Përsëritja e zgjedhjeve/ PD paraqet ankimimet: Nga patronazhistët, blerja e votave deri tek ish-policët e lidhur me krimin

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Ivi Kaso dhe Marash Logu denoncuan sot në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS skemën kriminale të blerjes së votës për llogari të PS-së.

Ankimet janë të mbështetura në 5 shtylla kryesore. Shtylla e parë ka të bëjë me blerjen e votës përmes personave me të shkuar kriminale. Dy nga emrat e përmendur janë Arianit Arapi dhe Ermir Gërxhani, që sipas përfaqësuesve të PD-së kanë pasur lidhje me bandën e Shullazit dhe elementë të tjerë kriminalë, si dhe kanë pasur mbrojtje nga ish-ministri Saimir Tahiri dhe janë emëruar drejtues fushate në Gjirokastër nga drejtuesi politik i qarkut Bledi Çuçi.

“PS në qarkun e Gjirokastër kishte drejtues politik Bledar Çuçin, i renditur i katërti në listën shumëemërore. Drejtori i Fushatës ishte shtetasi Arianit Arapi, ish-shefi i policisë, i hetuar për lidhje me drogën dhe bandën famkeqe të Shullazit. Lidhja mes Çuçit dhe Arapit daton që nga viti 2017, kohë kur Çuçi kandidonte si deputet për qarkun e Gjirokastrës dhe Arapi mbante funksionin e drejtorit të Policisë së qarkut të Gjirokastrës duke u përfshirë drejtpërdrejtë në manipulimin e votave.

Sipas informacioneve zyrtare të SHISH dhe Policisë së Shtetit, ky shtetas në bashkëpunim me Andrea Çaushin, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Kalivaç të Tepelenës, madje kanë penguar forcat policore për të monitoruar këtë zonë. Ky shtetas së bashku me persona me rekorde të rënda kriminale nga Fushë-Kruja, të lidhur me bandën e Shullazit, si dhe me bashkëpunimin e drejtorit të Policisë Përmet Ermir Gërxhani kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në Përmet.

Një tjetër person me rekorde kriminale është vëllai i kryetarit të PS, Tepelenë, Dino Selimi, i cili ka shërbyer si transportues për narkotikët nga zonat malore të Tepelenës në qytetin bregdetar të Vlorës.

Sokol Feruni është një tjetër person me rekorde të tmerrshme kriminale për kultivimin e narkotikëve që është përfshirë drejtpërdrejt në fushatën e Bledar Çuçit. Ky shtetas në bashkëpunim me vëllain e tij dhe shtetasin Andi Shkurta janë të njohur për lidhjet e tyre kriminale. Për shkak të lidhjeve të mësipërme këta shtetas kanë zbatuar një skemë kriminale të blerjes së votës.

Siç jemi në dijeni, në kohën kur Ministër i Brendshëm ishte Tahiri, prokurorët e Krimeve të Rënda dërguan në gjykatë një pjesë të anëtarëve të grupit, por shpëtuan Arianit Arapi dhe Ermir Grexhani, që ishin drejtues të policisë Gjirokastër dhe Përmet. Në shkurt të 2021, Arianit Arapi, pasi ishte larguar nga Policia e Shtetit për shkak të lidhjeve me elementët kriminal, u emërua këshilltar i Ministrit të Brendshëm dhe drejtues i fushatës së PS në Gjirokastër”, tha përfaqësuesi i PD.

Artikulli paraprakTjetër provë e masakrës zgjedhore, 500 emigrantë erdhën nga Greqia dhe u bënë komisionerë të PS pa u futur në karantinë
Artikulli tjetërVrasja në Elbasan, Silvana Çeka: Pasi na goditi një makinë nga pas, burrin e bënë shoshë me plumba