Përse Rama nuk e uroi Presidentin e ri të PE?

Edi Rama duket se nuk e ka pritur mirë zgjedhjen e Antonio Tajanit, në krye të Parlamentit Evropian. Zoti Tajani është presidenti i këtij organizmi që prej datës 16 janar, ku fitoi me 351 vota kundrejt kundërshtarit të tij të majtë Gianni Pitella… Nga të gjithë kryeministrat e vendeve evropiane, anëtare ose jo të BE-së, Rama është i vetmi që edhe sot e kësaj dite nuk ka bërë ende një urim për zgjedhjen e tij. Tajanin e ka uruar Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kreu i opozitës Lulzim Basha dhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta, por nga ana e Kryeministrisë ka vetëm heshtje. Në faqen kryeministria.al si lajm i parë është vizita e tij në Singapor, (e cila është përkthyer si një arrati për të mos qenë as në Shqipëri ditën kur Trump merr detyrën), ndërsa menjëherë pas saj vjen një njoftim për një galeri arti që do na çelet në Tiranë. Një event shumë i madh ky! Në faqen e tij zyrtare në Facebook, ndodhet një foto e amarcordit siç ai preferon ta quajë ku flet për deputetët e 1921, si dhe shtrëngimi i duarve me kryeministrin e Singaporit. Por asnjë fjalë, asnjë rresht urimi për njeriun që në gati tre vitet e ardhshme do të drejtojë Parlamentin Evropian, atë parlament i cili merr vendimet më të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë. A mund të funksionojë kështu një Kryeministër?! Natyrisht që Rama s’kish si e mbështeste Tajanin, një ndër figurat e spikatura të së djathtës italiane, dhe kjo për shumë arsye. Por Rama si një fëmijë grindavec, harron se është kryeministër dhe Parlamenti Evropian nuk është domein i tij. Deputetët atje nuk janë as Taulant Balla dhe as Erion Braçe, që të votojnë sipas preferencave të Kryeministrit. Parlamenti Evropian nuk ecën me deviza komuniste izolacioniste dhe inatçore si ajo që shfaq Kryeministri. Martin Shultz kur u zgjodh në krye të Parlamentit Evropian në vitin 2012, u përshëndet nga të majtë dhe të djathtë, dhe në Shqipëri. Edhe në mandatin e dytë në vitin 2014 po ashtu. Vetë Rama personalisht e ka përshëndetur dy herë, një herë kur ishte në opozitë dhe një herë si kryeministër, duke e quajtur “garantin e standardeve demokratike”… Atëherë pse ky standard me Tajanin?

Humbja e Pitella-s

Ndërkohë, Giani Pitella anëtar i Partisë Socialiste italiane që nga viti 1979, njihet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Ramës. Në mars të vitit 2013, madje do ishte një ndër kumbarët e marrëveshjes së 1 prillit mes tij dhe Metës. Në postin e zëvendës/presidentit Evropian do të jepte deklarata të cilat më pas rezultuan të rreme dhe në mbështetje të kryerilindasit, siç ishte ajo e nëntorit të 2015, kur premtoi që në 2016 do të hapen negociatat, ndërsa anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të bëhej në vitin 2019… Gianni Pitella do të ishte ndër të parët zyrtarë pas marrjes nga Rama të pushtetit që do të takonte ortakun e tij në Ballkan. Gianni Pitella, ishte ai që e mbështeste në çdo marri kryeministrin tonë. Ishte ai që zbuste raportet për krimin dhe korrupsionin në Parlamentin Evropian, ishte ai që mbyllte sytë për drogën dhe kështu me radhë. Ndaj humbja e tij, njësoj si humbja e Klintonit në SHBA, për Ramën me sa shihet është e papranueshme. Ndoshta tek këta figura, ai kish menduar të ngrinte dhe mbante pushtetin e tij politik, me skenarët e manipulimit të votave dhe blerjen e tyre, me futjen e kriminelëve në lista, të cilat për Pitella-n dhe të tjerë si ai konsideroheshin normale. Por këto plane me sa duket ia prishi një herë e mirë era e së djathtës që po fryn ngado në Evropë. E para ishte SHBA, më pas Renzi, dhe tashmë së fundmi dhe Pitella. Ramës si ka ngelur më gjë tjetër vetëm se të kërkojë aleatë në Azi, si në rastin e djeshëm që u arratis në Singapor…

Basha: Tajani, mik i jashtëzakonshëm i PD

Sot i përcolla urimet e mia Antonio Tajanit, Presidentit të sapozgjedhur të Parlamentit Europian. Tajani është jo vetëm nënkryetar i Partisë Popullore Europiane ku bën pjesë Partia Demokratike, por edhe një mik i jashtëzakonshëm. Si zëvendës/President i Komisionit Europian dhe Komisioner i BE, ai ka mbështetur përherë përpjekjet e Shqipërisë për zhvillim ekonomik. Jam i lumtur për zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit Europian që do të më japë mundësinë të punojmë së bashku për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë në BE.?

Nishani: Mbështetje zgjerimit të Ballkanit Perëndimor

Zgjedhja juaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme.
Jam i bindur se nën lidershipin tuaj, Parlamenti Evropian jo vetëm që do të kontribuojë në adresimin me sukses të sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe qytetarët e saj, por do të vijojë t’i japë një mbështetje thelbësore procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Integrimi evropian mbetet objektivi strategjik më madhor për Shqipërinë dhe Ju siguroj se institucionet shqiptare janë të angazhuara për përmbushjen në një kohë sa më të shkurtër e me sukses të prioriteteve kyçe dhe standardeve të nevojshme që do t’i mundësojnë vendit hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian. Mbështetja Juaj dhe e Parlamentit Evropian janë thelbësore në këtë proces. Me dëshirën për t’ju takuar në një rast sa më të afërt, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Meta: Urimet më të përzemërta Tajanit

Me kënaqësi të veçantë mirëpritëm zgjedhjen Tuaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian dhe me këtë rast më lejoni në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta për detyrën e re fisnike që ndërmerrni. Shpreh bindjen e plotë se me eksperiencën e gjerë që gëzoni në institucione të rëndësishme të Bashkimit Evropian, do të kontribuoni në forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit, si një nevojshmëri gjeo-politike evropiane, ndaj dëshiroj të rikonfirmoj vullnetin tonë të plotë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian. Kam patur kënaqësinë të takohemi së bashku në të kaluarën dhe shpresoj të rishihemi së shpejti, ndaj përfitoj nga rasti t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Shqipëri ku do të kemi mundësi të diskutojmë nga afër rreth bashkëpunimit tonë në të ardhmen.
Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të mira për një veprimtari Tuajën plot përgjegjësi dhe suksese, lutem pranoni, i nderuar President, ndjenjat e konsideratës  time më të lartë.

Artikulli paraprakRendi i ri botëror dhe samiti i Davosit
Artikulli tjetërFaqja e pare