Judy Dempsey
Territori rus i Kaliningradit, i cili ndodhet mes Polonisë dhe Lituanisë, është bërë gjithnjë e më i militarizuar. Eshtë e qartë se Rusia e përdor Kaliningradin, për t’iu kanosur shteteve balltike. Sipas “Eurasia Daily Monitor”, që citon një ekspert ushtarak rus, forcat e Rusisë mund të vendosin një kontroll të efektshëm mbi Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, brenda dy deri tre ditëve. NATO nuk do të ishte në gjendje të reagonte në kohë. Vërvitet apo jo shpata ruse, aleatët e NATO-s ndihen të dobët.
Çdo vit, Estonia organizon një seri stërvitjesh ushtarake, me emrin “Stuhia e Pranverës”. Ato janë për ushtarët që sapo kanë përfunduar shërbimin. Ky është aktiviteti i “diplomimit” të tyre.
Por, që kur Rusia pushtoi një pjesë të Ukrainës në vitin 2014, “Stuhia e Pranverës” ka fituar një domethënie shumë më të rëndësishme. Tashmë, ushtrimet stërvitore janë më shumë për të projektuar një shfaqje force dhe vetëbesimi, me një pjesëmarrje në rritje të aleatëve të NATO dhe atyre që nuk janë në NATO.
Kriza e Ukrainës ka qenë një katalizator për vendet anëtare dhe jo anëtare të NATO-s, që të punojnë shumë më ngushtë dhe për të përmirësuar ndërveprimin operacional. Të ecurit vetëm në çështjet e sigurisë, as nuk duhet menduar.
“Stuhia e Pranverës” për këtë vit nisi në 2 maj dhe zgjati 17 ditë. Në të morën pjesë shumë vende kryesore të NATO-s. Shtetet balltike, Polonia, Kanadaja, Holanda, Britania dhe SHBA kanë ofruar pajisje, avionë gjuajtës F-15 si dhe avionë të tjerë luftarakë. Finlanda dhe Suedia, dy vende që nuk janë anëtarë të NATO-s kanë marrë pjesë gjithashtu, teksa në terren kanë zbritur mbi 6000 trupa.
Në letër, e gjithë kjo tingëllon shumë mbresëlënëse. Por zyrtarë të NATO-s thanë për Carnegie Europe se një stërvitje si kjo nuk do ta frenonte dot Rusinë, në rast të një sulmi. “E vërteta është se ne kemi hendeqe, në shumë drejtime të aftësive tona”, tha një zyrtar i lartë, që foli me kushtin të mbetej anonim. “Aleatët lindorë po presin që në Varshavë të ketë hapa më konkrete për rritjen e sigurisë së rajonit”, shtoi ai, duke iu referuar samitit të NATO-s, që do të mbahet në kryeqytetin polak, në korrik 2016.
Në samitin e saj të fundit në Uells, në vitin 2014, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord për një seri masash siguruese për të rritur sigurinë në radhët e saj në lindje. Plani i Veprimit i gatishmërisë supozohet që ta bëjë Aleancën të aftë për të reaguar menjëherë, në rast se shfaqen sfida të reja mbi sigurinë e saj.
Që atëherë, NATO ka kryer stërvitje të shumta ushtarake në rajon. Rusia është përgjigjur, dhe jo vetëm me retorikë të ashpër. Territori rus i Kaliningradit, i cili ndodhet mes Polonisë dhe Lituanisë, është bërë gjithnjë e më i militarizuar. Eshtë e qartë se, Rusia e përdor Kaliningradin, për t’iu kanosur shteteve balltike. Sipas “Eurasia Daily Monitor”, që citon një ekspert ushtarak rus, forcat e Rusisë mund të vendosin një kontroll të efektshëm mbi Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, brenda dy deri tre ditëve. NATO nuk do të ishte në gjendje të reagonte në kohë. Vërvitet apo jo shpata ruse, aleatët e NATO-s ndihen të dobët.
Kjo ndjesi pasigurie ka fituar një dimension të ri tek fqinjët veriorë të Estonisë. Në Finlandën dhe Suedinë neutrale, po ndodh një debat i madh në lidhje me marrëdhëniet e vendit me NATO-n, dhe si të bëhet rajoni më i sigurtë. Një raport i ri i porositur prej Ministrisë së Jashtme të Finlandës, i cili sheh pasojat e mundshme të një anëtarësimi të Finlandës në NATO, ofron një ide të kthjellët për tre arsye kryesore.
Së pari, Finlanda neutrale nuk ka më iluzione për Rusinë. “Si një fuqi e pakënaqur, Rusia e ka shndërruar paparashikueshmërinë në një virtyt strategjik dhe taktik, i cili mbështetet prej një shkalle mbresëlënëse zhdërvjelltësie politike dhe ushtarake”, thuhet në raport. “Ajo e sheh Aleancën e Atlantikut si kundërshtar dhe e konsideron zgjerimin e NATO-s, si një rrezik ndaj sigurisë së saj kombëtare”.
Në lidhje me këtë, raporti shpall kategorikisht se, Rusia do të përpiqej të dëmtonte çdo përpjekje nga ana e Finlandës apo Suedisë, për të hyrë në NATO. Të dy shtetet dhe NATO do të duhej të ishin gati, për t’iu kundërvënë përpjekjeve të tilla.
Aspekti i dytë i rëndësishëm i këtij raporti, është pyetja se si të plotësohet vakuumi i sigurisë në këtë pjesë të Europës verilindore. BE nuk është në një pozicion për t’u marrë me këtë çështje. Ajo thjeshtë nuk ka institucione, apo aftësinë për të adresuar këto shqetësime strategjike. Po kështu, raporti parashikon që BE nuk do të zhvillojë një politikë sigurie dhe mbrojtje të fortë dhe të përbashkët në të ardhmen e afërt. Me fjalë të tjera, i bie barra NATO-s që të ofrojë sigurinë dhe strategjinë për rajonin.
Pika e tretë ka të bëjë me marrëdhënien mes Finlandës dhe Suedisë, dhe si këta dy vende shohin marrëdhëniet e tyre të ardhshme me NATO-n. Për disa dekada, Helsinki dhe Stokholmi kanë bashkëpunuar në një sërë çështjesh, që nga hyrjet së bashku në BE në vitin 1995, deri tek mbajtja e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.
Ky bashkëpunim, sipas raportit, është shumë i rëndësishëm. Ai përbën një hapësirë të përbashkët strategjike. Dhe për shkak të kësaj, të dy vendet kanë arsye imponuese për të bërë të njëjtat zgjedhje themelore në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen e tyre të ardhme, qoftë duke konverguar me NATO-n (pa iu bashkuar), ose duke u bërë anëtarë të Aleancës.
Problemi është se çdo divergjencë në interesa do ta linte Finlandën strategjikisht të dobët, nëse Suedia do të anëtarësohej në NATO – dhe e anasjellta. Nuk ka dyshim që Rusia do të vazhdojë të paralajmërojë të dy vendet që të mos hyjnë në NATO. Por ky lloj presioni mund të kundërgodasë. Ndikimi i Rusisë tashmë po bën Suedinë dhe Finlandën të punojnë më ngushtë me NATO-n.
Duke u rikthyer në Estoni, ministri i Mbrojtjes, Hannes Hanso po vendos shumë theksin mbi bashkëpunimin për mbrojtjen në Balltikun verior, me partnerë anëtarë ose jo të NATO-s. “Në lidhje me vendet nordike, pyetja se kush është dhe kush nuk është anëtar i NATO-s, nuk duhet të na ndalë që të bashkëpunojmë në të gjithë nivelet”, tha ai. “Ka një mirëkuptim të qartë në lidhje me atë që duhet të bëjmë së bashku, dhe si mund të bashkëpunojmë. Çdo vijë ndarëse, që për mendimin tim janë artificiale kur vjen puna tek siguria, po zhduket”. Ndërkohë, mund të pritet që Rusia të vazhdojë të dëmtojë këtë bashkëpunim në rritje.