Përplasja e Rusisë me Perëndimin ka të bëjë me gjeografinë, jo me ideologjinë

Në daçën e tij, duke qëndruar përpara një harte të Bashkimit Sovjetik të sapozgjeruar menjëherë pas dorëzimit të Gjermanisë në majin e 1945, Josif Stalini tundi kokën i pakënaqur. Barriera e gjerë që kishte nxjerrë nga Europa Lindore e pushtuar prej sovjetikëve do ta mbronte tani perandorinë e tij ndaj Napoleonëve dhe Hitlerëve të ardhshëm. Stalin hoqi llullën nga goja, duke e tundur drejt rrëzës së Kaukazit. Tundi kokën dhe shfryu. “Nuk më pëlqen kufiri këtu”, u tha ndihmësave të tij, duke treguar zonën ku republikat sovjetike të Gjeorgjisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit takoheshin me fuqitë armiqësore të Turqisë dhe Iranit. Gjatë një viti e gjysmë në vazhdim, marrëdhëniet amerikano–sovjetike do të kolapsoheshin teksa Stalini i ushtronte presion Ankarasë dhe Teheranit për lëshime territoriale dhe Presidenti amerikan Harry S. Truman u kundërpërgjigj, duke dërguar një flotë detare në Mesdhe. Në shkurt të 1947, një Britani e katandisur keq i tha Departamentit të Shtetit se nuk mund ta mbronte më qeverinë greke në luftën civile të saj me rebelët komunistë e mbështetur nga jugosllavët, duke e nxitur Truman që t’i premtonte ndihmë ekonomike dhe ushtarake amerikane për Athinën dhe Ankaranë. Stalini, vendi i të cilit po luftonte për ta marrë veten nga shkatërrimet naziste, u tërhoq në mbrojtje. Qëllimi i tij tani do të ishte që të mbante zonën e re të sigurisë në Europën Lindore dhe t’i ndalonte Shtetet e Bashkuara nga kontrolli i armikut të përbetuar sovjetik: Gjermanisë. Në marsin e 1947, Sekretari i ri i Shtetit, George C. Marshall hyri në një seri 6 javëshe cfilitëse negocimesh në Moskë me homologun e tij sovjetik, Vyacheslav Molotov rreth të ardhmes së Gjermanisë të pushtuar. Me asnjërën nga palët të gatshme që të pranonte mundësinë e një vendi të tillë të rrezikshëm strategjik nga pikëpamja e vendndodhjes që të mos bëhej aleat i palës tjetër, bisedimet përfunduan në ngërç. Megjithatë, Stalini ende besonte se Truman në fund do të detyrohej që ta pranonte bashkimin gjerman sipas termave sovjetike – reparacione masive dhe një strukturë politike e favorshme për komunistët – me qëllim që të përmbushte premtimin e paraardhësit të tij Franklin D. Roosevelt për t’i larguar trupat amerikane nga Europa brenda 2 vitesh pas përfundimit të luftës.

Marshall e la Moskën i bindur se bashkëpunimi me sovjetikët kishte mbaruar. Gjermania dhe pjesa më e madhe e Europës Perëndimore po shkonte drejt një kolapsi ekonomik e social dhe marksiste leniniste “sa më keq, aq më mirë” dukej se ishte përgjigja e Stalinit. Kishte ardhur koha, vendosi Marshall, për veprim unilateral amerikan që të sigurohej qeverisja demokratike kapitaliste në pjesët e Europës akoma jashtë kontrollit sovjetik. Në një fjalim të paharruar në Harvard University më 5 qershor 1947, ai paraqiti skeletin e atij që do të bëhej një skemë ndihme masive 4-vjeçare amerikane në mbështetje të rindërtimit dhe integrimit europian: Planit Marshall. Stalini e denoncoi planin si një komplot të ndyrë amerikan për të siguruar dominim politik dhe ushtarak të Europës. Ai kishte frikë se mos humbiste kontrollin jo vetëm të Gjermanisë, por edhe të Europës Lindore. Përpara lançimit të Planit Marshall, Stalini nuk kishte qenë kurrë dogmatik rreth formave të socializmit të ndjekura nga vendet brenda sferës sovjetike. Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia dhe Rumania, qenë lejuar të gjitha të formonin qeveri koalicionit në një mënyrë apo në një tjetër. Kërkesa e tij kishte qenë besnike me politikën e jashtme të Moskës. Shpejt, kjo gjë do të ndërronte. Nga fundi i 1948, Stalini i kishte kooptuar apo i kishte shtypur elementët e mbetur jokomunistë në qeveritë e Europës Lindore. Truman kishte dashur ta përdorte Planin Marshall si një mjet për të reduktuar komplikacionet e sigurisë amerikane në Europë, por Departamenti i Shtetit i kishte kushtëzuar 13.2 miliardë dollarët (më shumë se 135 miliardë me dollarët e sotëm) në grante për përfituesit që i integronin ekonomitë e tyre, duke u lënë atyre që të objektonin se humbja e mbajtjes me forcat e tyre do t’i bënte më të brishtë ndaj ngacmimeve dhe kërcënimeve sovjetike (dhe gjermane). Kështu që Presidenti ju nënshtrua kërkesave franceze e britanike që ndihmës së Marshallit t’i jepej një shoqërim ushtarak. Më 4 prill të 1949, një vit pas nënshkrimit të legjislacionit të ndihmës Marshall, Truman nënshkroi marrëveshjen themeluese të North Atlantic Treaty Organization (NATO).

Në muajin në vazhdim, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca pranuan Kushtetutën për një shtet të ri gjermanoperëndimor. Sovjetikët u përgjigjën me krijimin e shtetit të tyre gjermanolindor në tetor. Kufijtë europianë të Luftës së Ftohtë do të qëndronin të ngrira për 40 vitet e ardhshme. 4 dekada më vonë, më 9 nëntor të 1989, turma frenetike gjermanolindore u mblodhën në Murin e Berlinit, duke thirrur “Tor auf!” (“Hape portën!”). Kur një roje kufiri i frikësuar dhe i hutuar e hapi, dhjetëra mijëra u derdhën në Perëndim. Miliona do të pasonin në ditët në vazhdim. Në Dresden 6 javë më pas, një turmë përshëndeti Kancelarin gjermanoperëndimor Helmut Kohl me thirrjet “Einheit! Einheit! Einheit!” (“Bashkim!”). Aty afër, një oficer 37-vjeçar i nervozuar, por i vendosur, i KGB-së kishte kaluar javë duke djegur male me dokumenta në pritje të sulmeve të mundshme ndaj zyrës prej turmave të zemëruara. Vëllimi i madh i hirit e shkatërroi furrën e ndërtesës. Vite më vonë, gazetarë rusë e intervistuan ish-oficerin lidhur me punën e tij në Gjermani. “Ne qemë të interesuar për çdo informacion rreth kundërshtarit kryesor”, shpjegoi Vladimir Putin. Ky kundërshtar, NATO, do të vazhdonte t’i obsesiononte liderët rusë në vitet në vazhdim.
Në fillimin e 1990, komunistët gjermanolindorë, në kolaps prej peshës së përbuzjes popullore dhe luftës së brendshme, qenë një forcë politikë e shuar dhe Sekretari i Përgjithshëm sovjetik, Mikhail Gorbachev kishte filluar që ta pajtonte veten me ribashkimin gjerman. Ajo çka ai ende kërkonte ishte që Gjermania e ribashkuar të mos ishte pjesë e Aleancës Atlantike. Anëtarësimi i vazhduar gjerman në NATO, u tha ai gazetarëve gjermanë dhe sovjetikë, duhej “përjashtuar absolutisht”.

Gorbachev dhe pasuesit e tij sovjetikë kanë theksuar se qenë mashtruar rreth faktit nëse aleanca duhej të zgjerohej drejt Lindjes. NATO, thoshte udhëheqësi sovjetik, ishte “një organizatë e konceptuar qysh nga fillimi që të ishte armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik”. “Çdo zgjerim i zonës së NATO-s”, i tha ai Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, James Baker, për pasojë do të ishte i “papranueshëm”. Megjithatë, kur Gjermania u ribashkua në tetor, ai qe i pafuqishëm ta ndalonte pjesën lindore që të dilte nga Traktati i Varshavës dhe të hynte në NATO. Me rënien e Gorbachev dhe të Bashkimit Sovjetik në 1991, Presidenti rus, Boris Yeltsin, vazhdoi që t’i mëshonte kësaj çështjeje me homologun e tij amerikan. Shtetet e Bashkuara, i tha ai Presidentit të atëhershëm Bill Clinton, po “mbillnin fidanët e mosbesimit” nëpërmjet shpalosjes së anëtarësimit në NATO para syve të ish-vendeve të Traktatit të Varshavës. Që një lider rus të “pranonte që kufijtë e NATO-s të zgjeroheshin drejt atyre të Rusisë”, i tha ai Clinton gjatë një takimi të vitit 1995 në Kremlin, “kjo do të përbënte një tradhëti të popullit rus”. Ministri i Mbrojtjes, Pavel Grachev i parashikoi liderët polakë se bashkëkombasit e tij e shikonin Aleancën si një “përbindësh të drejtuar kundër Rusisë”. Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Yevgeny Primakov, që më pas do të bëhej ministër i Jashtëm dhe Kryeministër, argumentonte se zgjerimi i NATO-s do të shkaktonte një qasje më të fuqishme mbrojtje ruse. “Kjo nuk është vetëm një çështje psikologjike për ne”, i këmbëngulte ai diplomatit amerikan, Strobe Talbott në 1996. “Është një çështje sigurie”. Këshilli në Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes i Moskës paralajmëronte se, zgjerimi i NATO-s do t’i bënte “shtetet Balltike dhe Ukrainën…. një zonë rivaliteti strategjik mjaft intensiv”.Rezistenca e Rusisë i la Clinton 2 opsione të arsyeshme.

Ai mund ta injoronte dhe të këmbëngulte në zgjerimin e NATO-s në mënyrë të fuqishme, sipas logjikës se “Rusia do të jetë gjithmonë Rusi” dhe do t’i ngacmonte e dominonte fqinjët e saj nëqoftëse nuk frenohej nga kërcënimi i forcës ushtarake. Ky ishte pozicioni republikan në atë kohë, i nënvizuar në “Kontratën me Amerikën” e partisë të vitit 1994. Opsioni tjetër ishte që të qëndrohej fort derisa sjellja ruse të tradhëtonte premtimet e saj për respektimin e sovranitetit të fqinjëve. Ky ishte pozicioni i George Kennan, ish-ambasadorit amerikan në Bashkimin Sovjetik. Por Clinton, duke qenë Clinton, zgjodhi opsionin e tretë, që ishte ai i zgjerimit të NATO-s me kosto sa më të ulët – sipas logjikës që aleanca nuk përballej me asnjë armik real. Në vitin 1996, Ronald Asmus, që shpejt do të bëhej një zyrtar me influencë i administratës Clinton, argumentonte se kostot e zgjerimit të NATO-s do të ishin modeste përderisa “premisa [ishte] shmangia e konfrontimit me Rusinë, jo përgatitja për një kërcënim të ri rus”. “A do të jemi realisht në gjendje që t’i bindim europianolindorët se po i mbrojmë, … ndërkohë që bindim rusët se zgjerimi i NATO-s nuk ka të bëjë aspak me Rusinë”, pyeste i habitur Senatori demokrat Sam Nunn në një fjalim përpara oficerëve ushtarakë. Talbott paralajmëronte në një memo të brendshme se “Një NATO e zgjeruar që përjashton Rusinë nuk do të vlejë për të frenuar impulset e prapambetura ekspansioniste të saj”. Përkundrazi, argumentonte ai, “do t’i provokonte më shumë ato”. Por Richard Holbrooke, i Dërguari Special i atëhershëm i Clinton në Ballkan, nuk e mori parasysh këtë paralajmërim. Shtetet e Bashkuara, shkruante ai në World Policy Journal më 1998, “Vite më pas… njerëzit do të hedhin sytë nga debati dhe do të habiten se për çfarë qe gjithë kjo zallamahi. Do të vërejnë se asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhënien e Rusisë me Perëndimin”.Holbrooke nuk kishte si të ishte më gabim. “Ne jemi angazhuar që të mbrojmë një seri të tërë vendesh”, i tha 94-vjeçari Kennan Tom Friedman, editorialistit të New York Times më 1998, “edhe pse nuk kemi as resurset, as qëllimin që ta bëjmë seriozisht një gjë të tillë”. Do të rezultonte se kishte të drejtë. Gambiti i Clinton do ta vendoste një NATO jo të mirëpajisur kundër një Rusie akoma edhe më të acaruar e më autoritare.

Disa ditë pasi Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia ju bashkuan NATO-s në marsin e 1999, Aleanca nisi një fushatë 3- mujore bombarduese kundër Serbisë, e cila, njëlloj si Rusia, është një shtet ortodoks sllav. Sulmet ndaj një vendi vëlla i tmerruan rusët e thjeshtë, sidomos përderisa nuk po bëhej në mbrojtje të një vendi anëtar të NATO-s, por për të mbrojtur popullsinë myslimane të Kosovës, në atë kohë krahinë serbe. Sulmet e NATO ndaj ish-Jugosllavisë – në Bosnje në 1995, si edhe në Serbi në 1999 – u ndërmorrën për qëllime fisnike: të ndalohej masakrimi i të pafajshmëve. Megjithatë, zgjerimi i NATO-s në vendet e ish-Traktatit të Varshavës nuk mund të garantonte aspak që rusët do ta shikonin në të njëjtën mënyrë. Moska e dinte se ish-vasalët e saj, nëpërmjet bashkimit me Aleancën, e kishin lidhur veten me mbështetjen e politikave perëndimore që sfidonin interesat ruse. Sa më në lindje të zgjerohej NATO, aq më kërcënuese do të bëhej.
Kjo u duk jashtëzakonisht e qartë, kur vendet anëtare të NATO-s filluan të ndërmarrin veprime armiqësore ndaj Rusisë, veprime që do t’i kishin ndërmarrë kurrë po të mos ishin brenda saj. Për shembull, në 2015 Turqia rrëzoi një avion luftarak rus që kishte shkelur hapësirën ajrore të saj nga Siria, ku po bombardonte kundërshtarë të regjimit të Bashar al-Assad. “Hapësira ajrore turke … është hapësirë ajrore e NATO-s”, i deklaroi kërcënueshëm Rusisë ministri i Jashtëm turk pas sulmit. Rusia mbajti shënim. “Tuqia nuk ka ngritur veten” si aktor, “por Aleancën e Atlantikut Verior në tërësi”, tha Kryeministri Dmitry Medvedev në një intervistë për revistën Time. “Kjo është jashtëzakonisht e papërgjegjshme”.
Në orvatjen për të siguruar rusët se NATO nuk përbënte kërcënim, administrata Clinton e kishte marrë si për të mirëqenë se interesat legjitime ruse, në një epokë që pasonte Gllasnostin dhe Perestrojkën, nuk do të përpasej me interesat me NATO-n. Por kjo pikëpamje presupozonte se Lufta e Ftohtë ishte shtyrë nga ideologjia dhe jo gjeografia. Halford Mackinder, babai i gjeopolitikës, do ta kishte shpërfillur këtë pikëpamje. Mackinder, që kishte ndërruar jetë në 1947, vitin që qenë shpallur Doktrina Truman dhe Plani Marshall, tërhoqi vëmendjen e politikëbërësve për centralitetin strategjik e “Tokëzemrës” të gjerë euraziatik, që dominohej nga Rusia. “Kush sundon Europën Lindore, komandon Tokëzemrën; Kush sundon Tokëzemrën, komandon Ishullbotën; Kush sundon Ishullbotën, komandon Botën”, shkruante ai në vitin 1919. Qenë idetë e Mackinder, dhe jo të Marksit, ato që shpjegonin më mirë Luftën e Ftohtë.

Frika e përjetshme e pushtimit e Rusisë e shtyn politikën e jashtme të saj atëhere dhe vazhdon ta bëjë njëlloj tani. “Në thelb të pikëpamjes neurotike të Kremlinit ndaj çështjeve botërore qëndron ndjenja tradicionale dhe instiktive e pasigurisë ruse”, shkroi Kennan në Telegramin e Gjatë të tij të 1946. E pafundme, pak e populluar dhe me sfida të mëdha transporti, Rusia ka një tendencë natyrale ndaj copëzimit. E parë nga jashtë, Rusia ishte një “tokë që nuk e ka njohur kurrë një fqinj miqësor”. Tipari dallues i saj ishte pamundësia e mbrojtjes. Asnjë vargmal apo trupë ujore nuk i mbron kufijtë perëndimorë të saj. Për shekuj me radhë, ajo ka pësuar pushtime të përsëritura. Ky reliev dhe kjo histori ka inkurajuar shfaqjen e një lidershipi tejet të centralizuar dhe autokratik i obsesionuar me sigurinë e brendshme e të jashtme. Komunistët kanë qenë thjesht një varietet i një lidershipi të tillë, të veçantë në epokën që u shfaqën.
Kufijtë perëndimorë të vendit kanë qenë gjithmonë jashtëzakonisht të cënueshëm. Masa tokësore perëndimore europiane e kufijve të Rusisë përbën një gadishull të madh që rrethohet nga Deti Balltik dhe Deti i Veriut në Veri, Oqeani Atlantik në Perëndim dhe Deti i Zi në Jug. Në kontrast, Rusia ka pak pika detare. Oqeani Arktik është larg nga qendrat e saj të populluara. Portet e pakta të vendit në pjesën më të madhe të tyre janë të papërdorshëm në dimër. Ujërat turke në Jug, ashtu si ujërat nordike në Veri, mund të bllokohen lehtësisht. Gjatë Luftës së Ftohtë, bazat ajrore norvegjeze, britanike dhe islandeze e pengonin gjithashtu aksesin rus në det.
Por probleme të tilla nuk qenë të kufizuara vetëm në shekullin e XX-të. Në gjysmën e dytë e shekullit të XIX-të, Rusia kishte qenë frenuar nga Franca dhe Britania — në Ballkan, Lindje të Mesme, Indi dhe Kinë – shumë kohë përpara Kennan ta bënte “frenimin” një fjalë familjare. Opsionet mbrojtëse të saj qenë të kufizuara, doktrina ushtarake e saj historikisht kishte qenë sulmuese. Ajo kishte kërkuar që të dominonte fqinjët e saj si një mjet për parandalimin e kufijve që të përdoreshin kundër saj prej fuqive të tjera. Ndërsa Perëndimi e shikon frikën e Rusisë ndaj pushtimit si të pabazuar, historia u ka treguar udhëheqësve rusë se qëllimet e huaja janë zakonisht të fshehta ose fluide. Çdo epokë sjell një kërcënim të ri ekzistencial; do të ketë gjithmonë një Napoleon apo një Hitler tjetër.
Pas Luftës së Dytë Botërore, nga perspektiva e Kremlinit, kërcënimi ishte rrethimi kapitalist i drejtuar nga Uashingtoni dhe kukulla e tij gjermanoperëndimore. Inkorporimi i Ukrainës e Bjellorusisë (1922), vendeve Balltike (1940) në Bashkimin Sovjetik dhe krijimi i shteteve barrierë më në lindje, e fuqizuan sigurinë e Rusisë ndaj asaj të Perëndimit. Në vitin 1949, ndarja e kontrollit të Gjermanisë krijoi një ekuilibër të qëndrueshëm, ekuilibër që mbijetoi për 4 dekada. Megjithatë, sapo Moska e humbi kontrollin e Berlinit në 1989, kufiri mbrojtës i Rusisë ra, duke e detyruar që të tërhiqej në kufij më në Lindje sesa kishin qenë qysh nga shekulli i XVIII-të.

Në fjalimin e tij të 2005 për gjendjen e kombit, Presidenti rus Vladimir Putin, ish-oficeri i KGB-së që kishte qenë në vijat e para të përpjekjeve të fshehta të Moskës kundër NATO-s gjatë viteve ’80, e përshkroi rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike” e shekullit të XX-të. Pjesën më të madhe të mandatit të tij si president i qe kushtuar rivendosjes së elementëve të hapësirës ekonomike dhe të kufirit të sigurisë së Bashkimit Sovjetik përballë zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Europian, si edhe parandalimit të pjesëve përbërëse të perandorisë së vjetër sovjetike nga minimumi i interesave të Rusisë së sotme.
Ndërsa konfliktet ushtarake në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë u janë atribuar përpjekjeve agresive të Kremlinit për të ringritur elementë të perandorisë sovjetike, është e njohur se Rusia nuk ka aneksuar asnjë prej rajoneve separatiste – me përjashtim të Krimesë, e cila strehon Flotën ruse e Detit të Zi. Arsyeja nuk është thjesht mohimi, por gjithashtu edhe fakti që aneksimi i territoreve proruse do t’i kishte fuqizuar forcat properëndimore në pjesët e mbetura e secilit vend. Aneksimi do ta minonte objektivin parësor të Rusisë, që po i mban vendet jashtë sferës së institucioneve perëndimore që duket se kërcënojnë interesat ruse. Prania e konflikteve të ngrira në të 3 vendet praktikisht i bllokon ata nga hyrja në NATO. Aleanca i ka refuzuar gjithmonë vendet aspirante me probleme kufitare të pazgjidhura, konflikte të brendshme territoriale dhe kapacitete të pamjaftueshme ushtarake për të siguruar një mbrojtje të besueshme kombëtare.
Në rastet e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, sinkroni i ndërhyrjeve ruse përkoi me arritjet e kritereve të prekshme të këtyre vendeve në rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Territoret e kombinuara separatiste, nën kontrollin efektiv rus, tani formojnë një hark të vyer mbrojtës përgjatë kufirit perëndimor dhe jugperëndimor të Rusisë. Ashtu si Stalini e fuqizoi barrierën mbrojtëse e Bashkimit Sovjetik në kundërpërgjigje të Planit Marshall, të cilin ai priste Uashingtonin që ta plotësonte me forcë ushtarake, edhe Putini e ka fuqizuar barrierën mbrojtëse e Rusisë në kundërpërgjigje të zgjerimit të NATO-s.

Pikëpamjet e Putinit ndoshta janë kapur më mirë nga një bisedë që ai pati me ish-Presidentin izraelian Shimon Peres pak përpara vdekjes së tij, në 2016. “Për çfarë e duan [amerikanët] NATO-n?”, kujton Peres, që ta ketë pyetur ai. “Cilën ushtri duan të luftojnë? Ata mendojnë se unë nuk e di që Krimea është ruse dhe se Khrushchev ia dha Ukrainës si dhuratë? Nuk e vrava mendjen, deri kur ju donin ukrainasit në NATO. Për çfarë? Unë nuk i preka ata”.
Këtu nuk janë as fjalët e një ideologu, as nuk janë reflektim i një lideri rus jashtëzakonisht mizor. Në fund të fundit Gorbachev, jo tifoz i Putinit, mbështeti si aneksimin e Krimesë, ashtu edhe aksionin ushtarak rus në Gjeorgji. Perëndimi, shkruan ai në kujtimet e tij, ka qenë “i verbër ndaj llojit të ndjenjave të shkaktuara në Rusi prej ekspansionit të NATO-s”.
Liderët perëndimorë nuk ka nevojë që të simpatizohen me Rusinë, por nëqoftëse duan që të bëjnë politika të jashtme efektive, ata duhet që ta kuptojnë atë. Komunizmi mund të jetë zhdukur nga Europa, por gjeografia e rajonit nuk ka ndryshuar. Rusia është, siç ka qenë gjithmonë, shumë e madhe dhe shumë e fuqishme për t’u përfshirë brenda institucioneve perëndimore pa i ndryshuar thelbësisht ato dhe tejet vulnerabël ndaj infiltrimit perëndimor sa për të pranuar në heshtje përjashtimin e saj.
Plani Marshall, që çimentoi Luftën e Ftohtë, kujtohet si një prej arritjeve të mëdha të politikës së jashtme amerikane jo thjesht se qe vizionar, por edhe pse funksionoi. Funksionoi për shkak se Shtetet e Bashkuara pranuan realitetin e një sfere influence ruse, në të cilën nuk mund të penetronin pa sakrifikuar kredibilitet dhe mbështetje publike.
Aktet e mëdha të shtetarisë janë të mbështetura tek realizmi më shumë sesa tek idealizmi. Ky është një leksion që Amerika ka nevojë ta rimësojë.
(Shkrimi është marrë nga libri i ri “The Marshall Plan: Dawn of the Cold War” i autorit Benn Steil, i cili është Drejtor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Council on Foreign Relations)
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version