Përse Edi Rama kërkon ta përvetësojë Reformën në Drejtësi?

Ervis Iljazaj

Edi Rama në takimet e fundit me socialistët apo në daljet e tij mediatike nuk lë rast pa përmendur se Reforma në Drejtësi është meritë e socialistëve dhe është pikërisht ajo që e ka bërë atë. Sigurisht me ndihmën e ndërkombëtarëve, por është kjo parti, sipas tij, që ka meritën kryesore, sepse, ajo është iniciatorja dhe arktitektja e saj.

Kjo është një tezë e cila shkon në kundërshtim me idenë e përgjithshme se Reforma në Drejtësi është e ndërkombëtarëve, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Partia Socialiste ka qenë e vetmja forcë politike që ka bashkëpunuar me ndërkombëtarët për Reformën në Drejtësi pas bojkotit që i beri Partia Demokratike.

Megjithatë kjo nuk e bënë aspak Reformën në Drejtësi një produkt të Partisë Socialiste. Atëherë përse Edi Rama kërkon ta hipotekojë për PS-në këtë reformë, ndoshta ngjarjen më domethënëse institucionale të ndodhur në 10 vitet e fundit, në Shqipëri?

Për dy arsye kryesore. E para, sepse i pamundur për të ndalur hetimet për korrupsion ndaj vartësve të tij, të cilët kanë krijuar edhe pakënaqësi brenda grupimeve të PS, si rasti i arrestimeve të drejtorëve të Bashkisë Tiranë është domethënës në këtë drejtim, ndaj Edi Rama kërkon që këtë moment për drejtësinë e re ta kthejë në avantazh. Në vend që të japë llogari për korrupsionin në qeverisjen e tij që është galopante, ai bënë krejt të kundërtën. Merr meritat e drejtësisë, a thua se është Altin Dumani. Duket si një ‘’skrizofreni’’ politike nga ana e një kryeministri, por në fakt, është e gjitha një strategji e cila vjen si domosdoshmëri.

Edi Rama në këtë drejtim ka dy rrugë. Ose të pranojë dhe të japë llogari për korrupsionin në qeverinë e tij, ose të shfaqet si luftuesi kryesor i korrupsionit dhe kalorësi i drejtësisë së re. Dhe këtë gjë po bën, duke theksuar gjithmonë se Reforma në Drejtësi është një vepër e Partisë Socialiste dhe se ai po e lejon SPAK që të veprojë, qoftë edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Një nga strategjitë e komunikimit dhe të politikës, efikase ndër të tjera, për opinionin publik, është që akuzat nuk kundërshtohen , por ato kthehen në avantazh, njësoj siç po sillet edhe Rama me arrestimet dhe hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të administratës së tij.

Por nëse vërtet funksionimi i drejtësisë varet nga vullneti i një kryeministri, atëherë ajo nuk është drejtësi. Drejtësi e pavarur do të thotë kur drejtësia funksionon pavarësisht vullneteve të mira ose të këqija të politikës. Në këtë kuptim, edhe nëse Rama ka vullnet të mirë dhe lejon drejtësinë të funksionojë, do të thotë që nuk kemi arritur ende që të ndërtojmë një drejtësi ashtu siç ajo duhet të jetë.

Por në fakt, gjëra janë pak më ndryshe nga ajo që deklaron Rama çdo ditë. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane, theksoi edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë për Reformën në Drejtësi. Një deklaratë e cila shkon në kundërshtim të plotë me atë se çfarë deklaron Rama. Dhe kjo është e vërtetë. Fakti që prokurorët SPAK-ut shkojnë dhe trajnohen në SHBA, apo se këshilltarë të shumtë amerikanë kanë marrë pjesë gjatë ndërtimit të organeve të reja të drejtësisë, tregon më së miri se kjo reformë mban vulën dhe logon ë Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Është reformë e mirë apo jo, funksion siç duhet apo jo, ky është një tjetër diskutim. Por s’ka asnjë dyshim se Reforma në Drejtësi nuk është krijim i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Arsyeja e dytë se përse Rama kërkon të përvetësojë Reformën në Drejtësi ka të bëjë me ndihmën që i jep aleatit të tij politik, Sali Berishës. Duke bërë këtë, legjitimon aksionin politik të aleatit të tij për ta mbajtur sa më shumë në lojë dhe për ta patur rival. Sepse është absurde që Berisha e akuzon si një person që ka kapur SPAK-un, dhe Rama e konfirmon publikisht këtë gjë. Nuk ka politikan në botë që e thotë hapur se, ‘drejtësinë e kemi kapur ne’, edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë.

Për këto arsye, për sistemin politik 33 vjeçar ideja se SPAK-ut është e amerikanëve, është një ide që nuk i intereson dhe madje është e rrezikshme për ta. Herët apo vonë, të gjithë do të duhet të shkojnë përpara tij. Prandaj kërkojnë ta delegjitimojnë me mënyra nga më të ndryshmet. A do t’ja dalin dot? Edhe mundet, por tashmë hetimet për politikanët e niveleve të larta janë kthyer në normalitet. Këtë gjë e kërkon koha, e kërkon opinioni publik dhe e kërkon e ardhmja e Shqipërisë. Prandaj edhe pse përpiqen, do ta kenë shumë të vështirë.

Artikulli paraprakBorrell reagon për zhdukjen e Navalnyt: Shumë shqetësuese, Rusia të mbajë përgjegjësi për sigurinë e tij
Artikulli tjetërTesti i ‘PISA 2022’ e nxori të fundit në rajon Shqipërinë, Gjermania (pasi pranoi dështimin e saj) premton 20 miliardë euro investime në arsim