Historia e Mihalit në plazhet e jugut të vendit është përsëritur sërish. Në një video që zgjat pak sekonda, pronarët e një hoteli në Livadh të Himarës tentojnë të ndalojnë me forcë turistët duke i kërkuar paratë edhe për një natë tjetër dhe për dëmet që i kishin shkaktuar në orenditë e dhomës. Një grua ulet para makinës së pushuesve, ndërsa një burrë shihet që tenton të tërheqë automjetin me forcë.
Konflikti ndodh në prani të fëmijëve të çiftit të pushuesve, njëri prej të cilëve dëgjohet të qajë.
Dy vite më parë, po në Himarë, në zonën e Porto Palermos u shënua një tjetër incident i ngjashëm, teksa Mihal Kokëdhima, pronari i një lokali tentoi të ndalojë me forcë disa turistë spanjoll të cilët ishin po ashtu të pakënaqur nga shërbimi dhe çmimet e ushqimeve. Ai arriti të hipë mbi kofanon e makinës së tyre dhe të qëndrojë mbi të për afro 5 kilometra.
Në rrjetet sociale është publikuar një bisedë në WhatsApp, ku klientët kërkojnë më shumë internet për të punuar nga dhoma, por ajo që bie në sy është fakti që gjithë kohës, pronarët përgjigjen me mirësjellje. Madje dhe duke përdorur “fjalët magjike”, si “na falni shumë, po…”.
Biseda
Pronarët: Mund të provoni të lidheni në ballkon dhe pastaj të lëvizni në dhomë.
Klientët: Ne jemi me laptop për punë dmth. S’mund të jemi offline. Dhe me kaq internet është e vështirë.
Pronarët:Më falni nuk iu ndihmoj dot më shumë se kaq. Jemi munduar për mbulim maksimal, të na falni shumë.
Klientët: Më fal të të pyes? Tharësja e flokëve ku mund të jetë këtu tek dhoma?
Pronarët: Nëse nuk ka në banjë po ua sjellim për pak.
Klientët: Ok, shumë faleminderit!
Por më pas situata ka degjeneruar dhe çifti ka vendosur të largohet nga hoteli një ditë para afatit. Kjo ka sjellë edhe përplasjen mes tyre.
Në lidhje me këtë ngjarje ka folur dhe çifti për mediat. Ata thonë se kishin rezervuar për 3 netë por janë larguar për dy netë pasi dhoma nuk plotësonte kushtet që i kishin thënë në internet.
“Arsyeja e largimit nga vila ishte sepse 2 nete kishim rezervuar, gjithashtu nuk përmbushte kushtet për të cilat ishin ofruar dhe reklamuar” sqaron denoncuesja me iniciale A.M.
Sapo kanë lënë hotelin ata kanë hasur në rezistencën e pronarëve, të cilët tentuan t`i pengojnë të largohen. E gjithë ngjarja terrorizuese ka ndodhur në prani të fëmijës 5 vjeç të çiftit.
“Në dalje të rrugës së Livadhit, në dishezën kryesore të Himarës, jemi sulmuar nga një zonjë dhe 2 meshkuj, të cilët hapën portat, sulmuan mjetin dhe kërcënuan se kanë armë” tregon denoncuesja për mediat.
Kjo ngjarje është thuajse përsëritja e skenarit të Mihal Kokëdhimës, ish-pronarit të një restoranti në Porto Palermo i cili në gusht të vitit 2019 terrorizoi disa turistë spanjollë, të cilët u larguan pasi mbetën të zhgënjyer nga shërbimi.