Përse largohen shqiptarët? Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa: Zgjidhja e problemit kërkon ndryshimin e objektivave

2024 është viti i dytë që do të zbatohet reforma e pagave që ka ndërmarrë qeveria për ta bërë pagën mesatare në 900 euro, për Administratën Publike, me shpresën se ushtrojë presionin e duhur edhe mbi sektorin privat, ndërkohë që në tërë vendimmarrjen e deritanishme thuajse është injoruar produktiviteti.

Shifrat e fundit, qoftë ato që publikohen nga institucionet ndërkombëtare, por edhe nga INSTAT, tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të largohen masivisht nga vendi i tyre, duke parë largimin si zgjidhje, për të gjetur një punë ose për një jetë më të mirë. Ashtu si në ‘90, ata largohen kryesisht në vendet e tjera të perëndimit, duke mos parë të ardhme në vendin e tyre. Në pritje të rezultateve të CENSIT 2023, që do të publikohen në muajin qershor, ish-drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, paralajmëroi se në 10 vitet e fundit, duke iu referuar të dhënave zyrtare, janë larguar mbi 500 mijë shqiptarë në moshë aktive për punë. Kjo shifër i përket numrit zyrtar të atyre që janë larguar, ndërkohë që po kaq, sipas saj, janë larguar ilegalisht në të njëjtën periudhë.

Teksa të dhënat janë dramatike, qeveria si duket, për të frenuar eksodin masiv është duke u përpjekur të motivojë ata që kanë mbetur duke rritur pagat në sektorin e Administratën Publike, apo edhe duke afruar kushte më të favorshme. Një nga përpjekjet e saj të fundit motivuese për të frenuar largimet është edhe premtimi për të ulur orët e një ditë pune.

Ndërkohë, që qeveria nuk mund të detyrojë sektorin privat të bëjë të njëjtën gjë, ka një Kod Pune, mosrespektimi i së cilës besohet se ka dekurajuar shumë të rinj të aftë e të talentuar të largohen gjatë 10 viteve të fundit.

Por cila është zgjedhja dhe a premton kjo qeveri të zgjidhë problemin, përmes masave që ka ndërmarrë kohët e fundit?

“Liberale.al” kontaktoi një ndër ekspertët më të mirë te ekonomisë, Selami Xhepa, njëkohësisht President i Universitetit Europian të Tiranës.

I pyetur nëse zgjidhje rritja e pagave në sektorin publik, apo është një e vërtetë tjetër: kostoja e jetesës po rritet edhe më tepër dhe shqiptarët do të vazhdojnë të largohen sepse qeveria ka dështuar për të afruar zgjidhjen që duhej në kohën e duhur, nëse krahasohemi me vendet të tjera të rajonit”, z. Xhepa thotë se:

“Faktorët ekonomikë janë një nga shkaqet kryesore të emigracionit, por dhe faktorë të tjerë si cilësia e shërbimeve publike, gjendja e demokracisë dhe dobësitë serioze të shtetit ligjor janë gjithashtu me rëndësi. Thjesht rritja e pagave në sektorin publik ndihmon në mënyrë modeste, pasi punësimi kryesisht ndodh në sektorin privat. Fatkeqësisht pagat e ulëta në sektorin privat reflektojnë dobësi të thella strukturore, dhe që, pavarësisht presionit nga sektori publik, siç edhe u provua gjatë vitit 2023, nuk ka mundur të rrisë pagat në të njëjtën normë.”

“Problemet strukturore specifikisht i referohen dominimit te aktiviteteve ekonomike me vlerë të ulët (dominimi nga bujqësia dhe shërbimet) dhe punësimi kryesor nga mikro-firma ose biznese familjare që nuk krijojnë mundësi për rritje produktiviteti”, shprehet Xhepa.

Por a ka zgjidhje tjetër? Si zgjidhje të mundshme duke parë sesi po e ka trajtuar dhe si po e trajton qeveria problematikën, Presidenti i UET, Selami Xhepa, u shpreh për “Liberale.al” disi skeptik:

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa thotë se ‘zgjidhja e problemit kërkon ndryshimin e objektivave të zhvillimit, nga objektiva sasior në atë cilësor: punësim cilësor dhe jo thjesht vende pune; teknologji moderne që rrisin vlerën e shtuar dhe jo thjesht volum investimesh… etj”.

Në këtë situatë, duket se “shërimi” i plagëve të emigracionit kërkon studime të thelluara për ta njohur mirë problematikën dhe shkaqet që e krijuan atë dhe vendimmarrje të dobishme, sidomos në një plan afatgjatë. Fakti që eksodi nuk është ndalur, pavarësisht përpjekjeve të fundit nga ana e qevrisë për ta frenuar pjesërisht, do të thotë se problemi nuk është trajtuar me seriozitetin që meritonte në kohën e duhur.

/Liberale.al/