Nga Ermal Peçi
Ditën e djeshme Fredi Beleri u dënua me 2 vite heqje lirie nga Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar. Për natyrën time edhe frymën patriotike që jam rritur në familje jam munduar ta shikoj shumë ftohtë këtë ngjarje. E kam parë shumë ftohtë edhe pse në këtë fushatë është përfshirë edhe një djalë që unë e njoh, Skerdjan Dhuli. E njoh si demokrat por edhe si shqiptar të mirë, i cili në këtë betejë u rreshtua krah Belerit në zgjedhjet e 14 majit, për të mundur Ramën në bashkinë e Himarës. Që në momentin kur u shpall kandidat Beleri, nga dyshja politike Berisha-Meta kam shprehur opinionet e mia kundër kësaj zgjedhje në mediumet ku unë kam pasur mundësi të shprehem.
Beleri është një personazh i cili ka shumë dritë-hije nga Masakra e Peshkëpisë në vitin 1994, ku një grup terrorist grek, sulmoi një pikë kufitare në Gjirokastër dhe mbeti i vrarë roja, e komandanti i saj, tek dalja me flamurin e Vorio-Epirit.Por edhe tek trazirat e vitit 2001 ku një grup kokëpalarësh bërtisnin Himara është Greqi. Mjaftojnë vetëm këto që parashtrova për të kuptuar që Fredi Beleri, nuk ishte dhe nuk është zgjidhja për Himarën. Shqetësuese nuk janë vetëm këto dritë-hije që atë e rrethojnë por është investimi i drejtpërdrejtë i Athinës zyrtare tek ky personazh lokal. Fredi Beleri nuk është as dashnor i filozofisë helene, as ndonjë dashnor i penës, si edhe është shumë larg portretit të intelektualit, që Athina të ketë sytë e shpëtimit të helenizmit tek ky personazh. Fakti që gjithë klasa politike greke ka zbarkuar në Tiranë për të takuar Belerin, Janullatosi vetë ka bërë takim me Fredi Beleri, media greke ishte dje e fokusuar mbi procesin që po ndodhte në dyert e GJKKO-s dhe prezenca e përfaqësuesit të ambasadës greke tregon për rëndësinë që ka ky personazh për Greqinë.
Po pse është kaq i rëndësishëm Beleri, për Athinën?!
Përgjigja është e thjeshtë, ju shërben interesa greke në Shqipëri, është mashë e interesave të tyre në Shqipëri. Fjalët e George Washington që “Lidhja e pasionuar e një kombi pas një kombi tjetër, sjell një mori me të këqija” do të duhet ta lexoj çdo shqiptar që mbështet Belerin. Për interesa ekspansioniste por edhe Mega Idesë e cila është platformë ekstrimist, shovinist dhe fashist e nacionalistëve grekë për shtrirjen e shtetit të quajtur Greqia edhe jashtë kufijve ekzistues shtetërore. Himara prej kohësh është target i politikës së jashtme greke për ta helenizuar apo për ta pasur si Kalin e Trojës në Shqipërinë. Keqqeverisja që i është bërë Shqipërisë 33 vite nga Rama, Berisha, Meta, ka deformuar strukturën sociale edhe konstruktin e atdhedashurisë për Shqipërinë. Varfëria e madhe ka gjetur zgjidhje tek emigracioni në Greqi edhe tek pensionet greke edhe për këto arsye, shumë prej qytetarëve në Himarë bërtasin që Himara është Greqi edhe jo Shqipëri.
Por asgjë nuk e justifikon këtë mbështetje që i jepet Belerit në këto momente. Ai nuk ka fuqi të ndalojë as vjedhjen e pronave që po i bëhet himarjotëve, as nuk mund të jetë garantori i ndalimit të saj sepse oligarkët që po ndërtojnë në Himarë janë zgjatimi i Berishës i cili e mundësoi kandidimin e tij në koalicionin Bashkë Fitojmë, por zgjedhja e tij nuk i shërben as Himarës në kontekstin kombëtar. Këtë e kam këshillë për çdo qytetar që mbështet Belerin përpara se të mendoni lokalisht për një bashki mendoni për Shqipërinë. Sa herë t’ju jepet mundësia, duhet të zgjidhni Shqipërinë përpara partisë por edhe qëllimeve politike, të cilat mund të jenë pragmatiste në terma personal. Por në terma afatgjatë mund të jenë shumë të dëmshme për Shqipërinë.