Nga Ervis Iljazaj
Rast i arrestimit të Jorgo Goros, kryetarit në detyrë të Bashkisë Himarë ka hapur edhe njëherë diksutimin mbi çështjen e pronave në Shqipëri. Një problem dhe një gangrenë e madhe e tranzicionit shqiptar. Problemi i pronave bëhet më domethënës dhe shkakton një luftë më të madhe politike, kur del në pah në një vend të lakmueshëm turistik siç është Himara. Përtej çëshjteve të pronave, rasti i Goros duhet të vërë në diskutim edhe njëherë ligjin për investimet strategjike dhe statusin e investitorit strategjik, që shpesh herë ka shërbyer për të rrëmbyer pronat qytetarëve nëpërmjet ndikimeve politike të qarta, siç është rasti i Himarës.
Problemi nuk është në vetvete statusi i investimeve strategjike dhe qëllimeve që ai mund të ketë për zhvillimin e turizmit. Është e qartë se pa investime të mëdha dhe pa industrinë e turizmit ky sektor nuk mund të zhvillohet. Bregdeti i Jugut që të jetë konkurues me fqinjët, të cilët janë kolosë të turzimit botëror ka nevojë për investime strategjike. Megjithatë ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto vite është fakti se të tillë janë shapallur në shumicën e rasteve njërëz afër pushtetit apo persona që i gjen kudo sa herë që ka pasuri publike për t’u ndarë.
Ka një karakteristikë të investitorëve strategjikë në Shqipëri. Janë shumica, ose pothuajse të gjithë vendas. Si ka mundësi që asnjë kompani e huaj apo person fizik i tillë nuk është shpallur investitor strategjik. Nuk është turizmi shqiptar për të huajt një investim i duhur? Nuk është kthyer ende Shqipëria atraktive për investime të huaja të rëndësishme për këtë sektor, apo thithja e këtyre investimeve ka të bëjë me problemet e Shqipërisë?
Sepse fakti që deri më tani kemi vetëm investitorë strategjikë vendas bën që dyshimet për ndikime politike dhe klientelizma të jenë të mëdha. Ashtu sikurse na i vërtetojë rasti i Himarës me Jorgo Goron.
Një nga problemet thelbësore për sa iu përket investimeve të huaja për gjatë gjithë tranzicionit ka qenë mungesa e përhershme e koorporatave ndërkombëtare dhe multinacionale në tregun shqiptar. Ato multinacionale kanë munguar sidomos në sektorin e turzimit. Pa investime të tilla nuk ka rritje cilësore të ekonomisë shqiptare. Për shumë arsye. Për arsye se investojnë në financa, në teknologji, në rritjen e kulturës së biznesit, në rritjen e punësimit dhe kushteve të tij, apo edhe në zhvillimin e kapitalit human.
Përgjatë gjithë tranzicionit askush nuk mban mend, me përjashtim të ndonjë rasti të vogël, një logo apo një emër të madh të koorporatave të rëndësishme botërore. Të gjitha investimet e huaja, vijnë si pasojë e bizneseve jo të rëndësishme të cilat përfitojnë shpeshherë nga kontesti politik dhe nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pa patur një ndikim ekonomik afatgjatë.
Pothuajse asnjë nga multinacionalet e rëndësishme nuk ka shkelur asnjëherë në tokën shqiptare si Nestle, Ikea, McDonalds apo ndonjë tjetër. Meqë jemi dhe afër periudhës së turizmit bregdetar, është e udhës të përmendin faktin se asnjë nga operatorët e rëndësishëm turistikë nuk ndodhet në Shqipëri, me gjithë potencialin e saj.
Atëherë si shpjegohet ky fakt?
Sipas të gjitha teorive të ekonomisë ndërkombëtare dy janë faktorët që ndikojnë në investimet e huaja.
I pari është faktori i tregut: dimensioni i tij, kostot, subvencionet, sistemi fiskal dhe një krah pune që më shumë se i lirë kërkohet të jetë i specializuar.
Për të gjithë nga këta faktorë gjithsecili mund të japë mendimin e tij se në çfarë niveli Shqipëria i ofron ato. Ky është një diskutim që kërkon më shumë se sa një editorial gazete.
Ndërsa, për sa i përket faktorit të dytë që ndikon në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare ka të bëjë me kontekstin. Në këtë drejtim janë të rëndësishme cilësia e institucioneve, një administratë publike efikase, sistemi i drejtësisë si dhe korrupsioni.
Andaj, nëse duam që të jemi tërheqës për koorporatat ndërkombëtare, të cilat me të vërtetë kanë impakt në zhvillimin ekonomik afatgjatë, të gjithë këta indikatorë duhet t’i kemi në nivelet më të larta se çdo vend tjetër fqinj. Në të kundërt, diskutimet mbi investimet e huaja në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë pjesë e konsumit politik të përditshëm dhe jo si një strategji makro për t’i tërhequr ato.
Shumë nga këta indikatorë dukshëm Shqipëria i ka në nivele shqetësuese. Mjafton këtu të përmendim sistemin e drejtësisë, efikasitetin e administratës publike apo krahun e punës, të cilin e kemi vetëm të lirë dhe shpeshherë të pakualifikuar për të kuptuar se përse mungojnë investimet e mëdha ndërkombëtare.
Megjithatë ka dhe një faktor tjetër të rëndësishëm i cili pengon koorporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar. Është pengesa që i ka bërë klasa politike e jona sa herë që është afruar një e tillë. Sepse të kesh në tregun ekonomik koorporata të rëndësishme ndërkombëtare, për një politikë miope si kjo shqiptare do të thotë të kesh më pak ndikim. Koorporatat e mëdha vështirë se mund t’i fusësh nën ndikimin e politikës, ashtu sikurse në mënyrë konstante kërkon të bëjë politika etatiste shqiptare./ Liberale.al