Përplasje mes Fatmir Xhafajt dhe ambasadorit të BE, Gonzato: Harrojeni, pavarësia e Drejtësisë është vijë e kuqe!

Pavarësisht nga pranimi formal që SHBA dhe BE i bën Komisionit të Posaçëm për Drejtësinë, i ngritur nga mazhoranca, duket se sa më hapur dalin qëllimet e vërteta të ideatorit Edi Rama, aq më e fortë po bëhet përplasja mazhorancë-ndërkombëtarë për këtë çështje. “Llogaridhënia dhe transparenca nuk mund të përdoren nga mazhoranca për të cenuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”. Ky është qëndrimi i ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, që kundërshtoi Fatmir Xhafën teksa deputeti socialist po motivonte nevojën për ndërhyrje ligjore, përmes komisionit anti-korrupsion.

Gonzato i kërkoi mazhorancës që të mos preket roli i shoqërisë civile në institucionet e drejtësisë, por sugjeroi si të përmirësohet përzgjedhja e jo-magjistratëve.

Cenimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë është vija e kuqe që politika shqiptare nuk duhet të kalojë.

Kreu i delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato, ja bëri këtë të qartë kreut të komisionit të posaçëm, fill pasi Fatmir Xhafaj ishte munduar të motivonte nevojën për ndërhyrje ligjore te drejtësia në emër të llogaridhënies.

“Pavarësia në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparendën. KZ do të ishte një gabim i madh”, tha Xhafaj.

Gonzato kërkoi të rimerrte fjalën, duke hequr dorë nga gjuha diplomatike për të mos lënë vend më për keqinterpretim.

“Pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur. Kriteret si përgjegjshmëria dhe transparenca nuk mund të përdoren me koston e pavarësisë së tyre dhe mendoj se ka mekanizma të brendshëm, që institucionet e drejtësisë t’i rrisin këto dy cilësi”, tha Gonzato.

Kryetarja e Këshillit të Integrimit zbuloi se krerët e drejtësisë së re e kanë refuzuar superkomisionin.

Xhafaj kërkon që të shtohet llogaridhënia e institucioneve të drejtësisë para politikës në Parlament, ndërsa ambasadori europian kundërshtoi duke nënvizuar se do të cenohej balanca dhe hierarkia e reformës. Gonzato kërkoi të mos keqpërdoren raportet e Brukselit për të justifikuar qëllime të tilla.

“Institucionet e drejtësisë nëpërmjet raportimit në Kuvend që është detyrim kushtetues dhe ligjor përmbushin një pjesë të këtij detyrimi që ka, por besoj që është e pamjaftueshme. Besoj se do të duhet se bashkë me institucionet e drejtësisë , shoqërinë civile të shohim mekanizma se si mund ti fuqizojmë mekanizmat që njeh kushtetuta dhe ligji dhe se si mund të shtojmë mekanizma të reja që janë në funksion të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës”, u shpreh Xhafaj.

“Unë e di që në Raportin tonë të Progresit ose Raportin e Shqyrtimit të Legjislacionit, flasim për Parlamentin që të ushtrojë rolin e tij në mënyrë më adekuate, por kjo nuk ishte menduar të formulohej si ndryshim i kontrolleve dhe balancave aktuale ose ndryshimi i hierarkisë midis institucioneve të ndryshme. Ato synojnë thjesht të inkurajojnë Parlamentin që të ndjekë seriozisht ato diskutime që ai ka rregullisht me institucionet e pavarura të drejtësisë dhe institucione të tjera, dhe të ndjekë rekomandimet e bëra në raportet e këtyre institucioneve, duke marrë masat që nevojiten, duke përfshirë edhe masat buxhetore”, deklaroi ambasadori.

Përballë pakënaqësisë së mazhorancës me njerëzit që vijnë nga shoqëria civile në dy institucionet që qeverisin gjyqësorin dhe prokurorinë, si KLGJ dhe KLP, ambasadori i BE bëri të qartë se bëhet fjalë për një aspekt të rëndësishëm të reformës që nuk mund të cenohet, por sugjeroi gjithashtu një zgjidhje.

“Roli i shoqërisë civile në sistemin e ri të drejtësisë dhe veçanërisht në aspektin e qeverisjes së tij është shumë i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë, sepse anëtarët e shoqërisë civile janë pjesë të këtyre strukturave dhe është një risi e reformës sonë në drejtësi, por më duhet të them dhe siç ne duhet të pranojmë gabimet tona, në këtë aspekt ka shumë vend për të reflektuar shoqëria civile. Unë besoj se kjo risi nuk e ka dhënë efektin e duhur, sidomos në dy këshillat që qeverisin sistemin dhe këtu ka nevojë për të bërë një diskutim, një debat në së ka vend të përmirësohet, cilat janë mekanizmat që mund ta bëjnë më eficente”, shtoi Xhafaj.

Ndërsa Gonzato u përgjigj se, “së fundi, kur bëhet fjalë për një aspekt të rëndësishëm të reformës ishte përfshirja e përfaqësuesve të shoqërisë civile në institucionet e pavarura të drejtësisë dhe aty desha vetëm të përmend disa komente që janë bërë në raportin për sundim të ligjit të publikuar në korrik, ku në lidhje me anëtarët jo magjistratë kemi konstatuar se ka ende mangësi për shembull, në kontrollet e historikut dhe verifikimin e aseteve në krahasim me anëtarët magjistratë dhe se për rrjedhojë, kjo ka rezultuar në mungesë transparence, ndoshta edhe mungesë meritokracie në proces, kështu që patjetër që ka vend për përmirësim”.

Korrupsioni është një nga sfidat e mëdhatë Shqipërisë, dhe sipas ambasadorit të BE këtë nuk mund ta luftojë vetëm SPAK. Në këtë detyrë mund të bashkohet edhe superkomisioni i Xhafës, të cilit i tregoi se ku të fokusohet.

“Masat kundër korrupsionit kanë pasur deri tani një ndikim të kufizuar, dhe listoj këtu infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat pronësore, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike, partneritetet publik-privat, etj. shpresoj që në punën e vazhdueshme të Komisionit të posaçëm parlamentar për Shqipërinë 2030, të gjithë palët e interesuara të shfrytëzojnë rastin të fokusohen në këto masa parandaluese – ka shumë që mund të bëhet në këtë fushë, bazuar në prova dhe konsultim i gjerë”, tha diplomati.

Në raportin vjetor të qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes vërehet se gjatë 2023 ka rënë numri i çështjeve të reja hetimore për korrupsion, por është rritur numri i të dënuarve, që janë gjykuar për këtë akuzë.

Artikulli paraprakEnriketa Papa në takimin me përfaqësues të NID: Takim shërbeu për të kuptuar klimën politike dhe nevojën e modernizimit dhe ndryshimit të partive politike
Artikulli tjetër“Gjigandi transoqeanik që kërcënon peizazhin e mbrojtur me trafik dhe zhvillim të paqëndrueshëm”