Një ngjarje që i kalon përmasat e imagjinatës njerëzore ka tronditur mëngjesin e djeshëm qytetin e Korçës. Një 41-vjeçar u mori jetën dy fëmijëve të tij të mitur dhe më pas vari veten. Autor i këtij krimi makabër është Naum Toshi, i cili jetonte vetëm me dy djemtë 6 dhe 4 vjeç, pasi prej pak kohësh ishte braktisur nga bashkëshortja e tij 24-vjeçare, Marsela me të cilin kishin pasur konflikte për kushtet e rënda ekonomike.
Burime nga policia lokale thanë se, dy fëmijët ishin mbytur me tel në qafë, kurse babai i tyre ishte varur, gjithashtu me tel. Trupat e pajetë janë gjetur në mëngjes nga babai i tij. Në derën e shtëpisë, ai gjeti një letër ku shkruhej: “Ngjituni lart”. Ishte ai që lajmëroi policinë. Motra e 41-vjeçarit rrëfen mes lotësh skenën e tmerrshme që pa kur hyri në shtëpi. “Nuk e kishte të saktë nusen, ca kohë e kishte në Greqi, pastaj e solli këtej. Në katin e dytë ishin të varur, unë sa u ngjita dhe zbrita, vetëm vëllain pashë”, tha ajo.
Kjo familja kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Greqia. Kjo ishte martesa e dytë e Marsela Toshit, e cila kishte djalin 6-vjeçar nga martesa e parë. Mësohet se ajo punonte në një lokal nate në Korçë, gjë që kishte sjellë konfliktet në familje. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë depresioni i 41-vjeçarit pas largimit të bashkëshortes së tij.
Viktimat ishin në të njëjtën dhomë, dhe policia akuzoi për krimin e trefishtë Naum Toshin. Nga hetimet e deritanishme del që 41- vjeçari Naum Toshi ishte rënduar psikologjikisht, pas largimit nga banesa të bashkëshortes së tij Marsela Toshi.
Edhe familjarët e tij, konfirmojnë mosmarrëveshjet e vazhdueshme të çiftit, të cilat sollën largimin e gruas nga shtëpia dhe më pas krimin makabër të burrit të braktisur. Çifti ishte në konflikt edhe kur ndodheshin në Greqi. Me një grua 15 vjet më të re, Toshi vendos të lërë emigracionin dhe të kthehet në Korçë, në shtëpinë e tij në lagjen 4. Marrëdhënia midis tyre nuk u normalizua, por u përkeqësua. Naum Toshi nuk e lejonte atë të punonte si kameriere në një disko të qytetit.
Sipas familjarëve, gruaja ishte larguar nga shtëpia në mes të muajit nëntor, drejt Greqisë, duke e braktisur të shoqin dhe dy djemtë e mitur, ku më i madhi ishte fryt i martesës së parë të saj. Ka dëshmi që ajo u kthye dhe dy orë para se të ndodhte ngjarja tentoi të merrte fëmijët dhe të largohej bashkë me ta në Greqi. Por e refuzuar nga i shoqi, ajo vazhdoi e vetme në shtetin fqinj, kurse 41-vjeçari mori vendim fatal, vrau dy fëmijët dhe veten.
Toshi kishte planifikuar gjithçka
Bëhet e ditur se, Toshi kishte planifikuar gjithçka, vrasjen e dy djemve si dhe të varte veten. Në letrën që ai kishte lënë për të atin, shkruante se nuk e kishte pyetur kur ishte martuar me Marsela Toshin dhe nuk do e pyeste as për vendimin tragjik të fundit. 41-vjeçari shkruante në letër se
gjithçka po e bënte për shkak të mosmarrëveshjeve me gruan dhe se ajo “kishte marrë rrugë të keqe”.
Ndërkohë nga sistemi TIMS, Marsela Toshi rezulton se është futur në Shqipëri nga pika kufitare e Kapshticës rreth orës 2 të mëngjesit të ditës së dielë. Ajo kishte shkuar tek banesa e bashkëshortit dhe fqinjët kanë treguar se mes tyre ka pasur grindje. Po ashtu mësohet se, Marsela Toshi është larguar nga Shqipëria, sipas sistemit TIMS në orën 16:00 të ditës së dielë.
Policia e Korçës dha detaje mbi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen nr. 4, të qytetit në rrugën “Koli Tupa” ku në një banesë u gjetën të pajetë nga familjarët e tyre Naum Toshi 41 vjeç dhe V.T, 4 vjeç (djali i tij) si edhe J.T, 7 vjeç (fëmijë i ardhur nga martesa e parë, e bashkëshortes së 41-vjeçarit).
Policia thotë se, nga veprimet hetimore të kryera nga ana e shërbimeve policore në vendngjarje, rezulton se Toshi gjatë natës, pasi ka mbytur e më pas ka varur dy djemtë e tij të mitur, është vetëvarur edhe vetë në ambientet e dhomës së tij. Policia thotë se, në vendin e ngjarjes janë konstatuar edhe disa shënime, të cilat viktima ia kishte lënë babait të tij, ku e sqaronte atë për aktin që do të kryente.
Letra e vrasësit para se të kryente krimin
Publikohet letra që që 41-vjeçari Naum Toshi, kishte lënë për babain e tij, përpara se të mbyste dhe të varte dy fëmijët e tij të mitur.
“Ngjitu lart dhe shiko! Babi unë nuk të pyeta kur e mora gruan dhe s’po të pyes as tani pse po iki! Po i jap fund jetës dhe fëmijët po i marr me vete! Ajo mori rrugë tjetër! Nuk më dëgjoi që të kthehej pranë familjes dhe të hiqte dorë nga jeta e rrugës! Nuk u kujdes asnjëherë për fëmijët! Asnjëherë nuk pyeti nëse ushqeheshin apo jo! Ajo shkatërroi çdo gjë! Dhe unë ndaj po iki bashkë me fëmijët e mi!”, shkruan në letër 41-vjeçari.
Nëna 24-vjeçare u kthye në banesë për t’i marrë dy fëmijët
Nëna e dy fëmijëve 4 dhe 6 vjeç, që u gjetën të pajetë në banesën e tyre, ishte vetëm 24 vjeç. Marsela Toshi, punonte në një lokal nate, dhe burri i saj nuk ia lejonte këtë. Me sa duket nga këto ka nisur edhe konflikti mes çiftit, duke pasuar me largimin nga banesa të 24-vjeçares dy muaj më parë.
Sipas fqinjëve të tyre, gruaja ishte kthyer në banesë mbrëmjen e të dielës, ku ka qëndruar deri në orën 2 pas mesnate, me pretendimin për të marrë fëmijët e saj. Por pasi nuk e ka arritur këtë gjë është larguar.
Nga ky moment fqinjët rrëfejnë se kanë dëgjuar të bërtiturat dhe ulërimat e fëmijëve, por nuk e kanë menduar se 41-vjeçari do të arrinte deri aty sa të mund të kryente një krim të tillë. Mësohet se gruaja e re, e cila kishte fëmijën 6 vjeç nga martesa e parë, dhe fëmijën 4-vjeçar nga martesa me Naum Toshin, e kishte denoncuar këtë të fundit, për faktin se e pengonte të punonte.
A mund të ishte ndryshe Shqipëria e njeriut me kartelë?
Ende pa u mbushur 48 orë nga vrasja e një gruaje në Fier, e cila u hodh nga ballkoni i shtëpisë nga bashkëshorti i saj, një tjetër krim makabër ndodhi dje në Korçë. Babai 41-vjeçar mbyti me litar dy fëmijët e tij të mitur 4 dhe 6 vjeç dhe më pas vari edhe veten. Dy fëmijët e mitur ishin krijesat më të pafajshme, por jeta e tyre u shua në mënyrë barbare nga babai i tyre në kushtet e një depresioni psikik.
Varfëria ekstreme dhe mjerimi që ka pllakosur të gjithë vendin, por sidomos në zonat rurale janë shkaqet kryesore që e ka çuar shoqërinë shqiptare në një depresion shokues.
Në fakt kohët e fundit është rritur së tepërmi krimi brenda familjes si dhe vetëvrasjet për shkaqe të rënda ekonomike. Përditë ndodhin vrasje e vetëvrasje, ndërsa qeveria jo vetëm që nuk siguron bukën e gojës, por nuk jep asnjë zgjidhje për njerëzit e pashpresë dhe të dëshpëruar nga mosgjetja e një rruge për të mbijetuar.
Vetë Rama është me kartelë dhe me veprimet e tij të pakontrolluara e ka kthyer shoqërnë shqiptare në depression. Si pasojë e skizofrenisë së Ramës, Shqipëria i është kthyer epokës migjeniane. Rritja e papunësisë dhe korrupsioni qeveritar ka humbur shpresën tek shqiptarët dhe ka çuar në dëshpërim mijëra vetë. Duke qenë në mjerim dhe në mungesë të një shprese për të mbijetuar, qytetarët ndërmarrin akte barbare përtej njerëzores.
Një grusht njerëzish në pushtet dhe miqtë e tyre pasurohen me korrupsion dhe duke plaçkitur gjithçka nga pasuria shtetërore aq sa nuk dinë ku t’i çojnë paratë, ndërsa populli ropatet në varfëri e mjerim. Askush nuk kujtohet nga qeveritarët për ata familjarë që zgjohen në mëngjes dhe nuk kanë me çfarë t’i ushqejnë fëmijët e tyre. Qeveria kujtohet vetëm t’u presë edhe dritat dhe t’u heqë përkrahjen sociale atyre familjeve që jetojnë në kushte mjeruese.
Ndërsa ushtria e të papunëve shtohet çdo ditë me më shumë, kryeministri i vendit del në ekrane televizive dhe bën sarkazëm, tallet me shqiptarët, duke u shprehur se, “punë ka, por nuk ka specialistë”. Ky kryeministër që harxhon miliona lekë për të zbukuruar zyrën e tij me taksat e shqiptarëve dhe jep tendera miliarda lekësh për miqtë e tij, guxon dhe tallet me njerëzit hallexhinj në takimet e tij bajate, kur ata i kërkojnë punë.
Shoqëria shqiptare po përjeton një gjendje shoku si pasojë e kësaj qeverie bastarde dhe mjaft njerëz në kulm të dëshpërimit vrasin apo vetëflijohen. E vetmja mënyrë shpëtimi është rrëzimi i kësaj klike që përveçse po mjeron çdo ditë e më tepër shqiptarët po i çon ata drejt akteve barbare dhe të paimagjinueshme.
Rexhep POLISI