Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Dimal-Lushnje, disa metra larg rreth-rrotullimit të Poshnjes.
Në aksident janë përfshirë një automjet policie dhe një Mercedez, ndërsa si pasojë e përplasjes së fortë, janë plagosur 3 persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë është transportuar drejt spitalit të Traumës.
Nga raportimet e para mësohet se automjeti Benz me targa AA 780 DE, që drejtohej nga shtetasi Endri Zhuka, hynte në aksin nacional nga një rrugë dytësore fshati. Ndërkohë që makina e policisë e Patrrullës Rrugore, po ecte në aksin nacional, dy automjetet janë përfshirë në përplasje.
Si pasojë, të dyja mjetet janë rrotulluar në rrugë, ndërkohë janë plagosur rëndë drejtuesi i Benzit dhe 2 pasagjerët që ndodheshin me të. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Sipas mjekëve të Repartit të Urgjencës, drejtuesi i mjetit ka pësuar shembje të brendshme dhe për shkak të gjendjes së tij më të rënduar është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Në vendngjarje kanë shkuar edhe forca të shumta të policisë rrugore, që po kryejnë edhe ekspertimin e vendit të aksidentit, për të saktësuar edhe dinamikën e plotë të tij.