Nga Boldnews.al
Operacioni policor i fundjavës, në të cilin u arrestuan 24 persona, mes të cilëve edhe dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka, ka nxitur një përplasje të re mes klaneve të maxhorancës.
Në krye të këtyre linjave kundërshtare brenda socialistëve janë kryeministri Edi Rama nga njëra anë, i cili kontrollon pjesën më të madhe të partisë dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili kontrollon me dorë të fortë Policinë, Prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë, nëpërmjet levave të Komisionit të Vetingut.
“Megaoperacioni” policor, pavarësisht se ishte gjysmak dhe nuk arriti të arrestonte kokat e vërteta të trafikut dhe politikanët e lartë të lidhur me grupet kriminale, gjithësesi u përhap në media si një sukses i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai e paralajmëroi operacionin, pak ditë përpara se të zhvillohej dhe, nëpërmjet një fushate të fortë mediatike, zuri të gjithë hapësirën publike të fundjavës së varfër me lajme.
“E veçanta” e këtij aksioni policor ishte, ndër të tjera, arrestimi i dy ish-deputetëve, Arben Çuko dhe Arben Ndoka, i pari për korrupsion gjatë kohës që drejtonte Burgjet, ndërsa i dyti për përfshirje në tjetërsim pronash në Lezhë. Kjo “veçanti” rreshtohet sërish në meritat e Xhafajt, i cili synon t’u tregojë ndërkombëtarëve se “nën drejtimin e tij, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.
Edi Rama, ndoshta jo i befasuar, por i keqardhur që nuk mund të ndalonte revanshin e Xhafajt për të arrestuar dy prej “produkteve të tij politike”, u mjaftua vetëm me dy rreshta në rrjetet sociale, ku përsëriti qëndrimin e dalë boje se “drejtësia është e barabartë dhe nuk ka dy standarte për shkelësit e ligjit…” e disa fjalë të tjera pa bosht.
Ky qëndrim ishte vetëm për Çukon. Ndërsa Arben Ndokën nuk e ka përmendur fare gjatë këtyre ditëve, si të ishte inekzistent.
Qartësisht, mbi Ramën bien kostot politike, së pari brenda radhëve të partisë dhe së dyti, mbi vetë atë, në cilësinë e personit që promovoi Çukon e Ndokën në politikë.
Arrestimet e dy ish-deputetëve kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek socialistët, si ata të Lushnjes së Çukos e të Lezhës së Ndokës, por edhe brenda radhëve të grupit parlamentar. I pari që reagoi shumë ashpër ishte Pjerin Ndreu, deputet i Lezhës dhe mik i ngushtë i Arben Ndokës. Ligjvënësi Ndreu akuzoi policinë dhe prokurorinë për “arrestime skandaloze dhe me standarte të dyfishta”.
Kjo shprehje e Ndreut do të kishte mjaftuar për largimin e tij nga grupi parlamentar i socialistëve, duke mbajtur në vëmendje faktin se, për diçka të ngjashme, Edi Rama “fluturoi” nga radhët e partisë deputetin e Kurbinit, Gjetan Gjetani, në fillim të muajit shtator. Por, ndaj Pjerin Ndreut, i cili kritikoi ashpër policinë dhe, në mënyrë indirekte Fatmir Xhafajn, kryetari i Partisë, Edi Rama, nuk ndërmorri asnjë masë penalizuese.
Ndërkohë, ndaj Edi Ramës erdhi një kritikë e fortë, edhe nga salla e gjyqit. Një prej të arrestuarve si bashkëpunëtor me familjen Ndoka, deklaroi në seancë se “po bëhen koka turku nga Edi Rama për procesin e integrimit”. Kjo shprehje u tha nga një prej personave më periferikë në këtë çështje, arrestimi i të cilit nuk ka asnjë ndikim në proceset integruese të Shqipërisë.
Ndikim në kriterin e goditjes së paligjshmërisë kanë arrestimet e zyrtarëve, deputetëve e ish-deputetëve.
Në rastin konkret, arrestimet e ish-deputetëve Çuko e Ndoka mund të jenë një sinjal për ndërkombëtarët se Edi Rama “e ka seriozisht me luftën kundër kriminalitetit”.
Por, as Çuko, as Ndoka nuk e deklaruan pretendimin se janë “koka turku”-ata, megjithëse në kushtet e paraburgimit, duket se janë koordinuar për t’ia përcjellë këtë mesazh kryetarit të tyre nëpërmjet një hallexhiu, i cili gjendet me pranga bashkë me ata.
Edi Rama, me shumë mundësi, po tenton të gjejë zgjidhje për të dalë nga laku që i ka ngritur Fatmir Xhafaj. Ky i fundit, pikërisht për shkak të “megaoperacionit” gjysmak, po tenton ta mbajë peng kryetarin e Partisë. Xhafaj, si edhe Rama, e dinë shumë mirë se pas këtyre grupeve kriminale janë njerëz me pushtet të madh politik, të gjithë bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Edi Rama. Ministri i Brendshëm i ka të gjithë në dorë, nëpërmjet përgjimeve që gjenden në duart e vartëses së tij “de facto”, Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Ndaj, përplasja Rama-Xhafaj duket se po mban pezull maxhorancën dhe sidomos kryetarin e saj, i cili po tenton të tërheqë vëmendjen me skenarë të tjerë politikë, siç janë ligji për shkatërrimin e teatrit dhe ai për ndalimin e basteve.
Afrimi i zgjedhjeve lokale dhe rreshtimi i dukshëm i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në krah të Fatmir Xhafaj, janë kokëçarje të mëdha për kryetarin e Partisë Socialiste, i cili, për shkak të goditjes së Xhafajt, humbi mbështetje të madhe në Lezhë e Lushnje. Por, humbi dhe po humbet më shumë politikisht, për faktin se arrestimi i Arben Çuko dhe Arben Ndokës është një dëshmi e radhës së “Rama, pasi të përdor, të hedh….prangat”, si në rastin e dy ish-deputetëve.