Parlamenti ka miratuar pa zhurmë një ndryshime në ligjin e koncesioneve të propozuara nga deputeti socialist Laert Duraj, të cilat praktikisht janë një akt ad personam dhe targetojnë dy kontrata koncesionare. Bëhet fjalë për koncesionin e rrugës Kashar-Lekaj dhe atë të rrugës Lekaj-Fier
Ligji ekzistues i koncesioneve i detyron kompanitë, që fitojnë kontrata koncesionare të ngrijnë si garanci për sigurimin e kontratës një shumë sa 5 për qind e vlerës totale të koncesionit. Por ndryshimet e miratuara nga Parlamenti në datën 4 prill e ulin, sigurimin e kontratës nga 5 për qind e vlerës së koncesionit në 5 për qind të vlerës së ndërtimit.
Në rastin e kontratave për ndërtimin e rrugëve, ndryshimi i referencës nga vlera e koncesionit në vlerën e ndërtimit sjell një ulje të ndjeshme në shumën e parave që duhet të ngrijnë kompanitë fituese të koncesioneve. Kjo pasi vlera totale e koncesionit është shumë më e madhe se sa vlera e ndërtimit për shkak se përfshin edhe mirëmbajtjen dhe koston e parasëz.
Por ky nuk është lehtësimi i vetëm. Një tjetër është ai që çliron pjesën dërrmuese të garancisë, menjëherë pas përfundimit të ndërtimit.
“Sigurimi i kontratës koncesion i punëve publike do të jetë deri në 5% të vlerës së ndërtimit, ndërsa pas periudhës së ndërtimit do të jetë deri në 5% të vlerës së mbetur të kontratës,” thuhet në nenin e miratuar.
Por pse maxhoranca i miratoi këto ndryshime ligjore? Përgjigja gjendet në nenin 7, ku është futur një dispozitë tranzitore e ndryshimeve të u miratuara.
“Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për veprimet dhe procedurat për dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private, të filluara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk zbatohen për kontratat e koncesionit të nënshkruara para hyrjes në fuqi të tij.
Ligj special
Aktualisht janë fare pak kontrata të mëdha koncesionare në ndërtim rrugësh, të cilat kanë filluar si procedura, por nuk kanë nënshkruar ende kontratën. Nje nder kryesoret eshte ajo e koncesionit te rrugës Lekaj-Fier me vlerë kontrate 320 milionë euro të fituar nga një bashkim prej 8 kompanish, ku përqindjen më të madhe të aksioneve e ka Fusha shpk me mbi 42 për qind.
Fituesit e këtyre koncesioneve janë shpallur që në shkurt të vitit të kaluar. Por edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, kontratat koncesionare nuk janë nënshkruar ende.
Një burim i mirëinformuar i tha Kapitalit se arsyeja kryesore se pse kontratat nuk janë nënshkruar ishte pikërisht insistimit i bashkimit të kompanive që fitoi koncesionin e Lekaj Fier, të cilat kanë kërkuar uljen e sigurisë së ofertë.
Mirëpo ndryshimi i ligjit duke përfshirë edhe koncesionet e filluara për të cilat nuk është nënshkruar kontrata, praktikisht i jep atij fuqi prapavepruese.
Sigurimi 5 për qind i vlerës totale të kontratës ka qenë në kushtet e tenderit. Ndryshimet e reja praktikisht kanë ndryshuar kushtet e koncesionit pas tenderit, çka ngre një pikëpyetje të madhe juridike./Kapitali.al