Krizë goli, debat sistemi, kërkim forme. Ylli i Bajernit, Tomas Myler, kaloi një fazë të parë të vështirë në Bundesligë. Në një intervistë për revistën “Sport Bild”, kampioni i botës komentoi situatën e tij aktuale. Ai tregoi se, gjatë vitit 2017 do të bëjë çmos që të rikthehet në formë dhe se në cilin pozicion ndihet më mirë në fushë. Sulmuesi zbulon edhe emocionet sesi është ndjerë i ulur në stol, në ndeshjen e fundit të Bundesligës për vitin 2016, atë ndaj Lajpzigut, që deri atë ndeshje renditej në vend të dytë vetëm falë golavarazhit më të keq se kampionët e Gjermanisë.
“Ndeshja e fundit kundër Lajpzigut për mua personalisht nuk shkoi në mënyrën më të mirë, sepse unë nuk luajta. Në atë ndeshje pati më shumë hapësira sesa në ndeshjet e mëparshme. Ishte një ndeshje që do të më kishte dhënë kënaqësi po të kisha qenë në fushë. Natyrisht që nuk qëndrova i ulur në stol me një buzëqeshje”, tha Myler, por optimist se në fazën e dytë gjërat do të ndryshojnë dhe duke treguar se ai është një lojtar skuadre:
“Vijnë situata në të cilat lojtarët do të qëndrojnë jashtë në ndeshje të mëdha dhe të rëndësishme. Por ne duhet t’i marrim ato si një skuadër. Shpirti i skuadrës është kryesori, duhet t’i lëmë mënjanë egot personale. Kjo vlen për mua, ashtu si për gjithë të tjerët”.
Shanset e Mylerit për një vend titullari gjatë këtij viti janë përmirësuar ditët e fundit. Nga njëra anë, për shkak të fazës së fortë përgatitore që ai ka bërë në Doha. Nga ana tjetër, dëmtimi i Tiago Alkantarës, i cili në javët e ardhshme do të qëndrojë pushim. Spanjolli luajti në pjesën më të madhe të gjysmës së parë të sezonit në rolin pas sulmuesit kryesor. Këtë rol mund ta marrë Myleri, pavarësisht se kohët e fundit ka pasur diskutime se ai nuk përshtatet në sistemin që përdor Karlo Ançeloti.
Legjenda e Bajernit, Lotar Mateus, e ngriti këtë dyshim në një koment të tij për “Bild”-in një javë më parë. Por çfarë mendon vetë Myleri? “Kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Në fakt, në këtë sistem unë kisha gjithnjë pozicionin pas sulmuesit kryesor. Kjo nuk më ka pëlqyer. Nuk më pëlqen gjithashtu kur më caktohet të luaj si sulmues, sepse nuk e konsideroj veten të tillë. Unë lëviz me kënaqësi mbrapa linjave në pikën ku ndahet sulmi dhe mesfusha kundërshtare, atje ku i dhemb më shumë rivalit”.