Përplasja e re mes Turqisë dhe BE

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha të martën se, Turqia duhet të përmbushë të gjitha kushtet e mbetura të marrëveshjes para se BE-ja të heqë vizat për qytetarët turq.
Komentet e tij erdhën një ditë, pasi kryeministri turk Ahmet Davutoglu paralajmëroi se, në qoftë se BE-ja nuk e miraton liberalizimin e vizave deri në qershor, atëherë Turqia nuk do t’i përmbahet zotimeve për të ndihmuar në frenimin e valës masive të emigrantëve në Evropë.
Zoti Davutoglu tha se mendon se nuk do të ketë problem, por theksoi se marrëveshja BE-Turqi është e përbashkët dhe se zbatimi i saj do të ishte i paimagjinueshëm për vendin e tij në qoftë se edhe Evropa nuk bën të njëjtën gjë.
Zoti Juncker i tha Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës se që nga 18 marsi kur marrëveshja hyri në fuqi, numri i migrantëve që kalojnë detin nga Turqia në Greqi ka rënë ndjeshëm. Por ai tha se, BE-ja nuk do të nxitojë për lehtësimin e procesit të vizave me Turqinë.
“Liberalizimi i vizave është çështje kriteresh”, tha ai, “dhe nga kriteret nuk do të heqim dorë qoftë edhe në rastin e Turqisë”.
Evropa është përpjekur për t’iu përgjigjur valës së migrantëve që kanë ardhur në brigjet e saj vitet e fundit, shumica e të cilëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Organizata Ndërkombëtare për Migrimin thotë se, më shumë se 1 milion njerëz kanë zbarkuar në Greqi që nga fillimi i vitit 2015. Por kjo rrugë migrimi, një nga më të popullarizuarat, është kundërshtuar nga qeveritë që nuk duan njerëz shtesë dhe kanë marrë masa për të bllokuar kufijtë e tyre.
Marrëveshja BE-Turqi  i bën thirrje Turqisë të bllokojë nisjen e migrantëve në rrugët detare dhe t’i marrë përsëri ata që arrijnë në Evropë në mënyrë të paligjshme. Në këmbim, Turqia do të marrë ndihma dhe përfitime të tjera, siç është udhëtimi pa viza në BE për qytetarët e saj.
Komisioni Evropian njoftoi një tjetër shumë prej 68 milionë dollarësh si ndihmë për migrantët e kthyer nga Greqia në Turqi, si dhe 56 milionë dollarë për miliona refugjatë sirianë që kanë ikur në Turqi për t’i shpëtuar luftës civile pesë-vjeçare në vendin e tyre. Një ndihmë e veçantë emergjente prej 94 milionë dollarësh po dërgohet në Greqi për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për refugjatët atje.

Exit mobile version