Përplasja me Kurum/ Shqipëria, prodhuese apo trafikuese e mbetjeve toksike?

Në fund të shtatorit pritet që në Durrës të ankorohen dy anije të ngarkuara me 816 ton mbetje të rrezikshme, por deri tani është ende e paqartë se kujt i përkasin kontenierët që u nisën nga Durrësi drej Tajlandës në fillim të korrikut.

Në një reagim për Shqiptarja.com nga Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit thuhet se ngarkesa e ka origjinën tek kompanitë që operojnë pranë metalurgjikut në Elbasan, duke lënë të kuptohet se fatura është e kompanisë Kurum.

“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS” thuhet në këtë reagim.

Një shpjegim i ngjashëm ishte dhënë edhe më herët për Bloomberg. Por kësaj radhe, qeveria ka sqaruar se “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës”.

Kurum dEMIR

Por kompania Kurum ka mohuar të ketë nisur ndonjë ngarkesë me mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës. Në një reagim të kompanisë mohohej kategorikisht versioni që jep qeveria për këtë çështje.

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare” thuhet në deklaratë.

Kompania i kujton ministrisë së kur i duhet të eksportojë materiale aplikon për leje, të cilat janë të verifikueshme në institucionet shqiptare.

Përplasja mes Ministrisë së Mjedisit dhe qeverisë shqiptare shton pikëpyetjet se në ç’mënyrë lëvizin mbetjet toksike në Shqipëri.

Nëse kompania Kurum gënjen, kjo zgjidhet lehtësisht nga Prokuroria e Durrësit. Mjafton verifikimi i dokumentacionit, marrja në pyetje e dëshmitarëve, dhe autorët vihen para drejtësisë bashkë me zyrtarët që janë në shpërdorim të detyrës.

Screenshot 2024 08 16 131123

Por nëse Kurum ka të drejtë, historia komplikohet. Në këtë rast, Shqipëria rezulton të jetë shndërruar në vendin e jashtëqitjes së qindra tonelatave mbetje të rrezikshme, që futen në Shqipëri nga vende të tjera dhe dalin jashtë pa u kontrolluar nga askush.

Në këtë linjë ishte edhe reagimi i Doganave për ngarkesën e dytë të bllokuar në Kinë atë me 100 kontenierë të tjerë me mbetje të rrezikshme, edhe ato të nisur nga Durrësi. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kjo ngarkesë e dytë e ka origjinën në Kosovë dhe është nisur nga një kompani private.

“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk” thuhet në reagimin e doganave.

Versioni që japin doganat për ngarkesën e bllokuar në Kinë është i njëjtë me atë që lë të kuptohet kompania Kurum, se ngarkesat trafikohen nga porti i Durrësit pa u kontrolluar.

IISD ENB BRSCOPs2023 1May23 KiaraWorth 80

Të njëjtin version duket se mbështet edhe Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i Basel Action Netëork, i cili ka folur tek Syri Tv për skandalin e mbetjeve toksike.

Dyshimet e Puckett janë se Shqipëria është një pikë tranziti që përdoret nga vendet e tjera të Europës për të nisur sasitë e mëdha të ngarkesave me mbetje të rrezikshme.

“Këta eksportues nisen nga Porti i Durrësit, dyshoj se ka shumë mbetje të tjera të përfshira. Shqipëria përdoret si pikë traznisti që përdoret për mbetjet nga Evropë” ka thënë Puckett.

Rrjeti i Bazelit kërkon urgjentisht që mbetjeve që kanë ndaluar në Singapor t’u bëheshin analizat. Në këtë mënyrë do të kishte prova konkrete për ekzistencën e lëndëve të rrezikshme.

Për çështjen është njoftuar se prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në bashkëpunim me OLAF, Zyrën kundër Mashtrimit në Bashkimin Europian. Deri tani SPAK nuk është përfshirë në hetime, që do të thotë se zyrtarët që hetohen janë të një niveli të ulët./Lapsi.al

Artikulli paraprakTetë arsye të mundshme pse fëmijët po largohen gjithnjë e më shumë nga prindërit e tyre
Artikulli tjetërUra e Ibrit si çështje serioze dhe “tallavaja” e opinionit publik e atij politik!