Përshtypje mbi “përplasjen e madhe” të Enver Hoxhajt

Nga Besian Zogaj

“Vitet që na presin mund të jenë kohë vetmie dhe harrese për Kosovën, ose kohë e mundësive të mëdha. Sepse kjo është koha ku thyhen tabu dhe rregulla…”
Kështu e fillon rrëfimin e tij, nën dritën e zhvillimeve dhe pikëpyetjeve të reja që përfshin “përplasja e madhe” mes perëndimit dhe Rusisë, Enver Hoxhaj, ministri i jashtëm më jetëgjatë i Republikës së Kosovës, dëshmitar i të gjitha ngjarjeve që kanë përcjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, protagonist i shumë prej tyre, pjesë e një elite politike intelektuale e profesionale ende aktive, që ka prodhuar rruga 24 vjeçare e shtetndërtimit të Kosovës.

“Përplasja e madhe” ngjan të jetë një thirrje “profetike” ndaj botës shqiptare dhe aleatëve të saj për t’u përgatitur për skenarin më të keq, atë të përshkallëzimit dhe zgjerimit eminent të konfliktit Ruso-Ukrainas në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vatra më e nxehtë e të cilit do të jetë Kosova.

Në analizën e tij quasi empirike, Hoxhaj tenton të qartësojë lexuesin mbi qëllimet e hershme, të paralajmëruara të Rusisë së Vladimir Putin dhe putinizmit si doktrinë, të mbështetura në dy boshte kryesore: nga njëra anë restaurimin e lavdisë Cariste me çdo mjet, përfshirë përdorimin e forcës dhe nga ana tjetër goditja, degradimi i epërsisë së modelit të demokracisë liberale të udhëhequr nga SH.B.A.

E gjitha kjo nëpërmjet “luftës hibride”.

Në analizën e Hoxhës, del qartë se i gjithë rrugëtimi i procesit të shtetndërtimit të Kosovës, duke filluar nga fitorja e lirisë në vitin 1999 pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s e deri ditët e sotme, është thelbësor për të kuptuar putinizmin si doktrinë politike. “Sa më thellë të kuptohet se përse Putin e ka goditur Kosovën në këto njëzet vite aq më shumë do e kuptojmë botëkuptimin e tij”.

Autori ofron një excursus historik të përmbledhur dhe analitik i të gjitha ngjarjeve përcaktuese që mbështesin pohimin e mësipërm, duke filluar nga dalja në skenë e Putin në vitin 1999 si Këshilltar i Lartë për Sigurinë i ish-Presidentit Boris Yeltsin e më pas me emërimi i tij si Kryeministër, me vizitat e tij në Beogradin e bombarduar, me vizitën e tij të parë dhe të vetme në Kosovë. Për të vijuar më pas me fjalimin e tij “programatik” në konferencën e Mynihut në vitin 2007 ku denoncon “ minimimin e së drejtës ndërkombëtare për shkak të përdorimit të mbiforcës në marrëdhëniet ndërkombëtare nga SHBA”, tentativën për moslejimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërhyrjen ushtarake në Gjeorgji e Krime, përshkallëzimin e luftës hibride gjatë pandemisë, për ta mbyllur me agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës.

Jo rastësisht Hoxhaj e sjell librin e tij në mesin e konfliktit Ruso-Ukrainas, i cili duket se do të ketë ndikime të mëdha në të gjithë ngrehinën e sigurisë ndërkombëtare të ngritur mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, 78 vite më parë.

“Nuk ka më rend të përbashkët, por një botë policentrike, me disa qendra vendimarrëse, të cilat duhet të jenë kundër hegjemonisë amerikane”- kjo është deviza ruse. Lufta hibride nuk është veçse e një gërryerje e modus-it dhe hegjemonisë kulturore dhe politike të perëndimit, një përplasje e demokracisë liberale me autokracinë, me Vladimir Putin si përfaqësues par exellance i kësaj të fundit, i cili synon të fitojë këtë betejë me çdo mjet.
Kufiri i kësaj eseje paradoksalisht është vetë personazhi Enver Hoxhaj. Për dy arsye.

Së pari, libri ngjan të jetë një shfaqje e dualitetit mes studiuesit Hoxhaj dhe politikanit Hoxhaj. Dy personazhet e autorit shkëmbehen me njëri tjetrit pothuajse në çdo faqe të librit, çka e bën të këndshëm dhe tërheqës deri në një pikë. Por kjo prirje e autorit, kompromenton qartësinë dhe ngrehinën teorike që duhet të përmbajë një libër që trajton çështje të sigurisë ndërkombëtare apo marrëdhënieve ndërkombëtare, për sa kohë vetë ai i ka vënë vetes këtë synim. Hoxhaj nuk i përmbahet kritereve të analizës në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për më tepër, referimi i kornizave teorike, i fenomeve, strategjive, shkollave të mendimit në lëmin shkencor të marrëdhënieve ndërkombëtare apo çështjeve të sigurisë janë të mangëta, çka e dobëson këtë punim në sytë e një lexuesi të kualifikuar.

Së dyti, libri do t’i ballanconte mangësitë në kriterin shkencor nëse do të përmbante një rrëfim të plotë të ngjarjeve thelbësore përgjatë procesit të shtetndërtimit të Kosovës, për sa kohë autori është një dëshmitar i dorës së parë. Por, duke qenë një përsonazh ende aktiv në politikën kosovare, ai, me gjasë, ka evituar një ndër temat që pritej me më shumë interes nga pena e tij: atë të gjykatës speciale në Hagë, çka në fakt është një ndër fushëbetejat e “përplasjes së madhe”.

Deklarata e pavarësisë e shtetit të Kosovës dhe mbi të gjithë certifikimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, u mbështetën gjithashtu tek legjitimiteti i luftës në Kosovë të udhëhequr nga UÇK, tek bilanci i genocidit dhe shkeljes plateale e të ashtuquajturave normave të shenjta ndërkombëtare “Jus Cogens” nga Serbia e Sllobodan Milosevic.

Kjo ishte me pak fjalë baza e njohjes së Kosovës si një rast Sui Generis nga GJND dhe komuniteti ndërkombëtar. Çfarë po ndodh në Hagë? A është procesi ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një procesi drejtë dhe i ndershëm? A ka një tentativë për rishkruar historinë e luftës së Kosovës nëpërmjet këtij procesi? A e ka ushqyer dhe ushqen ky proces fushatën e mosnjohjeve? Cilat janë pasoja mbi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në rast se aktakuzat ndaj udhëheqësve konfirmohen? Pyetje që për fat të keq mbeten pa përgjigje në punimin e Enver Hoxhajt.

Thënë këto, “Përplasja e Madhe” ka një vlerë të padiskutueshme politike.

Exploiti i konfliktit në Ukrainë do të ndikojë, sipas Hoxhajt, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe mënyrën e të bërit diplomaci. Domosdoshmëria e një përqasje hobbsiane nga institucionet e Kosovës dhe gjithë botës shqiptare, pra e parashikimit të më të keqes, përshkon të gjithë narracionin e tij, çka përben sipas meje vlerën e shtuar të librit. Ai flet për një “ripozicionim të Kosovës”, e cila nuk është gjë tjetër vec se një ftesë për një përshtatje të objektivave strategjike të Republikës së Kosovës në raport me çështjet e sigurisë dhe tutelimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, për të cilin Hoxhaj nuk flet në formë implicite. Në qendër të gjithë kësaj sipërmarrje është NATO.
Hoxhaj rikujton me të drejtë se tipari dallues i rrethanave botërore që mundësuan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishte forca dhe epërsia e gjithëpranuar amerikane. “Kosova e pati fatin e saj në mbështetjen amerikane, veçanërisht të presidentit amerikan George W. Bush, i cili i kuptonte qartë lojërat e Putinit; ai përkrahu anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës” thotë ai.

Ish-ministri dëshmon nën rrjeshta, se me vënien në diskutim të epërsisë amerikane, rajoni i Ballkanit Perëndimor është shnderruar në një fushëbetejë të përplasjes mes fuqive të mëdha. Një vend të rëndësishëm në këtë mes e zë Kina, e cila pavarësisht se refuzon perdorimin e forcës, është po aq agresive sa Rusia në luften hibride, “me bastion kryesor të përbashket Serbinë.”

Rusia dhe Kina kanë penguar që në krye të herës konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nën kërcenimin e vetos dhe udhëheqin fushatën e mosnjohjes së Kosovës në krah te Serbise.

Në këto rrethana, Hoxhaj e konsideron gati jetike anetarësimin e Kosovës në NATO, si e vetmja organizate qe ofron besueshmeri dhe garanci për “skenarin me të keq”, luftën në Ballkanin Perëndimor. “Njohja e pavarësisë nga ana e të gjithë shteteve europiane si dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë mjete për të dobësuar ndikimin rus në rajon”, nënvizon ai.

Ndërtuar mbi fakte, ngjarje përgjithësisht të njohura, libri -ese i Hoxhajt vjen si një sintezë me vlera të shtuara njohëse për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës. Jo rastësisht libri është shkruar e botuar si “ të dihej përmendësh”, brenda një kohë të shkurtër, pas këtij agresioni. Sensorët e ndjeshëm të politikanit, diplomatit dhe analistit Hoxhaj janë venë mënjeherë në punë për të kuptuar e analizuar veç të tjerash, apo më mirë të thuash, në radhë të parë, përmendjen e shpeshtë të Kosovës nga kreu i Kremlinit dhe ministrat e tij si një casus belli për të justifikuar sulmin kundër Ukrainës. Tingëllon si një rivendikim cinik ndaj SHBA dhe NATO-s. Hoxhaj me këtë rast evidenton edhe një herë “asimetrinë kozmike” mes rastit sui generis të Kosovës dhe alibive tipike naziste të Moskës për të sulmuar Ukrainës.

“Përplasja e madhe” mëton të jetë një narracion i besueshëm dhe është patjetër një libër me vlera të mëdha publicistike qe lexohet me kënaqësi. Krahas pasurimit të literaturës politologjike shqiptare, libri mbi të gjitha ndihmon për ta bërë politikën e madhe “të përtypshme” për një publik më të gjerë./ Liberale

Exit mobile version