Mitt Romney ka lavdëruar Donald Trumpin, duke thënë se ka shumë shpresa se presidenti i zgjedhur mund ta çojë vendin drejt një të ardhmeje më të mirë. Kështu u shpreh guvernatori republikan pas darkës së tij me presidentin e ri Donald Trump dhe kryetarin e Partisë Republikane, Reince Priebus në New York, qëndrim në fakt që ka befasuar shumë njerëz duke pasur parasysh kritikat që ai ka shprehur kundrejt Trumpit gjatë fushatës presidenciale.
Kandidati republikan presidencial për zgjedhjet e vitit 2012 darkoi me presidentin e ri në një restorant francez në Manhattan gjatë mbrëmjes së ditës së martë. Ky ishte takimi i tij i dytë që pas zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit dhe zhvillohet në një kohë kur Donald Trump pritet të zgjedhë të preferuarin e tij për postin e sekretarit amerikan të Shtetit.
Teksa fliste përballë reporterëve pas përfundimit të darkës zyrtare, Romney ofroi përshtypje mjaft të mira për tranzicionin e Trumpit deri tani dhe për fitoren e tij të jashtëzakonshme kundër kandidates demokrate Hillary Clinton. Romney, ndoshta duke marrë për bazë eksperiencën e tij në zgjedhjet presidenciale, tha se nuk është aspak e lehtë të fitosh, duke shtuar gjithashtu se Trumpi kishte ofruar një vizion që “e bashkoi popullin amerikan në një mënyrë tepër të fuqishme që nuk ishte parë prej kohësh”.
Këto komente të Romney-t janë një distancim i plotë nga qëndrimi që ai ka mbajtur gjatë fushatës presidenciale, kur e ka kritikuar ashpër Donald Trumpin, madje e ka quajtur “të shtirur” dhe “mashtrues” që lëshonte premtime pa vlerë. Admirimi i “rigjetur” i Romney-t për Trumpin nuk ka kaluar i pavënë re dhe përdoruesit e mediave sociale, të cilët nuk kanë vonuar aspak për të shfaqur befaqinë e tyre ndaj ndryshimit kryekëput të guvernatorit republikan pas zgjedhjeve.
Shumë shpejt janë përhapur në rrjetet sociale fotografi të Donad Trumpit dhe Mitt Romney-t duke darkuar së bashku dhe duke buzëqeshur me gjysmë ngërdheshje, si provë të pozicionit të sikletshëm në të cilin ndodhet aktualisht Romney.
Pas darkës së republikanëve, “CNN” pyeti presidentin e ri Donald Trump nëse Romney do të jetë sekretari i ardhshëm i Shtetit, pyetje ndaj së cilës u përgjigj: “Do të shikojmë se çfarë do të ndodhë më pas”. Nga ana tjetër, Romney foli për reporterët në lidhje me darkën, të cilën e përshkroi si një “mbrëmje të mrekullueshme” me Trumpin. “Patëm një tjetër diskutim për çështje të ndryshme për të gjithë botën dhe këto diskutime që kam bërë me të kanë qenë tepër frymëzuese dhe interesante. Jam kënaqur shumë me bisedat tona”, vazhoi ai.
Duke vazhduar më tej me lavdërimet e shumta për presidentin e ri, Romney shtoi: “Meqë ra fjala, nuk është aspak e lehtë të fitosh zgjedhjet. Këtë e di shumë mirë. Ai arriti të bëjë diçka që nuk ia arrita dot. Ai fitoi zgjedhjet presidenciale. Trump vazhdon të shpërndajë mesazhin e tij të gjithpërfshirjes dhe të bashkimit të njerëzve. Ky është një mesazh që ka arritur të bëjë bashkë një numër të jashtëzakonshëm amerikanësh”.
Pavarësisht të shkuarës së tyre të vështirë, Trump dhe Romney nuk kanë shprehur as shenjën më të vogël të armiqësisë, madje as të mungesës së mirëkuptimit me njëri-tjetrin, teksa kamerierët e restorantit luksoz u shërbenin vaktin e tyre. Të tre republikanët që ishin mbledhur për të darkuar u shfaqën tepër të kënaqur e të buzëqeshur, siç ka raportuar edhe një reporter i “CNN”-it që ndodhej në sallën e restorantit.