edhe mbështetës të flaktë të tij si analisti i njohur konservator Tucker Carlson e braktisën.
Pse? Sepse politika dhe debati politik janë shpikur për të shmangur pushtetit të dhunës dhe për t’iu drejtuar pushtetit të arsyes dhe argumentit. Politikanët e dinë shumë mirë në momentin që politika u drejtohet mjeteve të dhunës, nuk janë më ata që drejtojnë por profesionistët e dhunës. Kjo është arsyeja përse të gjitha vendet demokratike kanë shmangur rolin e ushtrisë në çështjet e brendshme dhe kanë vënë kontroll të rreptë ligjor e institucional mbi ushtrinë dhe policinë.
Tucker Carlson e shpjegoi vetë qëndrimin e tij: Dhuna politike pjell dhunë politike. Ky është ligj i hekurt. Ne duhet të jemi kundër kësaj, pavarësisht se kush e kryen dhunën apo me çfarë preteksti, sado demagogë me interesa personale të na sigurojnë se dhuna është e justifikuar apo e nevojshme. Ne kemi për detyrë t’i kundërshtojmë të gjitha këto, jo vetëm sepse dhuna politike vret fëmijët e të tjerëve, por sepse në fund nuk funksionon.
Të thërrasësh njerëzit që të protestojnë kundër një partie politike e aq më tepër t’u ngarkosh detyrën konkrete të marrjes së kontrollit të një ndërtese, largimit prej saj të disa njerëzve që nuk pranojnë të largohen sepse besojnë se janë në të drejtë, është të bësh thirrje për dhunë.
Për t’i shtuar dhimbjes turp, të paralajmërosh zbarkimin e ekipeve dhe pajisjeve teknike për të shkallmuar dyert e PD është të pranosh hapur se ky është një plan për pushtim dhe marrje të kontrollit me dhunë. Me masa të tilla, grupime kaq të radikalizuara mund të marrin çdo institucion nëse besojnë se atyre u është hequr pandershmërisht e drejta për të ardhur në pushtet.
Thirrjet për të marrë selinë e Partisë Demokratike me dhjetëra mijëra njerëz, ekipe të specializuara për shkallmimin dyerve dhe teknikës përkatëse janë preludi i një grushti në pallat. Përpara një mundësie të tillë Lulzim Basha ka dy mundësi. E para, të thërrasë edhe ai mbështetësit e tij që në ora 10 të rrethojnë dhe mbrojnë selinë e PD, gjë që do të prodhonte përplasje mes demokratëve. E dyta, t’u drejtohet organeve të rendit për t’u kërkuar të marrin masat për ta penguar grushtin në pallat.
Kompleksi i PD për të mos iu drejtuar policisë është një marrëzi e vërtetë. Ne nuk jetojmë në një shtet paralel dhe policia ka detyrim kushtetues të mbrojë rendin dhe sigurinë publike, pronën dhe jetën e qytetarëve. Politizimi dhe përdorimi i saj në masë të gjerë për të manipuluar zgjedhjet dhe për qëllime partiake të regjimit, nuk e zhvesh atë nga detyrimi për të penguar skenarë të tillë destabilizues.
Argumentat tribalë se nuk ka punë policia aty në kohën që vetë ata që i tregojnë vendin policisë paralajmërojnë se ata që gjenden në seli do të përjashtohen nga trajtimi njerëzor nuk do ta justifikojnë nesër dështimin e policisë së shtetit për të ndalur skenarin e dhunës.
Ne duhet të jemi sot kundër dhunës, të gjithë shqiptarët, edhe ata që sot mund të shohin tek ky konflikt mundësinë për të shëruar zemërimin e tyre për padrejtësitë që mund të kenë pësuar nga politikanë të Partisë Demokratike. Ata që sot hapin me dhunë dhe me ekipe speciale dyert e Partisë Demokratike, janë në gjendje të bëjnë shumë më shumë se kaq.
Pjesë e këtij qëndrimi kundër dhunës duhet të jetë edhe përgjigjja e qartë dhe institucionale e Partisë Demokratike: PD nuk mund të pranojë përplasjen e demokratëve mes tyre as nuk është një organizatë paramilitare për t’u mbrojtur nga dhuna e organizuar. Është detyrë e organeve të rendit të garantojnë paprekshmërinë e selisë dhe zyrtarëve të PD.