Përshkallëzohet protesta kundër plehrave në Fier

Banorët e Mbrostarit në Fier kanë nisur sërish protestën ditën e djeshme kundër ndërtimit të impiantit të mbetjeve në zonën e tyre. Paraditen e djeshme ata patën një takim me prefektin e Fierit, por siç u mësua nuk gjetën asnjë zgjidhje. Prefekti i Fierit ka pritur një përfaqësi të protestuesve, të cilëve u ka shpjeguar se vendimi i Këshillit Bashkiak për impiantin e përpunimit të mbetjeve është “Nul”, pasi ende nuk është zbardhur. Banorët kërkuan me këmbëngulje një vendim konkret në lidhje me këtë çështje, ndërsa i bënë thirrje Prokurorisë që të nisë sa më parë hetimin.
Prefekti Xhevit Bushaj u tha banorëve se, ende nuk është marrë në shqyrtim çështja e impiantit dhe pse nuk është dakord me vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Fierit me votat e të majtës. Banorët u shprehën të revoltuar nga përgjigjja e prefektit dhe dolën sërish në protestë, duke bllokuar rrugën nacionale Fier-Tiranë. “Prefekti na mashtroi. Pritëm tre ditë përgjigjen e tij, por ai nuk na dha asnjë zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestën derisa të anulohet vendimi i Bashkisë për impiantin e plehrave”, u shpreh një nga protestuesit që ishte në takimin me Prefektin.
Edhe ditën e djeshme në protestë ndodheshin edhe fëmijët, të cilët mbështesin prindërit e tyre në protestën kundër ndërtimit të impiantit të plehrave. Banorët e Mbrostarit u shprehën se do të vijojnë protestat, duke paralajmëruar përshkallëzime derisa të anulohet vendimi i impiantit.
Prej dy javësh, banorët e Mbrostarit janë hedhur në protesta, duke vendosur barrikada në rrugë për të bllokuar qarkullimin e mjeteve nga Fieri në Tiranë dhe anasjelltas. Ata janë përballur edhe me dhunën policore dhe arrestimet, por nuk janë tërhequr nga protesta, përkundrazi kanë paralajmëruar se do ta përshkallëzojnë atë. Banorët pohojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat nëse nuk tërhiqet projekti i fabrikës së plehrave. Megjithë presionin, terrorin policor dhe arrestimet në mes të natës, banorët thonë se do të jenë për çdo ditë në shesh derisa të anulohet vendimi. Burra, gra, fëmijë, të moshuar, kërkojnë të mos u rrezikohet jeta nga ndërtimi i fabrikës së plehrave!
Para pak ditësh, banorët e Mbrostarit protestuan edhe para Bashkisë së Fierit. Një përfaqësi protestuesish janë futur në zyrën e Subashit, por në një kohë kur ata prisnin të gjenin një gjuhë të përbashkët me kryetarin e Bashkisë së Fierit, janë revoltuar në zyrën e të zgjedhurit të tyre. Subashi u është përgjigjur me arrogancë interesit të banorëve për anulimin e vendimit për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë. Ai u ka komunikuar protestuesve se, projekti për ndërtimin e impiantit është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak dhe nuk anulohet.
Një muaj më parë, në protesta u përfshinë edhe banorët e Njësisë Administrative Portëz, duke detyruar Bashkinë të tërhiqet nga vendimi i parë për ndërtimin e impiantit në Portëz. Protesta e banorëve të Mbrostarit hyri në ditën e katërt.
Këshilli Bashkiak ka vendosur me votat e PS dhe të LSI ndërtimin e impiantit të mbetjeve në Mbrostar, por banorët e kundërshtojnë kategorikisht këtë, sepse sipas tyre tokat janë moçalore çka do të përcillte ndotjen nga impianti në të gjitha sipërfaqet bujqësore.
Protestat e banorëve të Fierit mbështeten edhe nga Dega e PD Fier. “Afati tre ditor, i lënë nga Prefekti i Fierit për t’i dhënë një përgjigje banorëve të Mbrostarit, tashmë ka përfunduar. Prefekti nuk jep zgjidhje! Banorët nuk do të heqin dorë nga protesta! Ata do të vazhdojnë bllokimin e rrugës deri në anulimin e vendimit. Ne jemi me ju, Fieri është kundër plehrave”, shkruhet në njoftimin e PD Fier.
Qeveria dhe Bashkia në vend që të dëgjojë zërin e banorëve për anulimin e fabrikës së vdekjes, siç e cilësojnë ata, ushtron presion ndaj protestuesve me arrestime dhe kërcënime. Zyrtarët mundohen ta politizojnë protestën, në një kohë që në këtë protestë janë përfshirë të gjithë banorët pa dallime partiake në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre.
Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk, Kraps dhe Portëz, ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit. Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e mazhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit.

R.POLISI

Artikulli paraprakShpërthim tritoli në banesën e oficerit të policisë në Rinas
Artikulli tjetërRama, një fundjavë luksi në Milano bashkë me Gjushin