Përse e përgjakën Shkodrën?

25 vjet më parë në 2 Prillin ’91, regjimi kriminal që ishte në grahmat e fundit të tij do të përgatiste masakrën më të rëndë. Katër të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur në Shkodrën martire. E gjitha nisi pas një proteste paqësore të gjimnazistëve të qytetit, të cilët u përballën me hakmarrjen e policisë dhe ushtrisë. Vrasjet vinin nga godina e Partisë së Punës në Shkodër.
Po përse u zgjodh Shkodra?
Shkodra ishte qyteti i qëndresës antikomuniste. Ishte qyteti i rezistencës që e kishte luftuar diktaturën në çdo moment dhe në çdo sekondë të saj. Nga Postriba e deri tek barcaletat, Shkodra kurrë nuk ishte pajtuar me diktaturën. Në votimet e 31 marsit, Shkodra ishte në krye të qyteteve së bashku me Tiranën që kishin votuar masivisht për deputetët e Partisë Demokratike.
Manipulimi i atyre votimeve në zonat rurale solli edhe fitoren e PPSH në rang vendi. Pas kësaj fitoreje të manipuluar qytetet u ngritën në këmbë. Fillimisht Tirana. Që në momentet e para të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve me mijëra qytetarë të kryeqytetit u mblodhën para selisë së PD. Thirrjet ishin të një populli të revoltuar në kufijtë ekstremë. “Edhe me gjak” ishin thirrjet e atyre mijëra e mijëra qytetarëve që rrethuan selinë e Partisë Demokratike që në ato ditë ishte në Rrugën e “Kavajës”. Mesazhi ishte i qartë, qytetarët ishin gati të jepnin edhe jetën për të mos legjitimuar manipulimin e zgjedhjeve nga diktatura.
Kryetari i PD, Berisha u ngjit në ballkonin e selisë së PD në orët e vona të asaj nate përmes ovacioneve të fuqishme të njerëzve të revoltuar. Kërkonin vetëm një shenjë që zemërimi të derdhej drejt aparatit të Komitetit Qendror. Berisha duke e kuptuar se regjimi në ato grahma të fundit mund të sillej si një bishë e plagosur bëri atë që duhej. Si një burrë shteti, ai u deklaroi mijëra e mijëra të pranishmëve se beteja ndaj diktaturës nuk do të ndalej dhe më pas u kërkoi të rinjve që të mos përdorej dhuna. Orët e protestës së qytetarëve të Tiranës të revoltuar vazhduan përgjatë gjithë natës dhe mëngjesit të ditës së nesërme.
Zemërimi qytetar ishte në kufijtë e vetpërmbajtjes në Shkodër. Një protestë paqësore e gjimnazistëve të qytetit u kthye në një masakër. Atë që regjimi nuk mundi ta bënte në Tiranë e bëri në Shkodër një ditë më pas. Bisha e plagosur kishte vendosur të hakmerrej ndaj Shkodrës martire, ndaj qëndresës dhe votës së saj plebishitare për Partinë Demokratike. Pesë të vrarë dhe qindra të plagosur. Mes tyre Arben Broci, student shembullor dhe një nga drejtuesit e parë të Partisë Demokratike, studenti i Dhjetorit, i cili u përball me Alinë në pritjen e studentëve nuk jetonte më. Bashkë me të edhe Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.
Shkodrën e përgjakën, sepse diktatura donte ta frikësonte dhe përmes asaj masakre edhe të gjithë Shqipërinë. Ai frikësim që nuk kishte ndodhur gjatë diktaturës nuk kishte se si të ndjte në ato ditë. Kortezhi mortor për të nderuar katër martirët ishin shenja më e mirë se Shkodra jo vetëm që nuk ishte gjunjëzuar, por ishte në këmbë, më e fortë dhe e gatshme për përballjen e re me regjimin kriminal.

A.Shahini

2 Prilli, masakra që përgjaku Shkodrën martire

Alfons GRISHAJ

Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja.
Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ‘45-‘46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.

Si nisi

2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Taçi dhe vartësit e tij…, shkodranët, duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!

Ballë për ballë me Çapajev Taçin

Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…

Dezinformimi dhe manipulimi, formë dhe mjet i Sigurimit të Shtetit

Kam shkuar shtrat më shtrat tek të plagosurit, duke shënuar emrat e të vrarëve dhe të plagosurve (së bashku me doktor Spahinë dhe doktor Grezdën regjistruam rreth 60 të plagosur që ishin paraqitur për mjekim), të cilët tregonin plagët e tyre. Më vonë lista do të rritej…
Atë pasdreke po u jepja intervistë gazetarëve të huaj. Njëkohësisht po komunikoja direkt me Frrok Çupin, i cili shënonte ato çfarë thoja. Emrat e martirëve ia komunikova të saktë, por një spiun i Sigurimit më gjeti “fjetur”, ose më mirë ma hodhi (e shpjegova më lart kisha netë pa gjumë), më tha për Bujar Bishanakun: “Nuk është emri i tij Bujar, por është Ilir Leshanaku”, duke u përbetuar se ishte i afërm i tij.

Martirët e 2 prillit

Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik

* * *

Dëshmia e Lije Brocit: Alia më ofroi miliona të mbyll çështjen

Lije Broci, e ëma e Arben Brocit, Dëshmorit të Demokracisë akuzon si vrasës të martirëve të Shkodrës, Ramiz Alinë dhe Gramoz Ruçin. Me plagën e madhe të nënës për humbjen e djalit në moshën më të bukur, rrëfen disa detaje lidhur me atë që ndodhi në atë ditë të zezë të prillit. Sipas nënës së Dëshmorit të Demokracisë, personat që urdhëruan vrasjen e katër të rinjve dhe plagosjen e disa dhjetëra të tjerëve janë Ramiz Alia e Gramoz Ruçi. Ajo thekson se ka njohur në mënyrë të rastësishme edhe personin që ka shtënë mbi të birin. Sipas Lije Brocit, vrasja ka qenë e qëllimshme. “Im bir ishte përcaktuar të vritej. Ai e dinte këtë dhe shpesh më thoshte se do të më vrasin nënë, por t’i duhet të jesh e fortë. Ishte pikasur që në dhjetor të vitit 1990, në takimin që studentët e Dhjetorit, patën me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë. Pas fjalëve mashtruese të Alisë, im bir kishte kundërshtuar, duke i kujtuar Presidentit qëllimin e atij takimi, pluralizmin”, kujton nëna e Dëshmorit të Demokracisë. “Kur dolën, shton ajo, Beni më ka treguar se Ramiz Alia i kishte kapur lehtë flokët. Ishte një veprim tipik i Enver Hoxhës, që u rrihte shpatullat atyre që donte t’i eliminonte. Beni e kishte kuptuar këtë dhe e ruajtën rastin më 2 prill”, tregon Lije Broci. Sipas saj, ajo që ka ndodhur më pas ka qenë edhe më e rëndë, kur, dy muaj pas ngjarjes, është thirrur nga Ramiz Alia. “Edhe pse nuk desha në fillim, më pas më shtyu kurioziteti. Ai më është lutur të mbyll çështjen. Ti, më ka thënë Alia, duhet të falësh, ose të dhurosh gjakun e djalit tënd dhe ne mund të të përgjigjemi edhe me lekë sa të duash në miliona. Ndërsa unë i jam përgjigjur se edhe sikur të më shtrojnë në ar të gjithë Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol, nuk e fal gjakun e tim biri. Pas kësaj, Alia më pyeti nëse ndokush e dinte që isha aty. I thashë se kam biseduar me doktorin (Berishën) dhe se kanë ardhur me mua të paktën 2000 shkodranë. Edhe një fije floku po të më preket, do të bëhet nami në Tiranë. Kur dola nuk kam folur me askënd deri në Shkodër”, shton me tej Lija. Ajo thekson se është e zhgënjyer nga vendimi i drejtësisë lidhur me masakrën, ndërkohë që është e dukshme se sa dhimbje i shkakton kapardisja e vrasësit të të birit në Parlament si kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste. “Nuk doli asnjë nga të vërtetat. Gjyqi dihet se u shpejtua nga që ne, nënat e dëshmorëve, e kërkuam sa më shpejt. Ata që ishin në bankën e të akuzuarve nuk ishin pa faj. Në radhë të parë, për shkak se pranuan të qëllonin me armë”, thotë Lija, duke shpresuar për një rihapje të gjyqit dhe vënien e drejtësisë në vend. Ajo rrëfen edhe për një moment tronditës, kur ka njohur njeriun që qëlloi mbi të birin. “Një ditë teksa po vija nga varrezat një polic i kohës së regjimit donte të më paguante 20 lekëshin e biletës së urbanit. I thashë të më linte të qetë dhe ai reagoi shumë keq. Nuk desha ta vrisja, më tha. Më urdhëruan. I gjithë autobusi reagoi keq. I thashë se kishte shumë për të paguar dhe për këtë jam e tronditur akoma”, thotë Lije Broci. Ajo mban të njëjtën plagë që duket se nuk ka për t’iu shëruar kurrë. Jeton në Tiranë dhe herë pas here shkon në Shkodër vetëm për të vajtur në varreza për të takuar të birin që tashmë nuk jeton më. “Kam shkuar edhe në mes të plumbave në 1997. Madje, mbaj mend se një djalë i ri më ndaloi dhe më pyeti se ku po shkoja. I thashë tek im bir, Beni. Kur mori vesh se kush isha, u foli me zë të lartë shokëve dhe i urdhëroi që të mos qëllonin, sepse isha nëna e Arben Brocit”, shprehet me lot në sy Lija. Sipas saj, Arbeni që u vra në lule të moshës, nuk është vlerësuar aq sa duhet. Lija si nënë vazhdon të jetë e zhgënjyer po njësoj si pak ditë pas ngjarjes.

2 prilli i ’91

Më 2 prill të vitit 1991, në qendër të Shkodrës vriten katër djem të këtij qyteti. Me urdhër të Gramoz Ruçit, në atë kohë ministër i Brendshëm, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, morën plumbat e “bishës” që përjetonte ditët e fundit të saj. Pak kohë pas ngjarjes, të katër u nderuan me emrin “Dëshmorë të Demokracisë”, ndërsa me një vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit, 2 Prilli do të ishte dita e “Dëshmorëve të Shkodrës”. Për 19 vite me radhë, krimi përkujtohet si një ndër më makabrit, që kishte në sfond motive politike. Festimet e çdo viti mbajnë emrin e përbashkët të shoqatës “2 Prilli”, që së bashku me Bashkinë e Shkodrës, organizojnë në sheshin me të njëjtin emër, ceremoninë përkujtimore, ku nën tingujt e bandës së qytetit, pranë përmendores së ngritur në kujtim të këtyre martirëve, kryhen ritet. Kjo ditë në qytetin verior, njihet edhe si dita e fitores së demokracisë.
Janë me mijëra familjet shqiptare në të cilat daljet publike të Gramoz Ruçit shkaktojnë dhimbje, neveri e përbuzje. Këto janë familjet, të afërmit e të cilëve u vranë me urdhrin e ministrit të fundit të Sigurimit të Shtetit nga falangat e krimit në kufijtë e vendit apo në sheshet ku protestonin kundër diktaturës. Jo vetëm për këto familje, por për shumicën e shqiptarëve fytyra bolshevike e Ruçit është simboli më i goditur i makthit 50-vjeçar që kaloi vendi, të cilin pasardhësja e Partisë së Punës po kërkon ta riciklojë. Me zgjedhjen e tij në krye të Grupit parlamentar të PS-së, duket se daljet publike të Ruçit do të jenë edhe më të shpeshta, çfarë nënkupton se dhimbja për këta qytetarë do të shumëfishohet. Çdo përvjetor, shtëpia e Lije Brocit mbushet plot me njerëz dashamirës, miq dhe të afërm. Por asaj i mungon Arbeni, djali inteligjent dhe një prej të rinjve që në vitin 1991, njihej si potencial për të ardhmen e vendit. Shfaqjet e Gramoz Ruçit dhe sidomos leksionet e tij për demokraci, e pezmatojnë aq shumë Lijen dhe mijëra nëna e baballarë të tjerë shqiptarë, fëmijët e të cilëve u vranë në lulen e rinisë për fajin e vetëm se guxuan të protestojnë kundër diktaturës apo tentuan të kalojnë kufirin për të lënë pas krahëve jetën makabre që u kishte krijuar partia-shtet. Me riciklimin e Gramoz Ruçit në krye të Grupit parlamentar të partisë kryesore të opozitës, Shqipëria shndërrohet në vendin e vetëm të Europës ish-komuniste, që ka në një post kaq të lartë politik një funksionar të Sigurimit të Shtetit. Kjo sigurisht është tepër lënduese për ata mijëra qytetarë që kanë përjetuar mort në familjet e tyre vetëm nga një urdhër që ish-ministri i fundit i Sigurimit ka dhënë për vrasjet e njerëzve të tyre të dashur.

Artikulli paraprakLlalla: Njerëzit vijnë në prokurori sepse s’kanë besim tek policia
Artikulli tjetërA ka farë për Kryetar referendar?