Përse italianët refuzuan Renzin

“Monitor”

Me zë të ngjirur dhe me sy të skuqur, Matteo Renzi do të deklaronte: “Ishte një rezultat jashtëzakonisht i qartë”. Plani i tij për të reformuar Kushtetutën italiane më 4 dhjetor nuk u refuzua me një diferencë prej 5 apo edhe 10%, sikurse sondazhet treguan; hendeku midis “Jo-së” dhe “Po-së” ishte me 20 pikë.
Shifrat zyrtare treguan se mbështetësit e “Jo-së” fituan 60 me 40% në Italinë metropolitane, si dhe 59 me 41% të votave të hedhura nga italianët që jetojnë jashtë. Pjesëmarrja ishte shumë më e lartë nga sa ishte parashikuar, për të cilën këshilltarët e Renzi-t besonin se do t’i ndihmonte në këtë kauzë. Mposhtja erdhi pas një fushate 66-ditore, në të cilën kryeministri u përfshi me të gjithë forcat e tij. Ai nuk pati zgjidhje tjetër, veçse të jepte dorëheqjen përballë një rezultati të tillë të papritur, shkruan “The Economist”.
Argumentimi i Renzi-t ishte se reforma qe thelbësore për të bërë Italinë më eficiente në qeverisje dhe më të përshtatshme për reformat strukturore. Populistët kundër BE-së udhëhoqën fushatën për të votuar “Jo”, megjithëse në të ishin bashkuar figura si Mario Monti, ish-kryeministër, i shqetësuar për forcimin e pushtetit të ekzekutivit të kërkuar nga Renzi nëpërmjet kombinimit të ndryshimeve kushtetuese me një ligj zgjedhor të njëanshëm, që garanton shumicën për paritë e mëdha.
Çfarë është shkruar më parë në lidhje me referendumin është reflektuar, përveç humbjes së thellë të Renzi-t. Destabiliteti politik mund të menaxhohet në afat të shkurtër. Pasojat financiare, veçanërisht në sektorin e dobët bankar italian dhe efekti që mund të kenë në stabilitetin e Eurozonës mund të jetë i vështirë për t’u kontrolluar. Në tregjet e huaja të këmbimit, euro ra me 1.5%, niveli më i ulët i 20 muajve të fundit, duke u këmbyer 1 EUR = 1.0503$, përpara se të rimëkëmbej lehtë. Edhe aksionet e bankave italiane ranë me hapjen e bursave të hënën në mëngjes, por u rikuperuan me shpejtësi pas humbjes.
Renzi ishte i detyruar të thërriste presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, më 5 dhjetor për t’i dorëzuar formalisht dorëheqjen, e cila u ngri deri në momentin e votimit të buxhetit të mërkurën e më pas Renzi e dha përfundimisht dorëheqjen.
Mattarella, detyra e të cilit është që të zvogëlojë pasigurinë politike, shpresonte që me ndodhinë e humbjes, kryeministri italian do të bindej që të formonte një qeveri të re me mandat të kufizuar, që do të reformonte ligjin zgjedhor italian dhe do të zhvillonte zgjedhjet e reja. Fakti është se, ka një ligj më vete për Dhomën e Deputetëve dhe një ligj më vete për Senatin.
Por, pas pranimit të humbjes, Renzi menjëherë largoi dyshimet se një skenar i tillë mund të realizohet. Në vend të kësaj, Mattarella po pret që të bisedojë me përfaqësuesit e partive politike për të krijuar një qeveri teknike. Kjo qeveri mund të udhëhiqet nga anëtarë të qeverisë në largim, sikurse është ministri i Financave, Pier Carlo Padoan, ose ministri i Arteve dhe Trashëgimisë, Dario Franceschini, apo dhe prej figurave publike të respektuara gjerësisht. Emri më i lakuar është ai i Piero Grasso, ish-prokuror i Antimafies dhe kryetar i Senatit. Por, termat si ‘gjerësisht i respektuar’ dhe ‘figurë publike’ kanë një tjetër kuptim sot pas votës së Brexit dhe fitores së Donald Trump në Amerikë.
Demokracia ka fituar, deklaroi Beppe Grillo, komediani që udhëheq partinë e dytë më të madhe politike Lëvizja e 5 Yjeve. Ai kërkoi zgjedhje të menjëhershme të përgjithshme nën ligjet aktuale, të cilat favorizojnë partinë e tij. Edhe lideri Ligës së Veriut, parti populiste e krahut të djathë, Mattei Salvini kërkoi të njëjtën gjë. Sondazhet kanë treguar se shumica dërrmuese e konsideruan referendumin si një mundësi për të dhënë verdiktin e tyre në lidhje me performancën e qeverisë Renzi dhe në veçanti të ecurisë ekonomike.
Kjo do të varet edhe nga lideri i tretë i opozitës italiane, ish-kryeministri famëkeq, Silvio Berlusconi. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se partia e tij Forza Italia, është shumë më e dobët se në 2013-ën, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit.
Monitoruesit e kanë pritur votën “JO”, edhe pse ngushtë, si dhe tregjet kanë reflektuar rrezikun në çmim. Por, humbja përkeqëson problemin e sistemit bankar të Italisë, veçanërisht të bankës problematike Monte dei Paschi, banka e tretë më e madhe në vend. Qeveria u ka bërë thirrje investitorëve institucionalë për të rikapitalizuar MPS, por shumë prej tyre kishin vënë kusht votën “Po” për të investuar. Disa mund ta marrin rezultatin si një provë se Italia nuk është e aftë që të reformojë. Italia shumë shpejt mund të përballet me një zgjedhje midis tre opsioneve.
Një prej tyre mund të jetë shtetëzimi i bankës Monte dei Paschi. I dyti do të jetë shpëtimi i saj nën ligjet e reja të Bashkimit Europian që do të grumbullonte humbjet tek investitorët. Përballë perspektivës për t’u varfëruar të këtyre votuesve, qeveria thjesht mund të zgjedhë që të thyejë ligjet, me çfarëdo lloj kostosh ndaj besueshmërisë së monedhës së përbashkët dhe bashkimit bankar të sapokrijuar.

Exit mobile version