Parullat e tifozëve në “Stamford Bridge” lexonin “Bëjeni për Ranierin”, duke dashur t’i jepnin një sinjal Chelsea-t se Leicesteri këtë të hënë kishte nevojë për mbështetje për të arritur titullin e parë në histori. Dhe kampionët e sezonit të kaluar dorëzuan vetë titullin te “Dhelpërat” e drejtuara nga Ranieri, duke barazuar 2-2 një ndeshje shumë emocionuese me Tottenhamin. Skuadra e Pochetinos shpërdoroi një epërsi prej dy golash në pjesën e parë, duke u dorëzuar që këtë javë në garën për titullin me Leicester që realizoi përrallën e tij, duke fituar një titull të pabesueshëm, që ka qenë mëse i merituar për skuadrën e Ranierit, por që gjithsesi erdhi dhe falë një dhuratë të një tjetër skuadër, blu, Chelsea-t të Londrës, me të cilën Ranieri 12 vjet më parë nuk mundi dot të fitonte titullin kampion.
Në fakt në derbin e Londrës u duk se Tottenham do të shtynte dhe për një tjetër javë festën e Leicester pas golave të Kane dhe Son, por Cahill në të 58-ën dhe Hazard me një perlë në të 83-tën barazoi rezultatin, duke i dhuruar festën tifozëve të Leicester në baret e qytetit të vogël anglez. Për herë të parë në histori, Leicester, por dhe Claudio Ranieri mundën të fitojnë titullin kampion, me një prej surprizave më të mëdha të futbollit botëror.