Përse Departamenti i Shtetit vlerësoi Altin Dumanin dhe jo Fatmir Xhafajn?

Nga Ervis Iljazaj

Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, u vlerësua nga Departamenti i Shtetit Amerikan me titullin kampion në luftën kundër korrupsionit. Një çmim në fakt që shkaktoi shumë debate në opinionin publik shqiptar, i cili ndahet nga ata që e mbështesin punën e këtij institucioni dhe ata që e konsiderojnë atë si instrument në duart e qeverisë.

Por pavarësisht këtij debati që s’do të mbarojë kurrë, fakt është se ky institucion ka vlerësimin jo vetëm të ShBA, por dhe të qytetarëve shqiptarë. Në një sondazh të zhvilluar nga Barometri në Euronews këtë javë, SPAK përsëri doli institucioni më i besueshëm i brendshëm për shqiptarët, pas Ambasadës Amerikane. Nëse thuhet që gjykimi popullor nuk diskutohet sepse është sovrani, atëherë dhe këtë besueshmëri duhet ta marrim të mirëqenë.

Personalisht jam kundra çmimeve të tilla, megjithatë këto janë politika që ndiqen nga ShBA prej shumë vitesh. Është lajm i mirë për Shqipërinë që një institucion që ka si dëtyrë luftën ndaj korrupsionit të vlerësohet në këtë mënyrë nga diplomacia amerikane. Përtej mendimeve që ka gjithsecili për punën e SPAK, fakt është se ai tashmë ka thyer një mentalitet që ka mbizotëruar për 34 vite me radhë. Mentaliteti që drejtësia nuk shkon dot të njerëzit me pushtet. Dhe kjo barrierë tashmë është kaluar në raportin midis drejtësisë dhe politikës. Mund të diskutojmë nëse hetimet bëhën në një mënyrë apo tjetër, nëse SPAK është represiv apo i butë me pushtetin. Por ama, një gjë mund të thuhet me siguri. Falë këtij institucioni, tashmë vajtja e njerëzve me pushtet përpara drejtësisë është kthyer në një normalitet.

Por përtej punës së SPAK, vlerësimi i Departamentit të Shtetit për këtë institucion ka dhe një mesazh tjetër shumë domethënës. Mesazhi që i dha Shqipërisë ShBA, është se korrupsioni luftohet vetëm nëpërmjet një drejtësie të pavarur dhe me integritet. Çdo mjet tjetër është një propagandë dhe një mënyrë për t’i hedhur hi në sy njerëzve. Nëse do të ishte ndryshe, Departamentit i Shtetit do të vlerësonte Fatmir Xhafaj i cili drejton komsionin anti-korrupsion në Parlamentin e Shqipërisë.
Përkundrazi, çmimi për Dumanin është dhe një mesazh për këtë komision, i cili ka si synim të ndërhyjë edhe në ligje që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi. Dhe këtë qëndrim, delegacionet e huaja në Shqipëri e kanë bërë të qartë. Ky komision mund të bëjë çdo gjë përveçse të prekë organet e reja të drejtësisë, sidomos SPAK. Dhe çmimi për Dumanin, vetëm sa e thekson këtë mesazh.
Është normale që të jetë kështu, sepse Shqipëria ka vuajtur për dekada për një drejtësi të pavarur dhe me integritet, dhe jo nga reforma kundër korrupsionit. Madje, Shqipëria ndoshta mbahet vendi kampion për reforma kundër korrupsionit. Por edhe pse ka kaq shumë ligje kundër korrupsionit, ajo vazhdon të mbetet në të gjitha raportet ndërkombëtare si një vend me korrupsion të lartë.

Dhe shtetet që ishin pjesë në çmimet e ndara nga ShBA, ishin shtete me korrupsion të lartë. Shqipëria pa frikë mund të thuhet se ka ligjet më të mira në luftën kundër korrupsionit, por problemi është se ato nuk kanë bërë të mundur uljen e këtij fenomeni. Ne kemi një ministri kundër korrupsionit, agjenci kundër korrupsionit, dhe së fundmi një komision parlamentar anti-korrupsion me shumë ekspertë.

Në këtë drejtim, Shqipëria padyshim që mund të fitojë një çmim. Por problemi qëndron se këto ligje, reforma apo minsitri nuk kanë bërë që lufta kundër korrupsionit të jetë në nivele të dëshiruara. I vetmi institucion që e ka bërë këtë në vitet e fundit është SPAK, prandaj dhe u vlerësua me çmim nga Departamenti i Shtetit, pikërisht për misionin që ka ndërmarrë./Liberale.al

Exit mobile version