Përtej fjalës “gossip” dhe çmimit të tij në mjedisin shqiptar

Dr. Fatmir Terziu

Gazetari kryesor i ITV, Televizonit numër 2 të Britanisë së Madhe, teksa intervistonte një akademike britanike, njohëse e mirë e jetës brenda Buckingham Palace, si autore librash, theksoi menjëherë pasi u ndalën kamerat të depërtojnë më tej, teksa David Cameron udhëtoi drejt Buckingham Palace për të takuar Shkëlqesinë e saj Mbretëreshën e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, se “tani le të themi disa gossips”. Le të imagjinojmë donte të thoshte ai për atë çfarë ndoshta ndodh në një takim të tillë kokë më kokë. Por asgjë nuk doli të ishte “gossip”, pasi receta mediatike foli për ligjësinë e komunikimin me kreun e shtetit në atë vend. Historia ishte kështu…
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, fill pasi përfundoi fjalinë e tij të fundit, “është nder dhe krenari ti kem shërbyer një vendi të tillë që unë e dashuroj”, udhëtoi drejt Buckingham Palace për të takuar Shkëlqesinë e saj Mbretëreshën e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, duke i shtuar kështu citimit të më shumë se gjashtë viteve si Kryeministër, një “ish”, para postit si Kryeministër, mes disa duartrokitjeve përkrahëse dhe disa ulërimave të pakënaqura. Demokraci! E tillë dhe në një mesditë me diell e shi të së mërkurës së 13 korrikut, kur pritet nga ora në orë që Kryeministrja e re, e dyta femër, nga pala konservative, Theresa May, të shkojë në godinën më në zë të Britanisë së Madhe, Numri 10, Downing Street. Po ndërsa koha ka ndërruar fletët e historisë britanike me një sërë arsyesh pas Brexit, ajo që më së shumti u mbajt mend nga memorja e para disa viteve, kur Cameron bënte fushatë, ishte fjala shpotitëse që pati deklaruar se “Nick Clegg është fjalë humori për mua”, kur ndërsa menjëherë, pasi nuk mori votat e duhura për të qeverisur e ftoi pikërisht atë, z. Clegg, të zinte vendin numër dy si zëvendëskryeministër i qeverisë që u drejtua prej tij. Po më në fund, David Cameron u duartrokit nga deputetët e Parlamentit britanik…, dhe askush nuk hodhi “gossips” (thashetheme) as dhe në rastin kur ai, gruaja e tij Samantha dhe tre fëmijët hynë pa prani të kamerave, gazetarëve dhe mediave kur takuan Shkëlqesinë e saj Mbretëreshën e Britanisë së Madhe, Elizabeth II. Asnjë shenjë e tillë. Se demokracia kërkon të thuhet e vërteta hapur, dhe kur ajo ka arsye të tjera.
Ndryshe ndodh në mjedisin politik shqiptar. Dhe jo pak herë sheh “thashetheme” nga më të trashat, aq të bezdisshme. Aq të qëllimshme. Një rast më i freskët është zhurmimi portal i pasmbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së. Për këtë një nga deputetët më aktivë të kësaj partie, Prof. Dr. Luçiano Boçi shkruan se: “Pasi dola nga mbledhja e Grupit parlamentar që zgjati jo pak, ju drejtova portaleve e gazetave online. Për përditësim më shumë. Ç’të lexoje?!!!! Aty “mësova” që në atë mbledhje, na ishte “bë nami”!!!??? Kishte pasur sipas tyre debate, kacafytje, akuza, largime prej përplasjeve e shumë bëma të tjera, krejtësisht larg së vërtetës. Ndërkohë që ishin thjesht diskutime e rrahje mendimesh. Madje do thoja me sens dhe pse jo të bukura. Po kurrsesi me tendenca! U çmerita!!! Lajme krejtësisht të padrejta për Reformën në Drejtësi… E ta mendosh që opinioni ndikohet në një masë të madhe nga këto scoop-e! Këtu ende vrapojnë të shpikin ngjarjen e radhës…. Drejtësia e lajmit pak rëndësi ka!!!??? “Drejtësitë” e tjera të na rrojnë deri sa janë lajm!!!!….”. Ndodh kështu dhe në momente krize, të asaj “krize” që prodhohet më së shumti dhe nga mjeshtrat e “gossips”.
Fjala në shumës “gossips” është ardhje nga gjuha e vjetër angleze “Old English” “godsibb”, që formësohet nga e para “zot” dhe “sibb”, që meton një kumt për prindërit e fëmijës së dikujt apo prindërit e dikujt famull, miq shumë të ngushtë në përgjithësi. Në shekullin e 16-të, fjala mori kuptimin e një personi, kryesisht një gruaje, e cila kënaqet me fjalë boshe, një thashethemexheshë, një llafazane. Në fillim të shekullit të 19-të, termi është zgjeruar nga folës të bisedës që u rreket personave të tillë. Folja me thashetheme, që do të thotë “për të qenë një thashethemeprodhues”, për herë të parë shfaqet në librat e Shekspirit. Termi rrjedh nga dhoma në kohën e lindjes së fëmijës. Procesi i lindjes përdoret për të qenë një mjedis intim dhe social, ku pranohen vetëm zonjat, kjo pra një ngjarje, që gjatë lindjes së atëhershme, kur nuk kishte mjete moderne, shfaqte thashethemet e para për ardhjen në jetë të një fëmije, mashkull apo femër dhe bisedave të tjera thafeprodhuese.
Pra “Gossip” është një terminologji më vete, ku qartazi mund të nënkuptohet si hajde të flasim se jemi të papunë ose hajde të prodhojmë fjalë, sidomos në lidhje me çështjet personale ose private të të tjerëve; për të na dalë punë. Gossip është hulumtuar se i përket origjinës së tij evolucionare të psikologjisë. Kjo ka gjetur që “gossip” të jetë një mjet i rëndësishëm me të cilin njerëzit mund të monitorojnë reputacionin bashkëpunues dhe kështu mbajnë reciprocitetin duke e përhapur në mënyrë të tërthortë. Reciprociteti i tërthortë është një ndërveprim social në të cilën një aktor ndihmon një tjetër dhe jep shans për të përfituar më pas një palë e tretë. “Gossip” është identifikuar edhe nga Robin Dunbar, një biolog evolucionist, si ndihmë i lidhjes sociale në grupe të mëdha. Mediat sociale kanë dhënë edhe një mënyrë shumë më të shpejtë për të ndarë thashethemet. Në vetëm një minutë, lindin dhjetëra thashetheme të dëmshme dhe thashethemet mund të përhapen në internet nga një vend në një vend tjetër. Termi është përdorur ndonjëherë për t’iu referuar në mënyrë specifike përhapjes së “fëlliqur” dhe dezinformatave, si (për shembull) përmes skandalesh inekzistente. Disa gazeta janë kthyer në “kolona thashethemesh”, duke dhënë më shumë detaje për jetën sociale dhe personale të njerëzve të famshëm apo të anëtarëve të elitës të komuniteteve të caktuara. Kështu duket se ngjan dhe me situatën e sotme të këtyre blogjeve në mjedisin e ushqyer “gossip” të blogmenëve të shumtë socialë shqiptarë.
Sidoqoftë ky është jo thjesht çmimi i politikës së “gossips”. Gazetari i “New York Times”, Franko Bruni, jo pak herë e ka cituar këtë se me çmimin e kësaj poltike të “paguar” dhe të dirigjuar nga duar të fshehta, kostoja është e dhimbshme, e gjatë dhe mjaft e kushtueshme. Frank Bruni thotë se mjedisi politik “bëhet një karnaval në mënyrë pushtuese, pa dallim dhe ndonjëherë edhe i papërpunuar që largon vëmendjen nga realiteti”. Dhe realiteti është ndryshe. Është se përditë në mjediset sociale vijnë e strehohen fëmijë nën moshë nga Shqipëria, pikërisht në këtë vend ku sot u bë rrokada e kryeministrave pa “gossip” brenda Partisë Konservative. Dhe ndoshta kemi arsye të ripyesim: “Kush paguan për këto gossipmenë?!” Mos vallë edhe këtu “Fajin e ka Saliu!” Mos harrojmë se me këtë “gossip” erdhi në pushtet kryeministri i sotëm Edi Rama!

Exit mobile version