Nga MONIKA STAFA
Prej një gjysmë shekulli të gjithë ne kemi mësuar se Shqipëria u shpall mbretëri për shkak të ambicies së shfrenuar për pushtet të Ahmet Zogut.
Ky mendim ka vazhduar edhe për gati 33 vite pavarësisht se studimet janë divulguar prej marshit politik.
Po përse ne ende kemi këtë përfytyrim?
Si qëndron e vërteta?
E gjitha rrëzohet prej një vështrimi sinkretik të historisë së sistemit politik të vendit, një histori politike e cila ende na mungon.
Qeveria kombëtare e Ismail Qemalit, të paktën deklarativisht, u njoh nga disa prej Fuqive të Mëdha.
Po Shqipëria vetë çfarë ishte në vështrimin e këtyre fuqive? Republikë? Monarki?
E vërteta është se Fuqitë e Mëdha, pikërisht më 1913, kur pranuan deklarimin e pavarësisë së Shqipërisë, vendosën ta njohin shtetin më të ri të Ballkanit si një shtet monarkik. Dhe kjo është një nga arsyet pse Ismail Qemali dha dorëheqjen. Ai mori udhët e mërgimit politik sepse pikërisht bashkëluftëtarët e vet e akuzuan se e kishte shpallur Shqipërinë të pavarur për t’u kurorëzuar vetë si mbret.
Vetëm një vit më pas Fuqitë e Mëdha ishin ato që sollën në Shqipëri një princ dhe e shpallën Shqipërinë një principatë të trashëgueshme, një monarki të rrudhur.
Kjo është arsyeja përse viti 1913 përmendet gjithmonë si një vit i mbrapshtë për Shqipërinë. Këtu morën shkas dhe shumica e fatkeqësive të saj;
Paqëndrueshmëria e sistemit politik.
Varësia prej fqinjëve të saj shovinistë.
Forca e madhe e presionit të të huajve cinikë dhe indiferentë ndaj fatit të saj dhe copëtimi i thellë i territoreve të saj.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër projektoi një status të çuditshëm për shtetin shqiptar. Një projekt me paradokse të forta konceptuale. Edhe autonom, edhe sovran. Edhe autonom, edhe neutral. Edhe sovran, edhe nën kontrollin ndërkombëtar.
Çfarë ishte ky sistem për shqiptarët dhe trojet e tyre tashmë të vjedhura edhe ndërkombëtarisht?
Ku ishin miqtë e saj? Dhe përse ata ishin tradhtuar kaq rëndë?
Nocioni i principatës që të huajt futën për ne parakuptonte një filiacion me monarkitë evropiane. Dhe ky ishte një projekt i mirë në letër sepse parashihte zgjedhjen e një princi nga Fuqitë e Mëdha.
Një sistem gjyqësor ku të huajt do të ishin ata që do të luanin rolin vendimtar, duke nënkuptuar se nën rregullimin e statusit të Shqipërisë gjithçka do të procedohej mbi bazën e një parimi ndërkombëtar.
Po ai kombëtar ku gjendej në projekt?
Rrugës e vërteta do të qe ndryshe. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit që u vendos në Vlorë nuk e njohu as formalisht qeverinë e Ismail Qemalit. Ai u konsiderua një faktor ‘lokal’, i barasvlefshëm me faktorë të tjerë, siç ishte p.sh., qeveria e Esad Pashës në Durrës apo qeverisja ushtarake ndërkombëtare në Shkodër. Dhe me këta faktorë do të mund të bashkëpunohej deri në zgjedhjen e princit.
Ishte ky Komision që sabotoi dhe kundërshtoi çdo aksion kombëtar të qeverisë së Vlorës duke çuar deri në dorëheqjen e Ismail Qemalit.
Kurthet që ju ngritën shqiptarëve pas kësaj ishin të njëpasnjëshme. Shqipëria ishte e vogël. Elita politike ishte gërrnjare dhe pa asnjë traditë shtetformuese. Nisur nga kjo fqinjët që i rrinin asaj pas për të përfituar gjithçka prej dobësisë së tyre realizuan për qejf gjithçka për të bërë të mundur të merrnin në dorë fatet e një kombi si shqiptaria.
Në vitet 1924 autoriteti më i lartë i shtetit ishte Këshilli i Lartë, me katër anëtarë, që përbënin kryesinë e shtetit. Ata mbajtën ndryshe dhe një titull qesharak; çerek-mbretër. Këshilli i Lartë ishte një krijesë e Kongresit të Lushnjës. Një përpjekje për t’i treguar Fuqive të Mëdha në një moment të rrezikshëm për shtetin shqiptar se klasa politike shqiptare gjithsesi po respektonte zgjedhjen që ato vetë kishin bërë. Kjo zgjidhje u konceptua si një gjë e përkohshme, derisa të vendosej forma e regjimit.
Gjatë gjithë periudhës deri tek shpallja formale e monarkisë (1928) Shqipëria kishte si institucionin më të lartë herë një “këshill shteti”, herë një “kryesi shteti”, e cila në fakt kryente funksionet e një sovrani polikratik pa kurorë.
Ishin të njëjtat Fuqi të Mëdha që ndryshimin formal të formës së regjimit nga republikë në monarki e pritën me një indiferencë spektakolare. I vetmi që kundërshtoi mbretin Zog në nismën e tij ishte themeluesi i Turqisë republikane M. Ataturk.
Në ç’sistem jetojmë?
Kjo pyetje e poetit filozof Lasgush Poradeci drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare në thelbin e vet, nuk është një çështje kërshërie poetike por një prej nyjave kyçe që ka kushtëzuar fatin historik të popullit shqiptar prej themelimit të shtetit kombëtar e këtej. Tronditjet e herëpashershme në sistemin politik, përmbysjet, marrja e pushtetit me dhunë, revolucionet popullore, luhatjet dhe pasiguritë, zig-zaget si dhe shumë paqartësi të tjera, janë shkaku themelor që Shqipëria e ka kaluar shekullin e vet pa e tejkaluar Rubiconin e saj.
Top Channel