Përplasja Haradinaj-Rama, reagimi i ashpër i Berishës: Antishqiptare çdo përpjekje për t’i marrë Kosovës përfaqësimin

Sali Berisha (Prime Minister of Albania)

“Bota sot”: Si i komentoni deklaratat fyese të Edi Rames karshi Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit?
Sali Berisha: Mendoj se ajo deklaratë ishte denigruese dhe e papranueshme e banale që bëhej nga pozita paternaliste arkaike. Në sistemet totalitare është e zakonshme kafshërimi i kundërshtarëve pra, etiketimi i tyre si majmun, qenë, gomarë, mushkë etj. etj. Ky fjalor nuk mund të përdoret asnjëherë ndaj udhëheqjes së një vendi. Unë nuk kam qenë dakord dhe kam shprehur qëndrimin tim për nismën e shfuqizimit të gjykatës, por terma fyese për të shprehur kundërshtinë janë të papranueshme. Prandaj mendoj se Rama duhet të kërkoj ndjesë publike për fyerjen e tij.
“Bota sot”: Sipas juve, deri në çfarë pike të seriozitetit ka arritur dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë?
Sali Berisha: Së pari, dua të theksoj se ky dialog ka një rëndësi jetike për marrëdhëniet midis dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë, por edhe për paqen ne rajon. Mendoj se paqja në rajon do varet, më shumë se sa nga çdo gjë tjetër, nga marrëveshja Kosovë – Serbi dhe zbatimi i saj. Me keqardhje konstatohet se Serbia bën gjithçka për të bllokuar këtë marrëveshje, nuk zbaton marrëveshjet e arritura, përpiqet të përfitojë nga situata të brendshme në Kosovë, mendon jo marrëveshjen por ndarjen e Kosovës.

Duke thënë këto, mendoj se autoritetet e Kosovës nuk duhet të lënë shkas, në asnjë rast, për moszbatim të marrëveshjeve të arritura dhe të dëshmojnë seriozitetin e duhur ndaj tyre. Mendoj, se një ndikim negativ në raportet Kosovë – Serbi kanë patur edhe qëndrimet dhe ndërhyrjet e Edi Ramës në këto raporte. Më pas, në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar, Rama zgjodhi t’i imponohet Kosovës nga Beogradi. Ai, u takua shumë më shpesh me Kryeministrin Vuçiq se sa me Kryeministrin e Kosovës dhe me deklaratat e tij paternaliste, ai cenoi fuqinë përfaqësuese të autoriteteve të Kosovës dhe ushqeu dogmën serbe të shqiptarëve të këqij dhe shqiptarëve të mirë, shqiptarë të Tiranës me të cilët merresh vesh dhe shqiptarë të Prishtinës me të cilët nuk merresh vesh. Nuk po ndalem këtu në deklaratat e tij kur Beogradi me trenin e aneksimit, marshimit drejt Kosovës, por theksoj këtu se qëndrimet e tij paternaliste ndaj Kosovës, jo që nuk janë të dobishme por qartësisht të dëmshme. Kosova sot ka përfaqësuesit e vet legjitim, është antishqiptare dhe e dënueshme çdo përpjekje për t’u marrë atyre përfaqësimin. Që në vitin 2005, Beogradi bënte përpjekje shumë të mëdha që të vendoste dialogun me Shqipërinë për Kosovën. Qëndrimi im ka qenë i prerë: asnjë dialog Shqipëri – Serbi për Kosovën. Kjo e fundit ka përfaqësuesit e saj dhe, përveç kësaj, Shqipëria në çdo rast nuk mund të ketë anë tjetër përveç Kosovës.

Në këtë mënyrë ne shmangim plotësisht Kosovën në takimet bilaterale dhe ky ishte një kusht për këto takime. Ka pasur raste që, partnerë kryesorë më kanë kërkuar të ndikoj në arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa unë jam përgjigjur se, do ta mbështes marrëveshjen fill sapo të arrihet, por nuk ndërhyj. Mirëpo Rama ndjek rrugën e Enver Hoxhës e cila është rrugë tradhtie e mirëfilltë. Beogradin e njeh shumë më mirë Prishtina se sa Tirana. Në rast se e analizojmë marrëdhëniet Kosovë – Beograd, këto 4 katër vitet e fundit ato kanë ecur shumë ngadalë. Kjo sigurisht, për shkak të Beogradit, por edhe Rama ka aksionet e tij në këtë ngadalësim të ndjeshëm të këtyre marrëdhënieve. /Intervistoi: Suzana Rugova/

Exit mobile version