Pavarësisht doganave të reja ndëshkuese, Kina dhe SHBA vazhdojnë bisedimet për grindjen tregtare. Mysafirët nga Pekini bëjnë thirrje për të qenë të arsyeshëm e i dorëzojnë “një letër të bukur” presidentit Trump.
Zëvendëskryeministri kinez, Liu He shpreson për një “shkëmbim të hapur dhe të arsyeshëm mendimesh”, siç është shprehur ai. Në fillim të takimeve dyditore në Uashington, ai bëri më se të qartë, se shpreson tek ujdia. Rritja e doganave nuk është zgjidhje, sipas tij.
Ndërkohë SHBA forcojnë presionin ndaj Kinës. Nga mëngjesi i të premtes, sipas të dhënave të autoriteteve amerikane do të ngrihen me 25% doganat për produkte të caktuara kineze në vlerë 200 miliardë dollarë. Më parë doganat e importit ishin vetëm 10%. Qeveria në Pekin bëri të ditur në një reagim të parë se do të ketë “kundërmasa të nevojshme”.
Tregjet nervozohen
Raundin e parë të bisedimeve të dyja vendet e përfunduan të enjten (09.05.). Të premten bisedimet vazhdojnë. I ngarkuari amerikan për tregtinë, Robert Lighthizer dhe ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin kanë zhvilluar konsultime me presidentin Trump për ecurinë e bisedimeve me palën kineze.
Ndërkohë Trump e cilësoi si të mundur që grindja tregtare, e cila gjithnjë e më shumë po nervozon tregjet financiare, të marrë fund që këtë javë. Ai ka marrë “një letër të bukur” nga presidenti kinez, ka thënë Trump, ku nënvizohet, se të dyja palët duhet të bashkëpunojnë e të shohin nëse do ta arrijnë rezultatin.
Kina u heq vizë kërkesave kryesore amerikane
Deri në fundjavën e shkuar kishte mjaft sinjale për ujdi mes palëve në grindjen tregtare. Por në fund pati një përplasje të fortë për formulimet e një drafti të marrëveshjes. Funksionarë të lartë amerikanë kanë bërë të ditur, se Kina u tërhoq gati në të gjitha pikat.
Në draftin 150 faqesh, Pekini kishte fshirë sistematikisht pasazhe që ishin kërkesat kryesore të palës amerikane. Këtu bënte pjesë hapja e tregut kinez, mbrojtja më e mirë nga pirateria dhe më pak burokraci në transferimin e teknologjisë në Republikën e Kinës. “Ata e rinegociuan marrëveshjen”, tha Trump të enjten. “Këtë nuk mund ta bësh”.
Para përkrahësve në Florida, presidenti Trump akuzoi Kinën për vjedhje të punës të amerikanëve. Këtë SHBA nuk do ta pranojë, tha Trump.