Përplasja e dy automjeteve në hyrje të qytetit të Vlorës, ka shkaktuar plagosjen rëndë të një 26-vjeçareje, ndërsa momentet fill pas aksidentit kanë qenë të mbushura me tension. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale duket vajza që nxirret nga makina, ku dëgjohen të bërtitura dhe thirrje për ndihmë: “Kush ka ujë, na duhet një bidon me ujë?”
Situata tensionohet më shumë kur bëhet thirrje që vajza të nxirret sa më shpejt, pasi makina po merr flakë. “Mori flakë makina po nxirreni shpejt!” Policia e Vlorës bëri me dije se, aksidenti ndodhi rreth orës 17:50, në hyrje të Vlorës, pranë vendit të quajtur “Pusi i Mezinit”, ku automjeti tip “Nisan” autoveturë, me targë AA 879 JX, me drejtuese shtetasen J.L., 26 vjeçe, banuese në Vlorë, është përplasur me një mjet tjetër “Nisan” karoceri, me targë AA 294 MZ, me drejtues shtetasin Xh.Sh., rreth 45 vjeç, banues në Vlorë.
Për pasojë është dëmtuar rëndë shtetësja J.L, e cila ndodhet në Spitalin e Vlorës, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër, 45-vjeçari Xh.Sh është shoqëruar në polici për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Blutë e qytetit bregdetar vijojnë ende hetimet për ngjarjen.
Ndërkohë, një aksident ku janë përfshirë 5 makina ka ndodhur mesditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Përplasja e mjeteve ka ndodhur në kilometrin e 7-të. Sipas burimeve paraprake bëhet me dije se arsyeja ka qenë shpejtësia e lartë dhe mos respektimi i distancës nga ana e mjeteve të përfshira në aksident.