Përse kjo mbetje masivee maturantëve të shkollave profesionale?

Myqerem TAFAJ

Në Maturën 2016 rezultojnë mbetës rreth 30% e maturantëve të shkollave profesionale. Një mbetje kaq masive e maturantëve nuk besoj se lidhet vetëm me dobësitë e nxënësve dhe të mësuesve të shkollave profesionale, edhe pse në tre vitet e fundit janë hequr thjesht për shkaqe politike shumë mësues të shkollave profesionale.
Matura profesionale ekziston jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende të tjera të Europës dhe më gjerë, madje edhe në vendet e origjinës së arsimit të mesëm dhe të lartë profesional (Gjermani, Austri, Zvicër). Të rinjtë që përfundojnë maturën profesionale kanë të drejtë të vijojnë arsimin e mesëm profesional, përgjithësisht në drejtimet profesionale që kanë ndjekur në shkollën e mesme. Në disa vende të rajonit tonë, si Sllovenia, Kroacia, rreth 30-40% e studentëve vijnë nga shkollat e mesme profesionale. Kjo prirje po stimulohet edhe nga politikat e BE (sidomos Programi Erasmus +) për orientimin e të rinjve në shkencat e aplikuara, në mënyrë të veçantë në drejtimet e studimeve të larta profesionale, në akademitë profesionale dhe në studimet postsekondare.
Në vendi tonë pranohen çdo vit rreth 6000 nxënës në arsimin e mesëm profesional dhe shumica e tyre parapëlqejnë të ndjekin nivelin e tretë të arsimit të mesëm profesional dhe të përfundojnë maturën profesionale për të fituar të drejtën e vazhdimit të arsimit të lartë.
Sistemi i arsimit të mesëm profesional në Shqipëri është reformuar, mbështetur kryesisht në modelin e Austrisë dhe krijon mundësi për të ndjekur tri nivele: niveli dyvjeçar, i cili përfundon me kualifikimin: punëtor i çertifikuar në një profesion; 3-vjeçar, i cili përfundon me kualifikimin: punëtor i kualifikuar në një profesion dhe mund të bëhet mjeshtër pas një periudhe përvoje dhe formimi të vazhduar; dhe niveli 4-vjeçar, i cili përfundon me kualifikimin: teknik në një profesion dhe gëzon të drejtën t’i nënshtrohet maturës profesionale për të vijuar arsimin e lartë.
Në vendin tonë, grupi i maturantëve të shkollave profesionale përbën një prurje të rëndësishme të studentëve për shumë drejtime të studimeve në shkencat e aplikuara, si dhe për studimet dyvjeçare postsekondare.
Qeveria Rama ka tre vjet që betohet se po i jep përparësi arsimit të mesëm profesional. Ndërsa zhvillimin e arsimin e lartë profesional as që e ka përmendur ndonjëherë, edhe pse ky është prioriteti kryesor i politikave të BE për arsimin e lartë europian, i mishëruar edhe në kuadër të Programit Erasmus +.
Politika e deklaruar nga Rama është që arsimi i mesëm profesional duhet të përgatisë vetëm punëtorë dhe mjeshtra. Kjo është një qasje tërësisht e gabuar dhe e kundërt, jo vetëm me politikat e BE, por edhe me ato globale. Deklarata e OKB e shtatorit 2015 “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030”, të cilën e ka nënshkruar edhe Shqipëria, përcakton se, për të përballuar kërkesat e zhvillimit ekonomik, teknologjik dhe të tregut të punës, çdo i ri duhet të përfundojë studimet universitare së paku në nivelin Bachelor.
Kjo qasje tërësisht diskriminuese e kësaj qeverie ndaj arsimit të mesëm profesional për të drejtën e vijimit të arsimit të lartë, i ka dhënë zemër administratës arsimore të Ramës për të bërë këtë mbetje masive dhe të qëllimshme të maturantëve të shkollave profesionale (thuajse 1/3 e maturantëve të shkollave profesionale janë mbetës). Ky është shkaku i vërtetë. Nuk dua të besoj se administrata e arsimit i ka ngelur maturantët në shenjë hakmarrje ndaj kalimit të arsimit profesional në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale! Cilido qoftë shkaku, pasojat i bartin maturantët dhe familjet e tyre.
Kjo ngelje masive e maturantëve të shkollave profesionale është një mesazh shumë negativ për nxënësit që sapo kanë përfunduar klasën e nëntë dhe prindërit e tyre, të cilët kishin shfaqur interes për arsimin e mesëm profesional. Me këtë politikë të kësaj qeverie, asnjë prind nuk mund të marrë një vendim që të dërgojë fëmijën e tij në shkollë të mesme profesionale, i bindur se i ka hequr atij, me dorën e tij, të drejtën elementare për këtë shekull, atë të vijimit të arsimit të lartë. Shqiptarët e vuajtën këtë nga diktatura komuniste, por ata nuk mund ta bëjnë sot për fëmijët e tyre.
Kjo mbetje masive e maturantëve të shkollave profesionale ka dhënë mesazhin e politikës reale, tërësisht të gabuar, të kësaj qeverie për arsimin profesional, si një arsim i cili përgatit qytetar të dorës së dytë.
Tani le të presim shtatorin e këtij vit dhe të shohim statistikat e pranimeve në arsimin e mesëm profesional.

Artikulli paraprakShokohet Japonia, i riu vret me thikë 19 persona, plagos 25 të tjerë
Artikulli tjetër41 mijë maturantë e familjet në ankth, qeveria ka bllokuar aplikimin në universitete