Përse u arrestua Ramush Haradinaj?

Ka ende pikëpyetje se përse është arrestuar Ramush Haradinaj ku dy vendime të Gjykatës së Hagës e shpallin atë të pafajshëm?
Një gjykatë në Francë vendosi që ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të qëndrojë në paraburgim derisa Serbia të bëjë kërkesën formale për ekstradim. Ai u paraqit të enjten para një gjykate në qytetin Colmar të Francës lindore, një ditë pasi u ndalua nga policia franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.
Një zyrtare e gjykatës, tha të enjten se gjykata do të vendosë nëse zoti Hardainaj do të mbahet në paraburgim, apo do të lirohet nën mbikëqyrje, deri në shqyrtimin e urdhër arrestit të lëshuar nga autoritete serbe që e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.
Policia franceze e ndaloi zotin Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse, në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë.
Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndalimin e zotit Haradinaj e quajti krejtësisht i padrejtë dhe të papranueshëm.
“I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i zotit Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë. Ne pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi krenarë që kemi luftuar kundër ligjeve diskriminuese e kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviçit, ndërkaq drejtësinë tonë e vërtetoi edhe bota e lirë dhe demokratike kur ndërmori fushatën e bombardimit të caqeve serbe”, tha presidenti Thaçi.
Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha për Zërin e Amerikës, se shteti i Kosovës i ka mundësitë e fundit që të marr masa kundër fletëarresteve të Serbisë.
“Së pari duhet të tregojmë shenjat e para të reciprocitetit, duhet ta ndalojmë dialogun me Serbinë për shkak se sjellja e Serbisë kundrejt nesh është ekstremisht destruktive. Nuk duhet t’i lejojmë zyrtarëve serb që të vijnë të bëjnë vizita në Kosovë dhe kemi kërkuar nga autoritetet e drejtësisë së Francës që ta kuptojmë ashtu siç na kanë kuptuar gjithmonë,që këto fletë arreste të Serbisë nuk kanë fare të bëjnë me drejtësi dhe janë fletëarreste politike të lëshuara kundër shtetësisë së Kosovës, kundër udhëheqësve politik të Kosovës më të rëndësishmit që i ka, nuk ka të bëjë kjo me drejtësi”, tha zoti Gjini.
Autoritetet në Serbi thanë se do të kërkojnë dorëzimin e zotit Haradinaj. Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se prokuroria ka një “numër të lëndëve kundër Haradinajt dhe askush nuk ka të drejtë që të rrënojë vendimet e organeve të drejtësisë së Serbisë. Për mua do do të ishte e palogjikshme që Franca si shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”, tha kryeministri i Serbisë, vendi i të cilit e akuzon zotin Haradinaj për krime gjatë luftës kur ai ishte komandant i njërës nga zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftonte forcat serbe.
Ramush Haradinaj, është shpallur dy herë i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.
Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.
Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhërarresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Njohësi i çështjeve të Interpolit, Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë thotë se Serbia vazhdimisht ka plotësuar fletarreste ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Në bazë të rregullave të Interpolit janë disa lloje të fletarresteve, më i famshmi është “Red Notice” fletarresti i kuq, i cili merr formë përfundimtare dhe të gjitha vendet duhet ta zbatojnë. Këtë rast i ka rënë Francës ta zbatojë me arrestimin e zotit Haradinaj të një fletarresti që e ka plotësuar Serbia prej vitit 2004 dhe deri tash aktakuza është plotësuar”, tha ai.
Zoti Avdiu thotë se fletarrestet e Serbisë kanë të bëjnë më shumë me politike dhe zakonisht ato hidhen poshtë për shkak të mungesës së provave për vepra kriminale ndaj të arrestuarve.
Urdhër arrestet janë përgjegjësi e ministrive të Brendshme të vendeve anëtare të Interpol-it dhe organizata është e detyruar t’i zbatojë ato. Më pas u takon gjykatave të vendeve ku ndodhë ndalimi që të marrin vendim rreth zbatimit apo jo të kërkesave të shtruara në urdhër arrest.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.
Të enjten autoritetet në Prishtinë i bën thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të hequr urdhër arrestet ndaj ish qytetarëve të Kosovës.

Nishani: i pajustifikuar vendimi i Francës

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dënuar arrestimin në Francë të ish-Kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AKK Ramush Haradinaj. Gjatë një interviste në emisionin “Debati” të Roland Qafokut në ‘Channel One’, Presidenti e quajti të pajustifikuar arrestimin e Haradinajt nga autoritetet franceze. “Jam i keqardhur për arrestimin e Haradinajt, është arrestim i pajustifikuar. Ka fituar procesin gjyqësor në gjykatat ndërkombëtare. Haradinaj është luftëtar i lirisë, kontributor i procesit të paqes”, është shprehur Presidenti Bujar Nishani.
Kreu i shtetit shqiptar komentoi edhe deklaratën e sotme të Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, për të cilën u shpreh se nxit urrejtje. “Deklarata e Vuçiç sot nxit urrejtjen, koha e hegjemonise serbe mbi vendet e rajonit ka kaluar. Në Serbi ka qarqe hegjemoniste që pengojnë agjendën e paqes dhe bashkëpunimit”, deklaroi Nishani.
Ramush Haradinaj u arrestua dje në Francë në bazë të një urdhër-arresti serb të lëshuar disa vite më parë që e akuzon për krim lufte, për të cilat Gjykata e Hagës e ka shpallur të pafajshëm ish-Kryeministrin e Kosovës. Ndërsa dje, Gjykata franceze e la në paraburgim Haradinajn në pritje të kërkesës për ekstradim nga Serbia.

Berisha: Ndalimi i Haradinajt, akt i qarqeve albanofobe

Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për lirimin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili u arrestua dje nga autoritetet franceze. Urdhër-arrestin e lëshuar nga Serbia në vitin 2004, në kuadër të të cilit është arrestuar ish kryeministri i Kosovës, Berisha e cilëson “mandat hakmarrës primitiv të qarqeve raciste dhe albanofobe të Beogradit”.
“U bëj thirrje autoriteteve franceze të mos bien në kurthet bizantine serbe që punojnë vetëm për destabilizimin e rajonit, por të lirojnë menjëherë zotin Ramush Haradinaj pasi të gjitha akuzat e stisura të Beogradit janë hedhur poshtë si fund e krye të pa vërteta nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”, shprehet Berisha në reagimin e tij, përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook. Ish kryeministri Berisha gjithashtu i bën “thirrje BE-së të ndërhyjë menjëherë dhe të dënoje ketë qëndrim destabilizues të Beogradit në rajon”.

Lunaçek: Haradinaj është i pafajshëm

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, i bën thirrje Bashkimit Europian të enjten të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të tërheqë urdhër arrestin e vjetëruar tashmë.
“Të mbahet një urdhër arresti tashmë të vjetëruar që nga 2004 prej Serbisë, e cila nga ana e saj është në një dialog të drejtuar nga BE me Kosovën, është totalisht e papranueshme”,-ka deklaruar raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën Ulrike Lunacek, duke iu referuar arrestimit të kryetarit të partisë AAK, Ramush Haradinaj, në Basel.
“Unë nxis Përfaqësuesit e Lartë të BE, Nën Presidenten e Komisionit Federica Mogherini, gjithashtu edhe të 28 shtetet anëtare të BE dhe vecanërisht 23 vendet e BE që e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur, të gjejnë fjalët e duhura kundrejt Serbisë që ta bindin se urdhër arreste të vjetëruar si ky është e nevojshme që të tërhiqen. Haradinaj, sic e dinë të gjithë, është deklaruar i pafajshëm dy herë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish Jugosllavi”,-ka thënë Lunacek.
Policia Franceze ka burgosur liderin e AAK dhe ish Kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti Serb në pjesën Franceze të aeroportit Basel-Mulhouse të Mërkurën.

Exit mobile version