Përse Rama nuk prodhon dot më fajtorë për dështimin e tij?

Nga Red VARAKU

Nëse Rama ka pasur një dhunti, që kurrsesi nuk i duhet mohuar, është që pas çdo dështimi ka qenë i aftë për të prodhuar ‘fajtorë’, për të shmangur përgjegjësinë dhe për të justifikuar dështimet e tij.

Gjatë mandatit të parë, jo vetëm që dështoi me të gjitha reformat, por e ktheu Shqipërinë në Kolumbinë e Europës duke e kanabizuar çdo cep të saj. Por, për këtë dështim në vend që të merrte përgjegjësinë, sajoi menjëherë një fajtor dhe kësisoj ia la fajin ‘drejtësisë’ së korruptuar.

Pra, njeriu që ra në një shtrat me Ilir Metën, u mbars dhe polli një ‘fajtor’ të ri, që ishin prokurorët dhe gjygjtarët. Për këtë shpiku dhe ‘nevojën’ për një reformë në drejtësi.

Pjesë e operacionit për reformimin e drejtësisë, u bënë edhe ndërkombëtarët, të cilët e ‘hëngrën ‘ këtë llokum shoqëruar me ca miliona euro dhe dollarë.

Mandati i dytë rezultoi me një breshëri skandalesh të njëpasnjëshme, ndër më skandalozët ishte ai i përfshirjes së vetë atij dhe elitës socialiste në trafik droge dhe vjedhje votash. Më pas vjen korrupsioni kapilar, asgjësimi i procesit politik, përgjimet, protestat masive dhe dalja e Opozitës jashtë institucioneve.

Sërish për të justifikuar këtë dështim, ai e gjeti ‘fajtorin’ tek Lulzim Basha dhe frika e Opozitës nga reforma në drejtësi.

Përdori të gjithë artilerinë e rëndë të pushtetit dhe mercenarët e tij brenda dhe jashtë PD-së për ta rrëzuar, por vetëm se ia forcoi pozitat, duke e kthyer në lider të padiskutueshëm brenda demokratëve.

Bllokimi i integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut erdhën si pasojë e këtij qëndrimi të papërgjegjshëm.Por, edhe këtë herë ai nuk mbajti asnjë përgjegjësi, si fjala vjen Zaev, por nisi një fushatë të pashpresë kundër Perëndimit.

Më pas, sërish me papërgjegjshmërinë e tij, duke fajësuar Perëndimin, u angazhua në një projekt anti-perëndimor, të frymëzuar nga Moska, projekti i Jugosllavisë së re, i cili u bllokua menjëherë nga SHBA.

Pra, prej shtatë vjetësh ky njeri nuk ka ditur kurrë të mbajë përgjegjësi, por ka ditur që pas çdo dështimi të gjejë gjithmonë një fajtor.

Por, pas daljes së Opozitës nga sistemi, pasi ka kapur të gjitha pushtetet, parlamentin, pushtetin lokal, drejtësinë, u mendua se ky njeri do të merrte përgjegjësitë dhe nuk do të nxirrte më asnjë justifikim.

Por, me sa duket është e kotë. Ky njeri nuk di të ndalet . Ai nuk di të mbajë kurrë përgjegjësi. Edhe tani që i ka vetë të gjitha, timonin edhe tepsinë, e ka gjetur sërish një ‘fajtor’: popullin.

Artisti e shikon veten të shkëputur nga populli i tij. Në Perëndim hiqet si fatkeq që i ka rënë për hise ky popull. Një popull që nuk është aq i kulturuar dhe i qytetëruar sa ta kuptojë madhështinë e ideve të tij.

Bredh kudo si i turpëruar për popullin që përfaqëson, duke u justifikuar se nëse do të kishte një popull tjetër, që ta kuptonte vizionin e tij, gjërat do të ishin krejt ndryshe.

Në fakt për këtë ka disi të drejtë, sepse nëse vërtet do të qeveriste një popull tjetër, me këtë rrumpallë që ka bërë rrezikonte jo vetëm përmbysjen me dhunë, por edhe arrestimin dhe izolimin përjetësisht.

Artikulli paraprakBozdo: Sot Brukseli foli për Shqipërinë, Rama të mos e përdorë donacionin për të treguar se…
Artikulli tjetërFuten në grevë urie edhe punonjësit e Uzinës në Ballsh (Video)