Përse është ndryshe Trump?

Fareed Zakaria

Gjatë kësaj fushate, kam dëgjuar nga shumë njerëz që kanë përshëndetur kundërshtimet e mia ndaj Donald Trumpit. Por të tjerë më kanë kundërshtuar, duke argumentuar se kam qenë i anshëm, se edhe Hillary Clintoni mund të ketë të meta. Kështu që, lejomëni të shpjegoj, për herë të fundit, përse Donald Trumpi meriton vëmendje të veçantë.
Unë nuk jam person shumë partiak. Kam disa pikëpamje që janë në të majtë të qendrës, por edhe të tjera që janë konservatore. Unë kam ardhur në këtë vend kur Ronald Reagani ishte president dhe e admirova. Kam mendim shumë të mirë për shumë politikanë republikanë, duke përfshirë edhe dy kandidatët e fundit të Partisë Republikane, John McCain dhe Mitt Romney, të cilët të dy janë burra të nderuar, që do të kishin qenë presidentë të mirë.
Donald Trumpi është ndryshe – jo thjesht sepse është i padurueshëm, ngjitës dhe vulgar apo sepse bizneset e tij tregojnë qartë se është një mjeshtër i mashtrimit. Ai është i ndryshëm, për shkak të asaj në të cilën beson.
Mënyra më e thjeshtë për të kuptuar gjërat themelore që beson Trumpi është të shohësh fjalët dhe veprimet e tij, dhe jo vetëm sot, por shumë kohë më parë. Politikanët kënaqin dëshirat e votuesve dhe pikëpamjet e Trumpit për Sigurimet Shoqërore dhe Kujdesin Mjekësor (që ai premton të mos i prekë) dhe taksat (që ai premton t’i shkurtojë) duken goxha të pasinqerta ose reflektime të asaj që ai mendon se votuesit duan të dëgjojnë. Por ai ka besime, vlera dhe instinkte më të thella.
E para, në radhë është raca. Trumpi është shprehur vazhdimisht – me fjalë dhe vepra – në mënyra që mund të përshkruhen vetëm si raciste. Në vitet e tij të hershme si ndërtues, ai është paditur nga Departamenti i Drejtësisë për faktin se u ka mohuar strehimin zezakëve, të kualifikuar për ta marrë atë shërbim. Në rastin e Pesëshes së Central Parkut, Trumpi kërceu në arenën publike, duke marrë dhe paguar faqe të plota reklamash ku sulmonte dhe akuzonte adoleshentët me ngjyrë, si dhe duke kërkuar që “kur ata vrasin, të ekzekutohen për krimet e tyre”. Ai refuzoi të sprapset, kur provat e ADN i kishin shfajësuar qartësisht të pestët, dhe qyteti i Nju Jorkut u detyrua që të paguajë 41 milionë dollarë dëme, për burgosje të padrejtë të tyre, për 13 vjet me radhë.
Trumpi duket se beson thellësisht në stereotipet etnike. Ai mburret për linjën e tij të gjakut dhe e krahason me mbarështimin e kuajve të garave. Në një libër të vitit 1991, një prej ndihmësve të Trumpit përshkruan se si ai ndihej i tmerruar që kishte dy afro-amerikanë në departamentin e financës në dy prej hoteleve të tij, duke e cituar Trumpin të thoshte: “Zezakë që numërojnë paratë e mia! E urrej këtë gjë. Të vetmit lloje njerëzish që dua të më numërojnë paratë, janë burra të shkurtër me kapelë ortodoksësh në kokë”. Trumpi e pranoi vërtetësinë e këtyre komenteve në një intervistë të mëvonshme për “Playboy”, përpara se ta quante “marrëzi” në një tjetër intervistë në vitin 1999, të dhënë për “NBC”.
Trumpi ka qenë gjithmonë një proteksionist. Në vitet 1980, ai ishte i sigurtë që japonezët do të merrnin kontrollin e botës dhe zgjidhja e vetme ishin tarifat dhe luftërat tregtare. Duket se ai nuk e ka vënë re që, e ardhmja që ai parashikoi, nuk ndodhi kurrë. Tani ai e ka fokusuar zemërimin e tij tek Kina, pikërisht teksa ekonomia ka nisur të ngadalësohet dhe Meksika, një vend kaq i vogël, saqë ndikimi i tij në ekonominë e SHBA është minimal. Fija që i bashkon të gjitha është se Trumpi nxiton gjithmonë t’u thotë amerikanëve që janë në vështirësi ekonomike, se duhet të fajësojnë të huajt për problemet e tyre.
Nëse ka një pikëpamje që Trumpi e ka shprehur vazhdimisht, haptas dhe me ngazëllim, kjo është se gratë ekzistojnë si objekte për kënaqësitë e burrave. Ai ka thënë e ka bërë dhjetëra gjëra gjatë 30 viteve, që konfirmojnë këtë pikëpamje poshtëruese për gratë – në intervistat me Houard Stern, gjatë kohës që kishte në pronësi konkursin e Miss Universe, kur përshkruante gratë që punonin dhe kur ka debatuar me kandidate femra, si Carly Fiorina dhe Hillary Clintonin. Një herë, në revistën e Nju Jorkut, Trumpi ka thënë për gratë se “ato duhet të trajtohen si m…”.
Së fundi, Trumpi ka shprehur padurim dhe pakënaqësi për shumë prej themeleve të demokracisë liberale. Ai ka premtuar vazhdimisht që të ndryshojë ligjet, për ta bërë më të lehtë ndëshkimin e gazetarëve që e sulmojnë. Ai ka kërcënuar njerëz që kanë kontribuar për kundërshtarët e tij republikanë, duke lënë të kuptohet se do të shtyjë qeverinë që të shohë “me lupë” bizneset e tyre. Ai ka premtuar një numër politikash që janë joliberale, jokushtetuese e madje edhe krime lufte, si për shembull ndalimi i hyrjes në SHBA për të gjithë myslimanët apo përdorimin e torturës për të dyshuarit si terroristë dhe vrasjen e familjeve të tyre. Ai ka krahasuar idetë e tij me internimin e nënshtetasve të SHBA dhe jonënshtetasit me prejardhje japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke lënë të kuptohet se e miraton atë lloj mase. Dhe ai ka premtuar të burgosë kundërshtarët, nëse zgjidhet.
Këto pra, janë bërthama e besimeve të Donald Trumpit, të shprehur nëpër dekada dhe të konfirmuar nga shumë prej veprimeve të tij: racizëm, seksizëm, proteksionizëm, ksenofobi dhe autoritarizëm. Pikëpamjet e tij për taksat dhe rregullat janë pa lidhje. Pikëpamja juaj për Hillary Clintonin është pa lidhje. Donald Trumpi nuk është një kandidat normal. Ai është një rrezik për demokracinë amerikane. Dhe për këtë arsye do të votoj kundër tij të martën.

Exit mobile version