Përvëlim Parlamentit në rast të trafikimit të votave

Kryetari i opzitës Basha parlajmëroi dje se trafikimi i votave në Kuvend për të miratuar në mënyrë të njëanshme Reformën në drejtësi do të sjellë djegien e mandateve të deputetëve të opozitës dhe ky do të jetë vetëm hapi i parë dhe do të pasohet nga një sër hapash të tjerë të fortë të opozitës.
“Çdo tentativë për të trafikuar qoftë dhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare si hapi i parë drejt përvëlimit të Parlamentit ilegjitim që do të jetë edhe përgjigjja e merituar e popullit ndaj një qeverie që i hap atij luftë, me çdo mjet që siguron fuqia e padiskutueshme e sovranit”, u shpreh Basha
Për Kryetarin e opozitës dërgimi në Kuvend i draftit të njëanshëm për ndryshimet kushtetuese është një akt i ulët provokimi dhe një përshkallëzim i krizës dhe tensionit shoqëror në vend.
“I verbuar nga krimet dhe korrupsioni 3-vjeçar, Edi Rama kërkon kapjen me çdo kusht të drejtësisë për të garantuar paprekshmërinë e tij dhe të bandës që e rrethon. Kjo manovër do të dështojë me turp. Rruga e vetme për një Reformë në Drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias”, u shpreh Basha.

Pse vetingu u përfshi në rekomandimin 88

Kur palët deklaruan se përfundimisht ndahen tek rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias, pyetja që lindi ishte pse pikërisht tek institucionet e vetingut, atyre që do të kontrollojnë gjyqtarët e prokurorët. Një përgjigje duket të jetë tek një paragraf i opinionit paraprak të Komisionit të Venecias ku evidentohet rreziku për kapjen e sistemit nga forca politike që kontrollon procesin. Rekomandimi 88 i opinionit përfundimtar të Venecias i orienton palët drejt formulave proporcionale që sigurojnë “përfaqësimin e opozitës” në organet kolegjiale të gjyqësorit apo modeleve të tjera që përfshijnë dhe opozitën nëse palët nuk bien dakord me shumicat e cilësuara tre të pestat apo dy të tretat e votave në Kuvend për emërimet në katër insitucione të drejtësisë.
“Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit dhe Dhomën e Specializuar të Kualifikimit (tashmë i ndryshuar në Kolegjin e Posaçëm), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”.
Dy institucionet e para janë qeveria e gjyqësorit, në të cilat Kuvendi emëron pjesën e anëtarëve jo gjyqtarë e jo prokurorë, ndërsa dy institucionet e dyta bëjnë vetingun, pra do të jenë ato që do të përcaktojnë cilët gjyqtarë e prokurorë qëndrojnë ose largohen. Janë këto dy të fundit për ta cilat Kryeministri Rama i tregoi vizën e kuqe opozitës. Por pse në këtë rekomandim të paragrafit 88 të Komisionit të Venecias janë përfshirë edhe institucionet e vetingut.
Arsyeja duke se gjendet e thënë qartë në paragrafin 88 të raportit të ndërmjetëm të dhjetorit 2015, ku Venecia tërheq vëmendjen për rrezikun e kapjes së sistemit gjyqësor nga forca politike që kontrollon procesin. Aty flitet për dakordësinë e gjerë shqiptare mbi konstatimin se gjyqësori ynë është jashtëzakonisht i korruptuar dhe kërkon ndërhyrje urgjente.  Por “Venecia” hedh pikëpyetjen nëse ky konsensus i gjerë krijon bazën e mjaftueshme për t’i nënshtruar të gjithë gjykatësit, përfshirë dhe ata të ndershmit, në një proces rivlerësimi, pavarësisht rrethanave specifike të çdo gjykatësi individual?
Kjo është një pyetje që Venecia ia lë për përgjigje politikës, por tërheq vëmendjen kur thotë se gjithsesi nuk duhet harruar, se një zgjidhje kaq radikale do të ishte jo e arsyeshme në kushte normale, pasi krijon tension të jashtëzakonshem brenda sistemit gjyqësor, destabilizon punën e tij, shton mosbesimin e publikut mbi këtë sistem, heq vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre të përditshme dhe si një masë mjaft e jashtëzakonshme, krijon riskun e kapjes së sistemit gjyqësor nga forca politike, e cila kontrollon procesin. Partia Demokratike është pozicionuar qartë se zbatimi i rekomandimit 88 të opinionit përfundimtar është e vetmja rrugë që shmang këtë rrezik që evidentiohet edhe në këtë paragraf të opinionit paraprak të Komisionit të Venecias.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakRama nuk e shkarkon përdhunuesin e tij në Kavajë
Artikulli tjetërKushtetuta e pushtetit që buron nga gryka e pushkës