Përse u acaruan liderët kinezë me Trumpin?

TIME
Donald Trump sugjeroi të dielën se Shtetet e Bashkuara mund të mos ndihen të lidhur në të ardhmen me bindjen se Tajvani është pjesë e “Kinës”, duke hedhur kështu dyshime mbi atë që ka qenë pjesa kryesore e marrëdhënieve kinezo-amerikane për dekada me radhë dhe duke kërcënuar të tensionojë marrëdhëniet dypalëshe.
Ditën e hënë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se qeveria e tij është “seriozisht e shqetësuar” për komentet e bëra nga presidenti i zgjedhur dhe se zhvillimi i marrëdhënieve do të varej nga shtrati politik mbi të cilin do të ruheshin marrëdhëniet kinezo-amerikane.
Në një editorial të mëparshëm në gazetën kineze të lidhur me shtetin “Global Times”, flitej me gjuhë akoma më të egër dhe thuhej se: “Në kundërpërgjigje të provokimeve të Trumpit, Pekini mund të ofrojë mbështetje, madje edhe asistencë ushtarake për armiqtë e Shteteve të Bashkuara”. Një verison në gjuhën kineze i të njëjtit artikull shtonte se Trumpí kishte “njohuritë e një fëmije për çështjet e politikës së jashtme”.
Kina dhe Tajvani janë ndarë efektivisht pas luftës civile të Kinës më 1949, kur nacionalistët u arratisën përmes Ngushticës së Tajvanit drejt ishullit. Që në atë kohë, Pekini e ka konsideruar Tajvanin një provincë tradhtare, e cila do të duhet të merret me forcë nëse do të lindë nevoja. Më 2 dhjetor, presidenti i zgjedhur amerikan i acaroi liderët kinezë duke pranuar një telefonatë nga presidenti i Tajvanit, kontakti i parë i drejtpërdrejtë ndërmjet një lideri amerikan dhe ishullit të vetëqeverisur që pas shkëputjes së marrëdhënieve formale diplomatike në vitin 1979.
Trump nuk është shfaqur aspak i penduar për telefonatën dhe ditën e dielë i acaroi akoma më shumë gjërat tek “Fox News” duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta njohin Tajvanin si pjesë të Kinës nëse bëhen lëshime të konsiderueshme nga Pekini. “E kuptoj më së miri politikën e ‘Kinë së Bashkuar’, por nuk e kuptoj përse duhet të jemi të lidhur prej kësaj politike në rast se nuk bëjmë marrëveshje me Kinën për çështje të tjera, përfshirë edhe tregtinë”, tha Trump për “Fox News”.
Presidenti Trump tha se Kina nuk kishte bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për sa i përket vlerësimit të monedhës së saj, për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe për zgjidhjen e pretendimeve territoriale në Detin e Kinës së Jugut. Ai tha gjithashtu se askush nuk mund t’i diktojë se me kë mund të flasë në telefon.
Sipas profesorit Wang Yiwei, drejtues i Institutit Ndërkombëtar të Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit, tha se kërcënimet e Trumpit nuk ishin të rrezikshme. “Nuk besoj se ai do të njohë Tajvanin si shtet të pavarur”, tha ai për revistën “TIME”. “Ndoshta po përpiqet të negociojë më shumë avantazhe për çështjen e tregtisë dhe ekonomisë, kështu thotë gjëra serioze për Tajvanin për të frikësuar lidershipin kinez. Mendoj se kjo është strategjia e tij diplomatike”.
Natyrisht, reagimi i Pekinit mund të jetë një goditje tjetër në kundërpërgjigje. Tregtia dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është vlerësuar me 558 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe Kina është zotëruesja më e madhe në botë e bonove të thesarit të Shteteve të Bashkuara me vlerë 1,19 trilionë dollarë. Edhe Tajvani është i lidhur ngushtë me Kinën, e cila merr dy të pestat e eksporteve të tij, duke i dhënë në këmbim 130 miliardë dollarë në vit.
“Është shumë i rrezikshëm”, thotë profesor Nick Bisley, një ekspert i Azisë në Universitetin La Trobe të Australisë, duke komentuar “bastin” e Trumpit, siç e quan ai. “Ka arsye përse liderët e tjerë nuk e kanë bërë këtë në të shkuarën. Tajvani është një çështje nevralgjike, një çështje tepër e ndjeshme për kinezët”.
Sipas Sheng Jiuyuan, dekan i Qendrës së Kërkimeve të Tajvanit në Akademinë e Shangait për Shkencat Sociale, komentet e Trumpit do të kenë një impakt serioz në marrëdhëniet kinezo-amerikane, pasi politika e “Kinës së bashkuar” është guri i themelit që ruan stabilitetin. “Trump është duke përdorur truket e biznesit për të trajtuar çështje të rëndësishme politike”, thotë ai. “Por kjo mund të sjellë një përballje ndërmjet Kinës dhe Tajvanit. Trumpi do të duhet të mbajë përgjegjësinë e kësaj ngjarjeje në rast se ndodh”.
Bisley beson se Trump po ndjek strategjinë e Luftës së Ftohtë të ish-presidentit Ronald Reagan, i cili vendosi në gatishmëri Forcat e Armatosura amerikane përpara se të hynte të negociata me Rusinë sovjetike. Presidenti Trump premtoi gjatë fushatës që do të shtojë shpenzimet ushtarake deri në gjysmë trilioni dollarë.
“Trump po përpiqet të jetë më vetëbesues dhe më i guximshëm me pozicionin që synon të mbajnë Shtetet e Bashkuara në marrëdhënie me Kinën”, vazhdon Bisley. “Kinezët deri tani janë treguar të zgjuar për të mos ta kapur karremin, për shkak se Trumpi nuk është ende president dhe politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar akoma”.

Exit mobile version