Kërkesat polake për reparacione i rëndojnë që prej verës së kaluar raportin gjermano-polak. Tani përmendet për herë të parë një shifër konkrete. Kurse qeveria gjermane e sheh problemim të zgjidhur përfundimisht. Kanë kaluar gati 73 vjet, që kur ka marrë fund Lufta e Dytë Botërore, por sërish kanë shpërthyer grindje për dëmshpërblimet e krimeve gjermane të luftës në Poloni. Deputeti i partisë në pushtet në Poloni “E drejta dhe drejtësia” (PiS), Arkadiusz Mularczyk e llogariti tani vlerën e shkatërrimeve dhe humbjeve të shkaktuara nga gjermanët në 850 miliardë dollarë (që të konvertuara janë 685 miliardë euro). Sipas të dhënave të politikanit nacionalkonservator, këto vlerësime të reja bazohen në përllogaritje të zyrës polake për dëme lufte të vitit 1947, të cilat tani u aktualizuan. “Ne flasim për shuma shumë të mëdha, por të argumentuara dëmshpërblimi për krimet e luftës, për qytete dhe fshatra të shkatërruara dhe për potencialin e humbur demografik të vendit tonë”, i tha Mularczyku stacionit PolsatNews.
Dëmshpërblim për “humbjet gjigante”
Deputeti i PiS drejton që prej shtatorit një grup parlamentar në Sejm, detyra e të cilit konsiston në bilancimin e humbjeve polake në luftë, për t’u ofruar politikanëve argumente për negociata eventuale. Në vitin 1989 – pas fundit të luftës së ftohtë – Polonia dhe Gjermania nisën një proces pajtimi dhe mirëkuptimi. Politikanë të të dyja vendeve bënë përpjekje, që ta ndanin politikën aktuale nga e kaluara, pa i harruar krimet nacionalsocialiste. Kërkesa të reja për reparacionet u paraqitën për herë të parë në vitin 2005 – pas marrjes së pushtetit nga PiS. Por ato nuk patën pasoja, sepse kampit nacionalkonservator iu desh ta dorëzonte shpejt pushtetin. Në verë 2017, shefi i PiS Jaroslaw Kaczynski e vuri sërish në tryezë këtë temë delikate. Ai foli për “humbje gjigante” dhe shpalli një “kundërofensivë historike”. “Polonia nuk ka hequr kurrë dorë nga reparacionet. Ata që mendojnë kështu e kanë gabim”, theksoi Kaczynski.
Gjermania nuk pranon
Qeveria gjermane reagoi në mënyrë refuzuese. Zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Ulrike Demmer tha se, Gjermania e mban politikisht, moralisht dhe financiarisht përgjegjësinë e saj historike, por çështja e reparacioneve është rregulluar tashmë përfundimisht juridikisht dhe politikisht. Shërbimi shkencor i Bundestagut Gjerman e mbështeti këtë pozicion të qeverisë në Berlin. Të gjitha pretendimet për shkak të krimeve gjermane në Luftën e Dytë Botërore e kanë humbur më e vonta më 1990, me përfundimin e Marrëveshjes Dy-plus-Katër, vlefshmërinë e tyre, thuhet në një ekspertizë. Kjo marrëveshje ka fuqinë e një “vije përfundimtare nën çështjen e reparacioneve”. Veç kësaj, qeveria polake hoqi dorë edhe zyrtarisht në vitin 1953 nga kërkesa të tjera për reparacione. Palën polake këto argumenta gjermane nuk e impresionuan. Ekspertë të Parlamentit polak arritën në përfundimin që si juridikisht, ashtu edhe politikisht pretendimet janë të hapura. Ekspertët polakë i vunë pikëpyetje ligjshmërisë së qeverisë polake, e cila në vitin 1953 ishte nën urdhërat sovjetikë, duke vendosur kundër interesave vetjake, u tha.
Kujtimi si kthim i kritikave
“Polakët kanë marrë deri tani vetëm një përqind të kompensimit, që kanë marrë qytetarët në shtetet perëndimore ose në Izrael, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki në intervistë me revistën “Der Spiegel”. Kjo në një kohë kur humbjet tona në raport me numrin e popullatës kanë qenë më të lartat në botë”. Ekspertët gjermanë dhe publicistët megjithatë besojnë që kërkesat e reja polake për reparacione nga ana e PiS bëhen për shkaqe të politikës së brendshme: “Në fakt nuk bëhet fjalë për krimet e padiskutueshme të Wehrmachtit dhe të SS në Poloni gjatë pushtimit në vitet 1939 deri 1945”, shkruan gazetari Sven Felix Kellerhoff i gazetës “Die Welt”. “Shumë më tepër bëhet fjalë për të ushqyer emocionet antigjermane – prandaj edhe shifrat gjigante”. Kurse kolegu i tij. Michael Thumann i gazetës “Die Zeit” mendon: “Sot Arkadiusz Mularczyk dhe PiS e përdorin kujtimin si kthim të kritikave, kur Brukseli dhe Berlini i kritikojnë partinë për shndërrimin autoritar të shtetit”.