Përse Martin Shulz shkon në Itali?

Martin Schulz, kandidati i Partisë Socialdemokrate (SPD) për kancelar dhe rivali i Angela Merkelit në fushatën elektorale, prej ditësh tërheq vëmendjen për një krizë të re të refugjatëve. Ai e kritikon kancelaren duke thënë se Angela Merkel nuk vepron. Rivali i kancelares në fushatën elektorale e ka përqendruar vëmendjen tek situata në Itali. Por sa keq është në të vërtetë gjendja në brigjet italiane të Mesdheut?
“Pavarësisht gjithë dinamikës Italia gjatë vitit në vazhdim është konfrontuar me të njëjtin numër refugjatësh si edhe Gjermania”, theksoi të mërkurën (26.07) zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjatë një konference shtypi në Berlin. Konkretisht: Rreth 94.000 refugjatë kanë mbërritur, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, që nga fillimi i vitit në brigjet italiane të Mesdheut. Gjermania, sipas statistikave zyrtare, ka pritur 90.000 refugjatë në gjysmën e parë të vitit 2017.
Zëdhënësi tha, se me këtë nuk do ta zbusë situatën. Por nëse u referohesh shifrave në pikun e krizës së refugjatëve, atëherë “shifrat aktualisht në Itali janë shumë më të ulëta”. Në vitin 2015 ishin deri në një milion refugjatë që erdhën në Gjermani.

Në garë me Merkelin
Schulz aktualisht e ka të vështirë. Ai rrezikon të dështojë në zgjedhjet parlamentare më 24 shtator – sipas sondazheve SPD-ja është sërish në pozitën si para efektit Schulz, pra në kuotën historike më të ulët prej 25%. Nuk përjashtohet, që rezultati mund të jetë aq i dobët, sa edhe pozicioni i tij si kryetar i partisë të rrezikohet. Gjatë javëve të fundit ai është përpjekur të pozicionohet me nisma dhe tema dhe ta sulmojë CDU-në e Merkelit. Tri zgjedhje parlamentare të humbura në lande janë një barrë e rëndë për SPD-në dhe Schulz-in.
Në përpjekjen e tanishme, për t’u pozicionuar me temën e Italisë, Merkel i parapriu atij. Ajo telefonoi – ndonëse ishte me pushime – të mërkurën (26.07) me kryeministrin Paolo Gentiloni. Kancelarja i premtoi Romës mbështetje në përballimin e sfidave lidhur me migracionin, vuri në dukje zëdhënësja qeveritare Ulrike Demmer (26.07). “Kancelarja iu bashkua planit të mbështetur së fundi edhe nga Franca, që të forcohen komunat në Libi përgjatë itinerarit të refugjatëve, në mënyrë që me masa të tilla t’u kundërvihen bizneseve të kontrabandistëve në këtë vend”. Në gusht, pas pushimeve të verës, Merkel do të konsultohet edhe një herë për gjendjen me UNHCR-në.

Ndihmë nga Gjermania për Italinë
“Udhëtimi në Itali i Martin Schulz është thjesht një turizëm në luftën elektorale”, tha sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber (27.07) për gazetën “Passauer Neuen Presse”. Schulz prej kohësh mund të kishte kontribuar. Por përkundrazi, thotë Tauber, SPD-ja i ka bllokuar vendimet gjatë dhe “vazhdon ta bëjë këtë gjithmonë, kur është fjala për përfshirjen e vendeve afrikanoveriore në listën e vendeve të sigurta”. Në fundjavë Schulz kërkoi një shpërndarje më të drejtë të refugjatëve në Europë. Konkretisht ai propozoi mbështetje financiare nga Brukseli për vendet e BE-së, nëse ato i pranojnë refugjatët. Por në fakt Italia nuk është lënë vetëm. Megjithatë Italia nuk ia ka dalë, që në kuadër të programit europian për shpërndarjen e refugjatëve të ndërmjetësojë për numrin e refugjatëve të ofruar nga Gjermania, shkruan gazeta “Die Welt”. Nga 5520 vende të ofruara të programit “Relocation” 1499 syresh nuk janë shfrytëzuar. Së fundi Berlini i ofroi Romës që në vend të dy avioneve charter me kapacitet për deri në 500 vetë, të ofrojë edhe një të tretë për 750 refugjatë, që aplikojnë për azil.
Sidoqoftë sulmi i Schulz prek tek themra politike e Akilit të kancelares Merkel. Një rihapje e krizës së refugjatëve sërish do të forconte partinë radikale AfD, vota këto që do t’i kushtonin CDU-së së Merkelit. Pikërisht në vitin 2015 në valën e krizës dramatike të refugjatëve ndodhi që Merkel humbi pikë simpatie në popull. Edhe sikur tema të hapet sërish, Merkeli tashmë nuk ka mbetur kancelarja e “mirëseardhjes” si atëherë. Ajo ndërkohë është për një politikë të diferencuar dhe të strukturuar për refugjatët.

Exit mobile version